SUNAA’ AL-HAYAH
- KRIJUESIT E JETËS -
Episodi 19 Vendosmëria
Vendosmëria
Në emër të Allahut,
Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Paqja dhe rahmeti qofshin mbi Pejgamberin më bujar Muhammedin a.s. mbi familjen
e tij dhe mbi shokët e tij
Hyrje:
Mirë se vini në episodin e dytë të fazë së dytë të Sunaa Al
Hayah (Krijuesit e jetës). Pasi përfunduam fazën e parë (duke i falënderuar
Allahut) si dhe festimin e posaçëm në fund, javën e kaluar kemi filluar me
episodin e parë që ishte hyrje në fazën e “Ringjalljes”. Siç ju shpjegova, na
duhet një vëllim jashtëzakonisht i madh i rezultateve në këtë fazë.
Në fazën e parë ne i thyem prangat tona, mblodhëm 1.5 milion
thasë me rrobe të cilat tani janë duke u shpërndarë, themeluam projektin e
titulluar “Mbrojtësit e ardhmërisë” dhe mija të rinj dhe të reja punuan me ne me
përgjegjësi dhe në mënyrë pozitive. Të gjitha këto rezultate ishin të
mrekullueshme dhe janë arritur për një periudhë të shkurtër kohore dhe
njëkohësisht u çliruam nga shumë pranga që na pengonin me dhjeta apo qindra
vite. Zbuluam se suksesi është i mundur dhe i realizueshëm.
Faza e dytë është shumë e rëndësishme dhe titulli i tij është
shumë i madh; e ajo është fillimi i ringjalljes së ummetit mysliman. Kjo është
detyrë serioze dhe rezultatet e arritura në fazën e parë janë dëshmia më e mirë
e aftësisë sonë për të arritur sukses. Në dëshirojmë të ndryshojmë realitetin
tonë të hidhur nga nënçmimi në dinjitet të plotë, nga shkatërrimi ekonomik në
prosperitetin ekonomik, nga papunësia në punë dhe prodhimtari, dhe nga humbja e
identitetit në krenari që jemi myslimanë. Dëshirojmë të fillojmë një epokë të re
të suksesit për universitetet dhe sistemet e arsimit, organizatat jo-fitimtare,
organizatat shoqërore, dhe në fushën e përkthimit. Dëshirojmë të shndërrojmë
kulturën tonë nga ajo e lirë dhe pa shije në kulturë prijëse të rafinuar.
Ringjallja është fjalë jashtëzakonisht e madhe dhe për të
arritur qëllimin tonë, projekti “Krijuesit e jetës” duhet të jetë projekt shumë
praktik, siç e patë në fazën e parë ai nuk është vetëm bisedë e kotë ose
ligjëratë e padobishme.
Prandaj, ky dhe episodi paraprak shërbejnë për motivimin e
fuqishëm që do të na bëjë produktiv gjatë fazës së dytë, sikur energjia masive e
harxhuar e makinave të fuqishme që punojnë me kapacitetin maksimal që kërkohet
për ngritjen e aeroplanit. Ekziston mundësia që do të pushojmë pastaj dhe të
zvogëlojmë paksa këtë energji, por këtë nuk mund ta bëjmë tani, gjatë fazës së
ngritjes derisa aeroplani ende gjendet në pistë. Gjatë kësaj ngritjeje motorët
duhet të punojnë me kapacitetin maksimal, karburanti duhet të digjet sa më
shpejtë, aeroplani duhet të jetë në shpejtësinë e tij maksimale, pasagjerët
duhet të jenë të kujdesshëm dhe duhet të lidhin brezin, piloti dhe asistent i
tij duhet t’i kenë duart e tyre në timon; askush nuk guxon të flejë apo të
çlodhet. Kjo është faza e dytë dhe kjo kërkohet nga ju.
Kjo që po flas kërkon aplikimin aktual dhe Allahut i
falënderohemi që fillimi i kësaj faze përputhet me fillimin e pushimeve verore.
Dëshiroj të pyes rininë: çka do të bëni gjatë verës? Përpjekjet që kërkojmë nga
ju janë të jashtëzakonshme na duhet përpjekja maksimale e secilit nga ju që të
mund të ngrihemi meqë kjo është e vetmja mënyrë për ringjalljen.
