Episodi 21 Ëndrra e vendit tuaj pas 20 vjetësh –pjesa e dytë



 

SUNAA’ AL-HAYAH

- KRIJUESIT E JETËS -

Episodi 21     Ëndrra e vendit tuaj pas 20 vjetësh –pjesa e dytë

Ëndrra e vendit tuaj pas 20 vjetësh –pjesa e dytë

 Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

 

Episodi i sotëm është vazhdim i episodit të kaluar. Ajo që duam të arrijmë ka si bazë rizgjimin e muslimanëve. Tashmë kemi prekur fundin dhe gjërat nuk mund të keqësohen më tepër. Zakonisht, kur një kurbë arrin pikën më të ulët, akoma ekziston një shpresë se ajo do të ngrihet përsëri. Pra, le ta përshkruajmë tablonë dhe le ta përfytyrojmë atë në mendjet tona. Sa më shumë që e përfytyrojmë, aq më shumë na i zotëron ndjenjat dhe aq më shumë do të jemi të gatshëm të sakrifikojmë për të. Veç kësaj, ëndrra do të jetë më e çmuar për ne, sesa vetë shpirtrat tanë. Kjo që po themi nuk është diçka e re; ajo është një gjë që dihet mirë, sepse të gjitha rizgjimet e ndodhura kanë ndjekur një strukturë të tillë.

 

E gjithë çështja fillon me një ëndërr, e cila vazhdon të rritet në mendjen dhe në imagjinatën e njerëzve. Ata e pikturojnë nëpër tablo, ua mësojnë fëmijëve dhe e përshkruajnë në poezitë dhe novelat e tyre. Kjo ëndërr fillon të marrë formë, ata e shohin në gazeta dhe në takimet me familjet dhe miqtë. Ajo rritet gjithnjë e më tepër, derisa ua zotëron si ndjenjat, ashtu edhe qelizat e trupit. Gjendja arrin deri në atë pikë, saqë e kanë shumë të vështirë të jetojnë pa e përmbushur. Ata e realizojnë këtë me ndihmën e Allahut, duke provuar vërtetësinë e ajeteve të mëposhtme:

 

“Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ia ndryshojë gjendjen një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në veten e tyre” (8: 53).

 

Tani që e dimë se ku jemi dhe cila është gjendja jonë aktuale, do të përcaktojmë qëllimet që duam të arrijmë; por, nuk do të përcaktojmë qëllime të paqarta, nuk do të themi thjesht: “Duam të përjetojmë një rizgjim”. Më saktë, ne do të fillojmë të hedhim konturet e këtij rizgjimi në letër; kjo është sipërmarrja jonë. Javën që shkoi, shumë prej jush na kanë dërguar fakse dhe e-maile, veç telefonatave. Ne shpresojmë se numri i pjesëmarrësve do të rritet shumë më tepër. Ky është projekti juaj, pra kemi nevojë që të gjithë ju të merrni pjesë në të. Është një projekt kombëtar, është ëndrra e vendit tonë.

Është mirë që në këtë projekt të marrin pjesë profesorët e universiteteve, gratë, të rinjtë dhe muslimanët e tjerë që jetojnë në Perëndim; dhe jo vetëm muslimanët, por gjithashtu edhe burrat e gratë krishtere apo të rinjtë nga të dyja gjinitë.

Gjithçka fillon me një ëndërr në mendjen e dikujt, i cili ia del me sukses t’i bëjë njerëzit që ta ndajnë me të.  Po ëndrra që po ndërtojmë të gjithë së bashku? Ajo do të jetë ëndrra jonë dhe do të mbizotërojë shpirtrat dhe trupat tanë.