Të rinjtë dhe të rejat që morën pjesë në grumbullimin e 1.5
milion thasë rrobesh, burrat dhe gratë që morën pjesë në fushatën kundër duhanit
dhe drogës, dhe të rinjtë që morën pjesë në iniciativën “Mbrojtësit e
ardhmërisë” duhet të vazhdojnë të punojnë me ne, përndryshe projekti ynë nuk do
të ketë kurrfarë dobie. Ne nuk dëshirojmë të mbesim në fund, ne dëshirojmë të
lëvizim dhe të ngrihemi.
Episodin e sotshëm e konsideroj si nisje të motorit, meqë kjo
fazë e lëvizjes kah ringjallja do të zgjasë katër muaj dhe kërkon njerëz tejet
të kujdesshëm. Prandaj në episodin e sotshëm më duhet të filloj me cilësinë e
titulluar “vendosmëria”.
Shembujt se pse kjo është me rëndësi
Për të arritur sukses në këtë projekt, na duhet vendosmëri e
jashtëzakonshme e ngjashme me atë të Pejgamberit a.s. i cili, pavarësisht nga të
gjitha pengesat, kishte zakon të përpiqej shumë. Bota sillej rreth tij kur ishte
pesëdhjetë vjeçar, pas vdekjes së xhaxhait së tij Ebu Talibit, vdekjes së gruas
së tij Hatixhes, dhe rezistencës së jobesimtarëve, e cila sa shkonte e shtohej,
të cilët bile tentuan të vrasin pasi refuzuan të pranojnë islamin. Pa marrë
parasysh gjithë këtë, ai eci 100 km nga Mekka në Taif e kjo është sa distanca në
mes të Kairos dhe Tantës apo Kairos e Vadi El Natrun. Përse e bëri këtë? Meqë
ndjeu se mesazhi i islamit është shumë i çmueshëm; ai nuk u lodh e as që u
mërzit meqë dinte se mesazhi ishte tepër i rëndësishëm. Kur arriti në Taif, ai
nuk u mirëprit. Situata ishte aq e vështirë sa që do të mposhtte vendosmërinë e
secilit. Një udhëheqës i tha: “Unë do të shkul mbulojën e Ka’bes po që se me të
vërtetë të ka dërguar Allahu”. I dyti tha: ”A thua Allahu nuk pati tjetër kë
përveç teje?”. I treti tha: ”Nëse ti vërtetë je Pejgamber, atëherë mua nuk më ka
hije të flas me ty, e nëse nuk je, ti gënjen për Zotin, atëherë as që duhet të
flas me ty”. Provoni të paramendoni çka ndodhte me vendosmërinë e tij gjatë
kësaj. Pastaj ai tha: “Nëse refuzoni të më ndihmoni, së paku mos i tregoni
Kurejshëve se kam ardhur të kërkoj ndihmën e juaj kundër tyre”. Ata u
përgjigjën: “Betohemi në Allahun se do t’u tregojmë atyre dhe se do të dërgojmë
njerëz për t’i informuar se ke ardhur që të kërkosh ndihmën tonë kundër tyre”.
Pejgamberi a.s. tha: “Nëse nuk e pranoni asnjërën atëherë më lejoni të shkoj”.
Ata thanë: “Jo përderisa t’i grumbullojmë njerëzit që të të gjuajnë me gurë”.
Dhe njerëzit filluan të gjuajnë gurë në të. Profeti juaj i dashur u gurëzua që
ju të jeni myslimanë dhe që kjo ringjallje të fillojë. Ky është lloji i
vendosmërisë e cila na nevojitet sot e asgjë më pak.
Me këtë rast, Pejgamberi a.s. ishte i shoqëruar nga Zejd Ibn
Harith i cili e mbronte fortë Pejgamberin a.s. kështu që shumica e gurëve i ranë
atij derisa koka e tij u mbulua me gjak, ndërsa Pejgamberi a.s. vraponte mbi
gurë me këmbët e përgjakura derisa e gjeti një kopsht të vogël për t’u fshehur.
Sapo hyri në kopsht, para se të kujdesej për plagët e tija, ai ngriti duart kah
qielli me vendosmëri ekstreme që të vazhdojë me misionin e tij. Ai i lut Allahut
me fjalët: “O Zoti im, të lutem të më japësh fuqi, dhe të më nxjerrësh nga kjo
situatë tejet e rëndë në të cilën gjendem. Të lutem të më mbrosh nga poshtërimi
njerëzor,O më i Mëshirueshmi! Ti je Mbrojtës i të dobëtëve. Ti je Mbrojtësi im.
Të lutem, mos më lër në mëshirën e të huajve, të cilët më pritën armiqësisht. O
zoti im, mos më lër në duart e tyre!O Krijuesi im, nëse Ti nuk je hidhëruar në
mua, atëherë nuk mërzitem për të të gjitha këto vuajtje. Kujdesi yt ndaj meje
është tejet i madh, i mbështetem dritës së fytyrës Sate, me të cilën e ke
shpërndarë errësirën dhe me ndihmën e të cilës qeveris me këtë botë dhe me botën
e ardhshme, dhe të lutem hiqe hidhërimin Tënd nga unë! Më pajis me mëshirën
Tënde gjersa nuk arrij kënaqësinë Tënde. Askush nuk ka fuqi dhe forcë, përveç
Teje!”
Kjo është vendosmëria e jashtëzakonshme për të cilën po flas.
Pastaj meleku i maleve iu afrua Pejgamberit a.s. e i tha: “Nëse dëshiron mund
t’i rrëzoj këto dy kodra mbi ta, vetëm thuaj?” Por Pejgamberi a.s. u përgjigj
“Jo, ndoshta Allahu do të sjellë nga fëmijët e tyre dikë që do të adhurojë Atë”
Ai mendonte dikë si ...ju
Dëshiroj që të ecni me mua një distancë si të Maratonës: 42 km.
Kjo do të dëshmojë se jeni duke vazhduar me mua dhe se i keni hipur aeroplanit.
Këtë do ta bëjmë këtë javë, edhe nëse e ndani këtë distancë në 7 pjesë dhe ecni
6 km në ditë. Profeti i juaj ka kaluar një distancë më të madhe se kjo kur shkoi
në Taif. Kërkojmë të keni vendosmëri sikur të Pejgamberit a.s. Thoni vetes: ”Jam
duke e bërë këtë sikur Pejgamberi a.s. dhe qëllimi im është të forcoj
vendosmërinë time. Gjatë ecjes do të mendoj për cakun tim të jetës dhe si mund
të merrni pjesë në ri-zgjimin islam”. Kjo është arsyeja e dytë për ecje: që të
mendoni. Pyetja është e thjeshtë: A mendoni të lironi vendosmërinë e juaj të
brendshme në botë apo jo?
Kërkojmë vendosmëri të ngjashme me atë të Omer Ibn Hatabit i
cili u shpua nëntë herë deri sa qumështi i cili iu dha të pinte derdhej nga
plagët e tij, por pak para se të vdiste ai ngriti kokën dhe pyeti: “A janë falur
njerëzit?”. Pastaj u ngrit dhe iu drejtua myslimanëve duke thënë: “Kush do të
dëshmojë para Allahut në Ditën e Gjykimit se i kam përmbushur obligimet e mia
ndaj myslimanëve?” Ibn Abasi tha: ‘Unë do të dëshmoj për këtë”. Atëherë Omer Ibn
Hatab i tha: “A betohesh se do të bësh këtë apo je duke thënë këtë vetëm për të
më kënaqur?” Ibn Abasi u përgjigj: “Betohem se do të dëshmoj”. Pastaj Omeri tha
“Tani Omeri është qetësuar”
A e dini kujt i përngjan krijuesi i jetës apo ai i cili punon me
ne? I ngjan alpinistit. Trajneri i alpinistit i thotë atij në shkëmbin që
ngjitet të vejë duart e tij e jo sytë, sepse nëse e bën këtë ai dështon. Sytë e
tij duhet të përqendrohen në cakun e tij, në shkëmbin vijues, përderisa duart e
tij janë në shkëmbin e poshtëm. Në këtë mënyrë duart e tij do të shkojnë
automatikisht te shkëmbi i sipërm meqë sytë e tij veçqë e kanë memorizuar
pozitën e tij. Nëse duhet të ngjiteni në mal, çka është kënaqësia e kësaj? A
është kjo të mbërriturit në maje? Jo është vetë aktiviteti i ngjitjes. Prandaj
ai që ngjitet në kodër dallon nga ai i cili ngjitet në piramidë i cili dallon
nga ai që ngjitet ne Mont Everest i cili po ashtu dallon nga ai që merr pjesë në
rizgjimin islam.