Më lejoni t’ju jap disa shembuj, në mënyrë që ju të siguroheni se ajo që po them është e vërtetë; shembujt në vijim i përkasin historisë dhe jetës reale:

  1. Malajzia:

 

Malajzia ka qenë një vend shumë i varfër. Në kryeqytetin e saj, Kuala Lumpur, plehrat dhe ujërat e zeza ishin të kudondodhura. 20 vjet më parë, nuk do të kishit dashur kurrë ta vizitonit, por tani ky qytet është më i mrekullueshëm se shumë kryeqytete evropiane. E gjithë kjo ka ndodhur në sajë të një njeriu, që ëndërroi sesi do të donte ta shihte vendin e tij pas 20 vjetësh. Papritur, dhe për jo më shumë se 10 vjet, mesatarja e të ardhurave për frymë në Malajzi u rrit nga 300$ në 8000$!!! Eksportet industriale u rritën nga 3 bilion$ në 80 bilion$. Shkoni dhe shiheni vetë! Investoni paratë në Malajzi dhe do të shihni sesi nëpunësit qeveritarë do të bëjnë ç’është e mundur për të përmbushur kërkesat tuaja; madje edhe nëse shërbimi që do të kërkoni nuk do të jetë i mundur në zyrën e tyre, ata do t’ju thonë të prisni sa të telefonojnë një nëpunës nga një zyrë tjetër, që mund t’jua ofrojë atë shërbim.

 

  1. Dubai:

 

20 vjet më parë, Dubai ishte vetëm shkretëtirë, derisa dikush ëndërroi ta kthente atë në qendrën më të madhe tregtare në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Ëndrra u bë realitet dhe Xhebal Ali fitoi një rëndësi të jashtëzakonshme. Është e mjaftueshme të dimë se në të ndodhen dyqanet kryesore që u përkasin të gjitha kompanive të famshme japoneze, të tilla si Sony dhe shumë të tjera; pra, ishte e gjitha ëndrra e një njeriu të vetëm.

 

 

  1. Bashkimi Europian:

 

Europa kaloi dy luftëra botërore, gjatë të cilave morën pjesë 10 nga 25 vendet e saj. Pasojat e fatkeqësisë ishin 10 milion të vdekur dhe 15 milion të dëmtuar. Ata shkatërruan vendet e njërit-tjetrit, derisa dikush ëndërroi për krijimin e një Europe të bashkuar. E kush do ta kishte besuar se Europa që shkaktoi gjithë atë dëm, do të bashkohej, duke përdorur të njëjtën monedhë, me një metro që kalon në 25 vendet europiane dhe pa asnjë kufi mes tyre! Njerëzit e këtyre vendeve kanë tashmë lirinë për të udhëtuar, ata shijojnë një treg të hapur, ku 350 milion njerëz mund të shkëmbejnë të mira dhe ide në liri,  kanë një parlament dhe tani edhe një kushtetutë.

 

  1. Kanali televiziv El- Xhazira:

 

Kush do ta kishte menduar se një kanal televiziv arab lajmesh do të konkurronte me C.N.N-in!!

Ishte pikërisht ëndrra e dikujt, e cila u bë realitet. Njerëzit nuk besojnë se ëndrrat mund të realizohen dhe kjo është edhe arsyeja se pse i konsiderojnë si të pashpresa apo të pamundura, derisa dikush këmbëngul ta kthejë ëndrrën e tij në realitet. Në fillim, të gjitha projektet e mëdha ishin vetëm ëndrra; Kanali i Suezit, Rezervuari i Asuanit apo kanali televiziv El-Xhazira. Të gjitha filluan vetëm me një ëndërr!

 

  1. Bahreini dhe Formula 1:

 

Bahreini donte të organizonte një kampionat të njërit prej sporteve të mëdha, kështu që hodhën sytë drejt kampionatit më të famshëm në botë. Ata e ëndërruan këtë gjë dhe panë se Olimpiada dhe Kupa e Botës, që janë edhe dy kampionatet më të mëdha botërore, ishin shumë larg mundësive të tyre. Kështu, menduan për kampionatin që zë vendin e tretë, atë të Formula 1.

Shumë shpejt, shkretëtira u shndërrua në një pistë gare të mrekullueshme, në nivel aq të lartë, saqë kampionati i Formula 1 në Bahrein rezultoi të ishte më i mirë sesa ai që është organizuar në Europë apo Amerikë! Koha për të shuar zjarret e rëna në makina gjatë kampionatit të organizuar në Amerikë ishte 20-25 sekonda, ndërkohë që në Bahrein një kohë e tillë u ul në vetëm 12 sekonda. Në këtë mënyrë, ata qenë në gjendje të thyejnë rekordin dhe të sigurojnë mundësinë për organizimin e këtij aktiviteti në 10 vitet e ardhshme. Ia dolën mbanë që të tërhiqnin vëmendjen e botës në lidhje me aftësitë e tyre.