Motoja e alpinizmit është: ‘Kurrë mos shiko poshtë sepse do të
rrëzohesh” dhe unë ju them po të njëjtën gjë. Mos shikoni në realitetin e
tanishëm të myslimanëve duke thënë “nuk do të ketë sukses”. Një alpinist me
përvojë, edhe përkundër trajnimit të gjatë, u rrëzua meqë shikoi poshtë.
Prandaj, përsëri them – harroni realitetin e dhimbshëm dhe përqendroni sytë e
juaj kah ringjallja dhe si mund të arrihet ajo përmes episodit të sotshëm.
Receta e vendosmërisë
Vendosmëria është diçka në brendinë e juaj të cilën vetëm ju
mund ta forconi, e kur ta bëni këtë, ajo mund të ju shndërrojë në person tjetër,
meqë krijohet energji e jashtëzakonshme brenda jush.
Myslimanët në kohën e Pejgamberit a.s. ishin në numër më pak se
armiqtë e tyre gjatë betejave të ndryshme saqë logjikisht nuk ishte i mundur
triumfi tyre për shkak të numrit.
Çdo njeri posedon fuqi të njëjtë të brendshme. Por ajo që ju
dallon është aftësia e juaj që të lironi këtë fuqi dhe të lejoni atë të përzihet
me çdo pjesë dhe çdo qelizë të trupit të juaj derisa në sytë e juaj të shfaqet
vendosmëria e shpirtit tuaj dhe aftësia ë juaj për të punuar ditë e natë. Është
kjo një nga mrekullitë e Allahut xh.sh. me të cilën i bekoi njerëzit siç thuhet
ne Kur’anin famëlartë: “E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t'i
japë atij shpirtin që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde".15:29
A ekziston diçka e posaçme që mund të lirojë vendosmërinë e juaj
të brendshme? Po. Receta për të cilën do të flas është përdorur nga Pejgamberi
a.s. për të nxitur shokët e tij dhe është recetë e cila shfrytëzohet si nga
shtetet ashtu edhe nga individët. Kushdo që përdor këtë recetë do të jetë
produktiv. Receta është si vijon: duhet të keni një synim dhe aftësi të
paramendoni detajet e këtij synimi. Kjo është vendosmëria: të mishëroheni me
synimin e juaj dhe të parafytyroni hollësitë më të imta të saja. Thoni p.sh.
“Kur të bëhem ministër i arsimit, do të bëj këtë dhe këtë në sistemin e
edukimit” ose “kur të bëhem menaxher i kësaj kompanie, do të bëj këtë e këtë”
ose “kur të fitoj këtë kampionat do të bie ne sexhde Allahut dhe do të bëhem
shembull i myslimanit të edukuar” në këtë mënyrë ëndrra fillon të depërtojë në
imagjinatën e juaj duke liruar vendosmërinë.
Shumë njerëz nuk kanë synime me të cilët do të fillonin ose janë
shumë të frikësuar të ëndërrojnë, për të mos jetuar në botën e imagjinuar.
Ekziston vija e qartë dalluese në mes të të jetuarit në ëndrra dhe ëndërrimit të
synimit; kjo vijë është aftësia e shndërrimit të ëndrrës në punë të rëndë.
Receta e vendosmërisë fillon me ëndrrën që dominon mendjen, p.sh. kur pjesëtarët
e ekipit futbollistik thonë “ne do të fitojmë kampionatin”. Kjo rezulton me
lirimin e forcës së jashtëzakonshme.
Cila ishte fara që Pejgamberi a.s. mbolli te shokët e tij për
t’i aftësuar ata të bëjnë këto vepra të jashtëzakonshme? Ishte kjo aftësia e
parafytyrimit të xhenetit. Ndërdija nuk bën dallim në mes të fantazisë dhe
realitetit. Prandaj, nëse e bindni ndërdijen me ndonjë ide, ajo do ta pranojë
atë si realitet.
Pejgamberi a.s. njëherë thirri një shok të tij që quhej Abdulla
Ibn Anis dhe kërkoi nga ai të kryejë një detyrë të vështirë që kërkonte ecjen e
distancës së madhe. Abdullahu e bëri këtë dhe u kthye te Pejgamberi a.s. i cili
e pyeti: “Çka ke bërë?”. Abdullahu u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, ia
dola”. Pejgamberi a.s. i tha: ”Më prit të të shpërblej”. Pastaj Pejgamberi a.s.
hyri në shtëpinë e tij, doli me një shkop në dorë dhe ia dha Abdullahut i cili e
pyeti “Çka është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi a.s. u përgjigj “Merre
këtë dhe ma kthe në Ditën e Gjykimit dhe unë do të të shpie në xhenet” Abdullahu
tregon se e ka marrë shkopin dhe kurrë nuk është ndarë nga ajo gjatë gjithë
jetës, ditë e natë, derisa edhe kërkoi që të varroset me të që të mund të takojë
Pejgamberin a.s. me të ne Ditën e Gjykimit.