Le të përfytyrojmë se si mund të bëhen vendet tona pas 20 vitesh; nuk është asnjëherë e pamundur të realizojmë diçka, sepse ajeti Kur’anor thotë qartazi: “Atyre nga mesi juaj që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u ka premtuar se do t’ i bëjë zotërues në atë tokë...” (24:55).

Pra, mos u dorëzoni asnjëherë! Veç kësaj, në hadithin kudsij thuhet: “Unë jam afër shpresave të robit Tim, pra le të shpresojë tek Unë për realizimin e dëshirave të zemrës së tij”. Ne gjithmonë e konsiderojmë këtë hadith dhe e trajtojmë atë nga pikëpamja e parajsës, ferrit dhe botës tjetër, dhe shpresa jonë tek Allahu është që Ai të na lejojë të prehemi në parajsë e të ketë mëshirë për ne.

Një trajtim i tillë është i vërtetë por ky hadith i adresohet edhe jetës së kësaj bote; gjithashtu, ju duhet të keni shpresë që Allahu t’ju mbështesë, t’ju nderojë dhe t’ju japë sukses në çështjet e kësaj e jete.

Në pjesën në vazhdim do të shtjellojmë premtimet e Allahut ndaj profetit të Tij, të cilat u plotësuan dhe mënyrën se si shokët e Profetit sugjeronin ide, punonin në arritjen e tyre dhe në fund arrinin t’i bënin ato realitet. Allahu i ka dhënë premtime të Dërguarit të Tij, jo vetëm ëndrra; ato ishin premtime që rezultuan të ishin të vërteta.

 

Shembuj të premtimeve të Allahut ndaj Profetit:

 

1. Një ditë Hatem Bin Addei, i cili ishte një personalitet me rëndësi në rrethin e tij, shkoi tek Profeti (a.s). Profeti e ftoi që të bëhej musliman, por ai refuzoi duke thënë se tashmë besonte në një fe të caktuar dhe se nuk kishte nevojë të pranonte ndonjë fe tjetër. Profeti i tha: “E di se çfarë të mban larg Islamit o Addei. Ti mendon se ne jemi të dobët dhe të varfër”. Addei u përgjigj: “Po, ashtu është”. Atëherë, Profeti e pyeti: “Addei, a ke dëgjuar për Hiirah?” (ajo ishte një nga mbretëritë më të mëdha të Perandorisë Perse të asaj kohe). Addei tha: “Po, kam dëgjuar për të, por nuk e kam vizituar asnjëherë”. Profeti ia ktheu: “Betohem në Allahun, se muslimanët do ta pushtojnë “Hiirah” dhe se gratë do të kenë mundësinë të udhëtojnë për në Mekë për të kryer Tavafin rreth Qabes, duke mos u frikësuar prej askujt tjetër, veç Allahut.

Në atë kohë, rruga nuk ishte e sigurt, pasi përgjatë saj bëheshin shumë beteja lufte. Ishte logjike që Addei nuk u besoi këtyre fjalëve, por tha: “E shikova në sy dhe e ndjeva se ishte i sinqertë”. Pastaj, Profeti vazhdoi duke thënë: “Betohem në Allahun se thesaret e Kisrës do të shpërndahen mes nesh pikërisht këtu, në këtë vend, dhe po ashtu betohem se ne do të kemi aq pasuri, saqë asnjë musliman nuk do të mbetet i varfër”. Addei tha: “Forca me të cilën i tha këto fjalë, më bëri të pranoja Islamin”. Më vonë, Profeti (a.s) vdiq, muslimanët pushtuan “Hiirah” dhe i pashë gratë që udhëtonin në drejtim të Mekës për Tavaf  rreth Qabes, duke mos iu frikësuar askujt tjetër, përveç Allahut. Gjithashtu, i pashë thesaret e Kisrës në mimberin e të Dërguarit të Allahut dhe tani jam duke pritur për përmbushjen e premtimit të tretë, që ne do të kemi shumë para e se nuk do të ketë më muslimanë të varfër. Nuk e kam parë akoma një gjë të tillë, por e di me siguri se kjo do të ndodhë, sepse kështu ka thënë Profeti”.