Një herë tjetër Pejgamberi a.s. takoi një shok të tij që quhej
Harith dhe e pyeti “Harith si u gdhive” Harithi u përgjigj “O i Dërguari i
Allahut, u gdhiva si besimtar i vërtetë”. Shikoni këtë fillim të këndshëm dhe
krahasoni atë me veten tuaj kur zgjoheni të shqetësuar dhe të mërzitur.
Pejgamberi a.s. e pyeti “Pas çdo gjëje ekziston një e vërtetë, prandaj cila
është e vërteta pas imanit tënd?” Harithi u përgjigj “U zgjova sikur isha në
gjendje të paramendoj Fronin e Allahut; sikur isha në gjendje të shoh besimtarët
duke hyrë në xhenet dhe të ligët duke bërtitur në xhehenem, prandaj u ngrita mbi
jetën e kësaj botë; unë ri zgjuar gjatë natës (duke u falur) dhe ri i etur në
mëngjes (duke agjëruar)”. Në këtë mënyrë lirohet vendosmëria.
Një shembull tjetër është ashabi me emrin Samra Ibn El Akva i
cili ishte vrapues i shkëlqyeshëm i cili nuk kishte kalë. Njëherë rinte ulur me
Pejgamberin a.s. i cili ishte duke biseduar për taktikat ushtarake me disa nga
shokët e tij kur vunë re një spiun i cili largohej pasi i kishte dëgjuar.
Pejgamberi a.s. tha “Kush ma sjell këtë njeri, do të hyjë në xhenet”. Shikoni se
si kur përmendej xheneti, lirohej vendosmëria. Tre vetë u ngritën, i pari me
devenë e tij, i dyti me gomarin e tij dhe i treti ishte Samra i cili nuk kishte
kafshë për të kalëruar, por ai i tha vets “Xheneti është në pyetje”. Këta të tre
filluan të ndjekin spiunin. Samra rëfen se filloi të vrapojë derisa tejkaloi
njeriun me gomar dhe pastaj tejkaloi edhe atë me deve, kur filloi të lodhej dhe
sapo ishte duke u dorëzuar ai i tha vetes “Xheneti është në pyetje” prandaj
vazhdoi të vrapojë por nuk mundi të kapë spiunin. Ai i tha përsëri vetes
“Xheneti është në pyetje” dhe vrapoi edhe më tutje edhe pse spiuni u zhduk nga
pamja e tij. Ai vazhdoi të vrapojë derisa e pa spiunin se po ndalej të pushonte.
Ai e zuri atë dhe i tha “Eja me mua sepse ti je xheneti im”
Kjo është domethënia dhe kjo është ajo që
dëshiroj që ju të keni – vendosmëri shumë të fortë. Paramendoni xhenetin kur
mendoni për ambicien e juaj. Pastaj pyetni veten se çka dëshironi të bëheni pasi
ta realizoni atë? Pronar i kompanisë më të madhe ndërkombëtare në domenin e
caktuar? Mos harroni se do të ishit konkurrent i kompanive ndërkombëtare e në të
njëjtën kohë do të ishit mysliman krenar. Kjo do të ishte mirë për shtetet tona
dhe të gjithë myslimanët. Secili në perëndim dhe në shtete arabe do të dinte për
prodhimet e juaja. Do të punësonit mija njerëz etj. Përjetoni çdo hollësi të
ambicies tuaj, mundohuni ta ndieni se është realitet e jo ëndërr. Kur të bëni
këtë do të jeni të inkurajuar të luftoni që të realizoni ëndrrën e juaj.
Pejgamberi a.s. shfrytëzonte imazhin e
xhenetit si përforcues të vendosmërisë së besimtarëve. Ishte dita e betejës së
Bedrit. Myslimanët ishin të paktë në numër ndërsa jobesimtarët ishin shumë.