 

2. Profeti e informoi umetin e tij në lidhje me një ëndërr, për përmbushjen e së cilës do të duheshin shumë vite; ishte një ëndërr por edhe një premtim në të njëjtën kohë. Ai u tregoi për të, kur ishin akoma në Medinë, përpara se të fillonin pushtimet islame. U tha se: “Kostandinopoja (Bizanti) do të pushtohej, i njoftoi sesa njeri i mrekullueshëm do të ishte udhëheqësi i saj dhe sa e madhe do të ishte ushtria e tij”. Pasi Profeti vdiq, secili nga muslimanët vazhdonte të ëndërronte që të ishte pikërisht ai udhëheqës, derisa Mehmeti II Pushtuesi (Muhammed El-Fatih) ia arriti këtij qëllimi. Profeti përmendi jo vetëm Kostandinopojën, po gjithashtu edhe pushtimin e Romës. Një pushtim i tillë nuk është e thënë të jetë domosdoshmërisht ushtarak, por mund të arrihet duke përhapur Islamin dhe duke u dhënë njerëzve mundësinë për të parë sesa madhështore është kjo fe. Tashmë ne e njohim pushtuesin e Kostandinopojës, por po pyes veten nëse përfaqësojmë brezin e dytë që do të pushtojë Romën. A po shpresoni për këtë pushtim me të njëjtën forcë, sikurse shpresuan brezat e mëparshëm për pushtimin e Kostandinopojës?

 

3. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë se dikur, Gadishulli Arabik ishte një tokë e gjelbër, ku kalonin lumenjtë dhe se natyra e tij e gjelbër do të kthehet sërish! Ne e dimë se Gadishulli Arabik është vetëm një shkretëtirë! Kështu që, kur i dëgjojmë këto fjalë, themi se ndonjë mrekulli duhet të jetë rrugës duke ardhur. Pse mos të bëhemi ne kjo mrekulli?! Pse mos të shpikim diçka për ta rikthyer sërish gjelbërimin e tij, përpara se ta bëjnë këtë gjë Amerika dhe Europa?

 

Pse të mos ëndërrojmë për përmbushjen e premtimit të të Dërguarit të Allahut, sikurse ëndërruan Muhammed El-Fatihu dhe ushtria e tij?! Këto nuk janë fantazi, por gjëra që ne mund t’i realizojmë. Thjesht ëndërroni sa të mundeni dhe na i dërgoni neve këto ëndrra; le t’ ua mbulojnë ëndrrat të gjithë hapat e jetës.

 

Në të vërtetë, ata që duhet të ëndërrojnë më shumë se çdokush tjetër, jeni ju, të rinjtë, dhe kjo për dy arsye:

 

  1. Aftësia juaj për të menduar ua kalon të moshuarve. Ju jeni ende të freskët, sapo keni filluar jetën tuaj aktive. Akoma nuk keni ndeshur në pengesa që ju dalin në rrugë, kështu që mund të ëndërroni sa të doni. Mos pretendoni se kjo është një përgjegjësi që u takon më të moshuarve apo intelektualëve. 
  2. Meqë jemi brezi pasues, dikush që tashmë është 40 vjeç mund të mos jetojë sa të shohë së çfarë do të ndodhë pas 20 vitesh, por ju, rinia, ka shumë mundësi që të jeni në gjendje të shijoni rezultatin e punës suaj dhe të shihni se si do të shndërrohen vendet tuaja pas 20 vitesh.

 

Nëse nuk jeni në gjendje të ëndërroni, atëherë dikush tjetër do të ëndërrojë për ju; kini parasysh se arritjet e kryera 100 vitet e fundit në vendet ku jetojmë, nuk ishin ëndrrat tona. Ato ishin ëndrrat e të huajve; Kanali i Suezit ishte ëndrra e një të huaji, emri i të cilit ishte Ferdinand De Lesseps, kurse Rezervuari i Asuanit ishte ëndrra e një greku. A është logjike që të huajt të ëndërrojnë për vendet tona dhe të bëjnë përpjekje për t’i kthyer këto ëndrra në realitet në interesin tonë, ndërkohë që ne nuk jemi në gjendje të ëndërrojmë për të ardhmen, duke pohuar se realiteti ynë është i trishtë?

Asnjëherë mos u ndjeni ngushtë për ëndrrat që keni! Profeti (a.s) i pranonte mendimet e shokëve të tij, të cilat dukeshin si imagjinare apo të pamundura për t’u realizuar. Le të marrim si shembull betejën e Hendekut. Në këtë betejë, një ushtri prej 10 000 vetash po vinte për të luftuar kundër muslimanëve në Medinë. Numri i muslimanëve të armatosur nuk ishte më shumë se 3 000 vetë. Kjo situatë kërkonte një fantazi dhe një ide të re. Kështu, Selman Persiani (r.a) propozoi që të hapnin një hendek. Për arabët e asaj kohe, hapja e një hendeku ishte një ide e çuditshme. Veç kësaj, armiku do të arrinte në Medinë për dy javë dhe terreni në këtë qytet ishte shkëmbor.

Sot, siç e dini, problemi është se ne nuk përpiqemi kurrë të mendojmë apo të bëjmë diçka, për të cilën nuk dimë asgjë. Kurse Profeti (a.s) reflektoi seriozisht mbi çështjen në fjalë: Medina është e rrethuar me male nga të gjitha anët, përveç hyrjes veriore, që ka një gjerësi prej 4.5 km. Në rast se kjo hyrje shndërrohet në hendek, atëherë armiku nuk do të ishte kurrë në gjendje të hynte në qytet. Kështu, Profeti vendosi pro hapjes së hendekut. Madje, ai tha “Selmani është i familjes sime”. Ajo që bëri Selmani ishte aq madhështore, saqë emigrantët dhe përkrahësit (Muhaxhirët dhe Ensarët) filluan të përsërisnin fjalët: “Selmani është një prej nesh!”. Ai pati një ëndërr, e cila në të vërtetë e shpëtoi Medinën. Pra, ata e hapën hendekun; ishte 5 metra i thellë dhe 6 metra i gjerë. Për 15 ditët në vijim, 2500 vetë vazhduan të hapnin hendekun; çdo 10 vetë hapnin 18 metra. Kështu, çdo person duhej të mbante një mijë thasë me rërë për të përfunduar atë që kishin nisur.

Është ironike të përmendet se njëherë Mbretëria e Arabisë Saudite i kërkoi një kompanie britanike të ndërtonte një rrugë unazë rreth Medinës. Kompania përkatëse e inspektoi zonën dhe më vonë, i kërkoi falje Mbretërisë. Arsyeja që nxorën ata kishte të bënte me terrenin shkëmbor, të cilin nuk e përballonin dot pajisjet e tyre. Si rrjedhojë, kostoja do të ishte shumë e lartë. Ndërsa Profeti (a.s) dhe shokët e tij e bënë punën në mënyrë të suksesshme duke përdorur vetëm kazma; madje nuk patën nevojë as për ndonjë pajisje të sofistikuar. Ata kishin dëshirën dhe ëndrrën për realizimin e saj. Ëndrra nuk ishte hendeku, por ruajtja e besimit të tyre. Pikërisht, kjo ëndërr ishte kaq fisnike dhe madhështore!

“E Ne të dërguam ty (O Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (21:107).

Kështu, hendeku nuk ishte gjë tjetër, veçse një hap drejt realizimit të asaj ëndrre.

Kohët e fundit, ne bëmë një studim në Bahrein. Subjektet që morën pjesë në të ishin 700 të rinj dhe të reja. Ne u kërkuam të mendonin, dhe kështu ata formuan grupe të veçanta pune meshkujsh dhe femrash. U kërkuam që të përfytyronin vendin e tyre për 20 vitet e ardhshme. Nuk do ta besonit kurrë që seanca zgjati vetëm tre orë dhe rezultati i saj ishin 120 faqe të mbushura me ëndrrat e atyre të rinjve për vendin.