Myslimanët ishin të dobët ndërsa jobesimtarët ishin të fortë. Vendosmëria e
myslimanëve ishte e vetmja forcë që Pejgamberi a.s. mund të përdoret që ti
kundërvihet forcës së jobesimtarëve. Prandaj Pejgamberi a.s. tha “Shkoni në
xhenet gjerësia e së cilës është sa qiejt dhe toka”. Vendosmëria e besimtarëve
filloi të rritej me shpejtësi. Amr Ibn El Hamam pyeti “O i Dërguari i Allahut,
xheneti është i gjerë sa qiejt dhe toka?”. “Po u përgjigj Pejgamberi
a.s.”Shpresoj se unë do të jem nga banorët e xhenetit”. Pejgamberi a.s. tha “Ti
je njëri nga banorët e saj”. Myslimanët fituan betejën dhe Amr Ibn El Hamam ra
shehid.
Episodi i sotshëm kërkon që të shikoni çdo
hollësi të ambicies së juaj dhe ngjashëm me këtë të përqendroheni në xhenet.
Qëllimi ynë final është që të kemi rilindje jo vetëm për hir të rilindjes por
për hir të Allahut, Zotit tonë. Ndoshta ju keni ambicie të jeni pronar i
kompanisë më të madhe në botë por qëllimi përfundimtar është që Allahu xh.sh. të
jetë i kënaqur me ju, rilindjen për myslimanët dhe për islamin.
Ajo që do të ndodhë është se në mendjen e
juaj do të krijohen dy imazhe. Këto dy imazhe do të prodhojnë vendosmërinë e
juaj të fortë. Pejgamberi a.s. nuk ishte i vetmi që përdori këto mjete. Amerika
është njëra nga to për shembull. Në fillim aspirata e Amerikës ishte që të
shkojë në hënë. Natyrisht, kushdo që ka sugjeruar këtë i pari, konsiderohej i
marrë. Por, përpjekjet vazhduan për të shkuar në hënë, dhe për të vënë flamurin
e Amerikës në sipërfaqen e saj. Kur Pejgamberi a.s. shikonte hënën, ai thoshte
“Allahu është zoti im dhe i yti” Prandaj rilindja është pjesë e jona si
myslimanë.
Po ashtu dëshiroj të shtoj se aftësia e
parafytyrimit të hollësive të planit tuaj është shenjë e parë e vendosmërisë së
fortë që keni. Pejgamberi a.s. ishte serioz kur përdorte idenë e xhenetit që të
përforcojë vendosmërinë e myslimanëve. Ai dinte se disa nga besimtarët ende
kishin iman të dobët. P.sh. sikur Saraka i cili tentoi të vriste Pejgamberin
a.s. por kur iu afrua, nuk mundi ta bëjë këtë.
“Më jep diçka” e urdhëroi Pejgamberin a.s.
“Të premtoj byzylykun e Kusarit” tha
Pejgamberi a.s.
“Kush është Kusari?” pyeti Saraka.
“Kusari është mbreti i kalorësve” iu
përgjigj Pejgamberi a.s. me vendosmëri sa që Saraka i besoi. Pastaj kërkoi nga
Pejgamberi a.s. të shkruante premtimin e tij. Pejgamberi a.s. tha “ Shkruaj, o
Ebu Bekr atë që i thashë”. Ky njeri ende nuk ishte besimtar.
Vitet kalonin dhe Pejgamberi a.s. vdiq. Në
fund Omer Ibn Hatab hapi thesaret e Kusarit. Ai mori byzylykun e Kusarit dhe tha
“O ju njerëz, ambiciet bëhen për t’u realizuar. Ku është Saraka Ibn Malik? Eja
Saraka merre byzylykun e Kusarit” Atëherë të gjithë të pranishmit në xhami
filluan të qajnë dhe thanë “Shikoni, Muhammedi a.s. besnik dhe i besueshëm ka
thënë të vërtetën para 20 vjetësh”
Fjala rizgjim nuk është e jona; ajo rrjedh
nga Allahu xh.sh. kur u premtoi myslimanëve në Kur’an:
“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe
bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues”
24:55
Prandaj rilindja ekziston. Por si mund
dikush ta arrijë atë? Episodi i sotëm është qelës i vendosmërisë së fortë.