 

Më lejoni të përmend disa prej këtyre ëndrrave:

 

  1. Riciklimi i mbeturinave.
  2. Gjetja e alternativave për karburant, përpara se këtë gjë ta bëjë Perëndimi.
  3. Shndërrimi i lagështisë në ujë të pijshëm dhe i shkretëtirave në livadhe, me përdorimin e shiut artificial.
  4. Një shkencëtar musliman, i cili do të zgjidhte problemin e vrimës së ozonit.
  5. Bahreini do të bëhet sërish toka e 1000 palmave.
  6. Udhëtimi në vendet arabe do të bëhet pa viza apo ndonjë lloj tjetër kufizimi.
  7. Krijimi i një tregu të përbashkët arab, i cili do të konkurrojë me tregjet ndërkombëtare.
  8. Një ekip futbolli i Bahreinit që do të jetë rivali i Real Madrid-it.
  9. Dobësimi i rolit të shërbyeseve dhe dadove dhe gjallërimi i rolit të nënave.
  10. Ndërtimi i shkollave të posaçme dhe një universiteti për njerëzit e talentuar dhe krijues të botës arabe, me qëllim që të shfrytëzohen talentet e tyre.
  11. Ndërtimi i librarisë më të madhe arabe në Bahrein, e cila do t’ia prezantonte të gjithë botës intelektualët muslimanë dhe mendimet islame.
  12. Numri i atyre që falin namazin e agimit, do të jetë i barabartë me atë të namazit të ditës së Premte.
  13. Ndërtimi i një ure lidhëse ndërmjet Bahreinit dhe Katarit.
  14. Zëvendësimi i nëpunësve aziatikë me ata arabë.
  15. Ndërtimi i një fshati të cilësisë së lartë për njerëzit me të meta fizike.
  16. Ndërtimi i një qyteti sportiv për femrat.
  17.  Ngritja e flamurit të Bahreinit dhe të një flamuri ku shkruhet “La ilahe ila-allah” (Nuk ka Zot tjetër veç Allahut) në hënë, ashtu sikurse kanë bërë vendet e tjera.
  18. Gjithashtu, mes të tjerave kishte edhe disa ide argëtuese në lidhje me devotshmërinë fetare, si p.sh. syze të veçanta për të shmangur shikimet keqdashëse dhe një të kuq buzësh special për të penguar thashethemet tek gratë.

 

Të gjitha këto ëndrra burojnë nga njerëz nën 23 vjeç.

 

Nuk ia keni idenë se çfarë mund të bëjë qoftë edhe një ëndërr e vetme! Rezultati mund të jetë përtej imagjinatës suaj, mund të përbëjë një pikë të mahnitshme kthese në aftësitë tona.

Le të shohim shembujt e mëposhtëm:

 

  1. A mund ta imagjinoni ndryshimin e pamasë në karakterin e Omer Ibn Hatabit? Ai e kishte zakon ta bënte zotin e vet me hurma, të cilin e hante sapo të ndihej i uritur. Njëherë, varrosi edhe bijën e tij të gjallë. Por, Omeri ndryshoi sapo e kuptoi se kishte një qëllim dhe një premtim hyjnor për të përmbushur; ai donte ta kthente vendin e tij në më të madhin e të gjitha vendeve. Më lejoni t’ju jap një shembull për të parë nivelin e një transformimi të tillë total në karakterin e Omerit.  Hudheife Ibn Jemeni ishte i vetmi, të cilit Profeti (a.s) i tregoi në lidhje me trazirën dhe konfliktin që do të ndodhte pas vdekjes së tij. Profeti i tregoi gjithashtu se kur do të ndodhte e gjithë ngjarja Një ditë, Omeri i tha Hudhejfes: “O Hudhejfe, më trego për konfliktin”. Përgjigjja e Hudhejfes ishte: “ç’lidhje ke ti me konfliktin, o udhëheqës i besimtarëve? Midis teje dhe konfliktit është një derë e mbyllur, e cila nuk do të hapet asnjëherë, derisa të vdesësh”. Omeri e pyeti: “A do të hapet apo do të thyhet?” “Do të thyhet”- iu përgjigj Hudhejfe. “Meqë do të thyhet, atëherë është e pamundur që ajo të kthehet sërish në gjendjen e mëparshme”, tha Omeri i mbushur me pikëllim.

Njerëzit u habitën nga kjo bisedë dhe e pyetën Omerin për atë që dëgjuan.

“A e dini se kë simbolizon dera që mbron Islamin nga konflikti?”- u tha Omeri. “Kë?”- e pyetën ata. “Dera simbolizon Omerin; sapo të vdesë ai, mes muslimanëve do të shpërthejë konflikti”, u përgjigj Omeri. A mund ta imagjinoni një qënie të vetme njerëzore si derën që mbron muslimanët nga konflikti dhe mosmarrëveshja?

  1. Ali Ibn Talibi ishte vetëm 20 vjeç, kur iu kërkua të flinte në shtratin e Profetit (a.s). Ekzistonte mundësia që të vritej, por kur u pyet se si mundi të flinte atë natë, ai u përgjigj se ishte nata më e qetë që kishte patur ndonjëherë. Dhe pse e gjithë kjo? Sepse ai kishte një ëndërr të madhe për të realizuar!
  2. Muslimanët ishin të rrethuar në malin e Beni Talib për tre vjet. Ata nuk kishin çfarë të hanin tjetër veç gjetheve, madje edhe jashtëqitjet e tyre ishin si të bagëtive dhe të deveve. Sidoqoftë, asnjëri prej tyre nuk iu ankua apo nuk i tha Profetit  (a.s) “Mjafton me kaq. Unë nuk mund të vazhdoj më kështu, vetë mund ta duroj këtë gjendje, por jo fëmijët e mi”, sepse e dinin se ëndrra e tyre do të bëhej realitet.

4.      Gjendja e vështirë e familjes së Jaserit: Pavarësisht se Jaseri po mbytej, Sumeja ishte shpuar me shtizë dhe Ammari ishte djegur, ata të tre ishin të palëkundur falë fjalëve të thëna nga Profeti (a.s) “Bëni durim o familja e Jaserit, sepse juve u është premtuar parajsa”. Gjithashtu, ata ishin të motivuar nga fakti se muslimanët kishin nevojë për një rizgjim, i cili do ta çonte në këmbë të gjithë popullin.

Kur dikush është i pushtuar nga ëndrra e tij/saj, ajo ëndërr bëhet më e fortë se gjithçka tjetër, qoftë paraja, fëmijët, shtëpia, shpirti apo jeta. Kjo është çfarë na mungon neve, kjo është ajo që u mungon muslimanëve.

Më lejoni t’u tregoj sesi një ëndërr mund ta shtyjë njeriun të bëjë gjëra të pazakonta. 

Le të shohim për shembull se çfarë bënë muslimanët në betejën e El-Jemames: ushtria e Museileme mashtruesit dhe Benu Hanifes ishte shumë më e fortë se ajo e muslimanëve, që udhëhiqej nga Halid El-Uelidi. Muslimanët ishin duke pësuar disfatë; një numër i madh i tyre u vranë. Halid Ibn Uelidi nuk kishte ç’të bënte tjetër, përveç asaj që po bëjmë ne tani, thjesht u kujtoi muslimanëve ëndrrën e tyre dhe fuqishëm u tha: “O njerëz, kjo është një nga ditët e Allahut, ku nuk ka vend për kryelartësi dhe mburrje”. Duke patur një plan më mendje, shtoi: “O njerëz, sot mund t’i sillni lavdinë Islamin, përndryshe nuk na mbetet asgjë tjetër veç turpit”. Pastaj, u tha që të formonin fronte të veçanta (do të formonin fronte për emigrantët, përkrahësit, për ata që dinin suren El Bekare përmendësh, për ata që dinin suren Ali Imran përmendësh dhe për ata që e dinin përmendësh të gjithë Kuranin, e kështu me radhë), me qëllim që të merrnin vesh se kush do t’ia sillte lavdinë Islamit.    