Një i ri iu afrua Pejgamberit a.s. e i tha
“Më lejo të veproj zina” (Dëgjoni me kujdes se çka i tha Pejgamberi a.s.). “A do
të lejoje ti zinanë për nënën tënde?” pyeti Pejgamberi a.s.
“Jo” u përgjigj i riu.
“A do të lejoje për tezen tënde”
“Jo”
“A do të lejoje për motrën tënde”
“Jo”
Pastaj Pejgamberi a.s. tha: “Njerëzit nuk
donë që vajzave të tyre t’u ndodhë ajo që ti nuk dëshiron për nënën dhe motrën
tënde” Pastaj njeriu tha “Pasha Allahun, prej sot e tuje nuk do të bëj më zina”
Vëreni se si Pejgamberi a.s. ndryshoi
mendimin e këtij të riu për gjysmë minute. I riu parafytyroi fotografitë e
njëpasnjëshme në mendjen e tij dhe nuk i pëlqeu ajo që pa. Prandaj ai refuzoi
idenë si të tillë dhe ndryshoi mendimin e tij përgjithmonë. Prandaj, po të
parafytyronit p.sh. fotografinë e shëmtuar të juaj duke pirë duhan, ju do të
braktisnit duhanin.
Ka shumë shembuj që ndodhin te njerëzit
tanë. Mundësia e të pasurit të ambicies dhe të parafytyrimit të hollësive nuk
është teorike. Ne kemi shembuj të gjallë të njerëzve që kanë pasur ambicie dhe
kanë qenë të suksesshëm në realizmin e saj. Tani do të njoftohemi me ta:
- Para tre dite
lexova në një revistë saudiane se Alije Ghanim ishte personi që ka kryer
shkollën e mesme me nota 100% dhe ishte më e mira në Arabinë Saudite. Ajo
kishte shikuar episodin “caktimi i qëllimit në jetë” dhe kishte vendosur që
ta aplikojë atë në jetën e saj personale. Prandaj vuri një ambicie në mendje
dhe e realizoi atë. Ajo është këtu me ne
“Arrita të marr
notën më të lartë në shkollën e mesme. Nëna më thoshte gjithnjë se myslimani i
vërtetë nuk dështon por gjithnjë arrin sukses. Fillova të mendoj për mënyrën si
do të arrij sukses dhe i pyeta disa njerëz që ishin me mua. Njëra nga ta më tha
se kurrë nuk kishte hasur në mysliman të suksesshëm në jetën e saj. U mendova...
ajo e thotë këtë për mua sepse edhe unë jam myslimane dhe kjo nuk është e mundur
sepse myslimani i vërtetë nuk mund të dështojë. Pastaj gjatë episodit të
“përcaktimit të qëllimeve në jetë”shënova ambicien time më reale e cila ishte të
arrij notën më të lartë në shkollën e mesme dhe njëkohësisht ta kënaqi Allahun
xh.sh. pastaj planifikova se çka duhet bërë që të realizoj ambicien dhe i thashë
vetes se duhet të mësoj shumë, të kem shpresë të madhe, të jem optimist dhe të
mbështetem te Allahu xh.sh. Kur morra vesh për rezultatin, nuk më besohej. E
pranoj se kisha disa momente kur imani im dobësohej dhe mendoja si mund të jem
unë më e mira nga 17 milion njerëz në Arabinë Saudite? Pastaj forcova
vendosmërinë time dhe lexova atë që kisha shënuar: nëse nuk arrij notën më të
lartë d.m.th. se kam dështuar. Çdo qenie njerëzore mund të realizojë ambiciet e
tij nëse punon shumë për të arritur atë”
Qëllimet e Alijes në
jetë ishin:
- Të bëhet e para
në vend duke pasur besim dhe lojalitet të plotë në Allahun xh.sh.
- Të zbulojë ilaçin
për kancer
Nëse do Allahu, ajo do
të realizojë qëllimin e saj të dytë ashtu si e ka realizuar të parin.
- E kam edhe një
shembull këtu. Një i ri i cili që kur ishte fëmijë kishte qëllim në jetë.
Tani është 31 vjeçar dhe e ka realizuar qëllimin e tij. Ai është shembull i
mirë i ringjalljes islame. Emri i tij është Ahmed Muharem.
“Zakonisht dëgjoja
pyetjen tipike për fëmijën e vogël: çka dëshiron të bëhesh kur të rritesh? E
kisha zakon të lexoja për kompjuterët. Kjo ishte gjatë viteve të 80-ta, dhe