Muslimanët filluan t’i thërrisnin njëri-tjetrit “O përkrahës”, O emigrantë, “O njerëz të Sures El-Bekare”, “O njerëz të sures Ali- Imran”, “O njerëz të Kuranit”, dhe kështu me radhë. Ushtria u zhvendos me qëllim që të veçonte ata që do t’i sillnin lavdinë Islamit dhe të tjerët që nuk do ta bënin këtë gjë. Mençuria e tij e pazakontë e ngriti moralin e njerëzve. Ai krijoi një ëndërr dhe i drejtoi ata drejt saj. Arsyeja pse po ua tregoj këtë është për t’ju provuar sesi një fjalë apo një mendim mund t’i shndërrojë njerëzit e mundur në një fuqi që bën mrekulli.

Atë ditë, Ammar Ibn Jaseri tha: “O njerëz të Kuranit, zbukurojeni Kuranin me veprat tuaja”. Të gjithë ata që e dinin Kuranin përmendësh u mblodhën rreth tij. Rreth 300 apo 500 vetë prej tyre ishin vrarë. Qindra e mijëra vetë nga Benu Hanife ishin fshehur në një kopsht me pemë. El-Bera Ibn Maliku u tha muslimanëve që ta bartnin me shtizat e tyre dhe ta hidhnin brenda kopshtit, kështu që do të mund ta hapte derën e tij. Ata i thanë të mos e bënte një gjë të tillë, sepse nuk do t’ia arrinte, por ai u përgjigj: “Pasha Allahun, do ta bëj këtë gjë që t’i tregoj Profetit (a.s) se isha unë. Dhe kështu vepruan, e vendosën atë mbi një mburojë, e ngritën me shtizat e tyre dhe e hodhën brenda në kopsht. Ai mori 60 plagë në të gjithë trupin, por prapë arriti të hapte derën dhe për më tepër, nuk vdiq atë ditë.

 

Një shembull tjetër është ai i papunësisë: Raporti i Bankës Botërore tregon se në vitin 2013, shkalla e papunësisë në botën arabe do të arrijë në 20 milion. Në parim, në mënyrë që të zgjidhet ky problem, duhet të ketë një ëndërr. Ka ide si ajo e Kanalit të Suezit, Rezervuari i Asuanit apo Dubai, të cilat kanë punësuar miliona njerëz. Sapo të kemi një ëndërr, të gjitha problemet që i konsiderojmë si të mëdha do të pakësosheshin.

 

Me qëllim që të ruani ritmin me ne në “Krijuesit e jetës”, ju duhet të keni tre karakteristika, që janë:

 

  1. Vullneti
  1. Sakrifica
  2. Durimi

 

A doni të jeni si Uthman Ibn Afani, i cili dha 100 deve kur Profeti (a.s) po rriste rezervat për ushtrinë? Profeti (a.s) e falënderoi atë dhe më pas pyeti: “Kush do të dhurojë tjetër?” Uthmani u përgjigj: “Unë do të jap 200 deve” dhe pastaj tha: “Do të jap 300 deve”. Atëherë, Profeti (a.s) tha: “Asgjë nuk do ta lëndojë Uthmanin pas kësaj vepre të mirë, çfarëdo që të bëjë ai”.

Ajo çfarë duhet të bëjmë është të sakrifikojmë paratë, kohën dhe përpjekjen.

Ne duhet të përpiqemi 10 herë më tepër sesa në fazën e kaluar. Duhet të bëjmë durim, të sakrifikojmë dhe të kemi vullnet.

A po kërkoni me të vërtetë të rizgjoheni apo doni të jetoni në fund të pusit përgjithmonë? Nëse kjo e fundit është ajo çfarë doni, atëherë rrini aty ku jeni! Por, nëse jeni të sinqertë dhe seriozë, atëherë punoni me ne dhe na mbushni me ëndrrat tuaja, duke mos përjashtuar asgjë që mund të mendoni se nuk do të funksionojë. Thjesht lëreni të lirë imagjinatën tuaj.

Këtë javë, ne do të jemi në pritje të mendimeve dhe përfytyrimeve tuaja. Javën që vjen do të ndalojmë në detajet e ëndrrave tuaja; do të veprojmë kështu edhe për dy javët në vijim, derisa të arrijmë formën përfundimtare dhe të fillojmë të punojmë. Po presim mijëra mendime dhe sugjerime nga të rinjtë dhe të rejat, biznesmenët, zonjat dhe fëmijët.

yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar


AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes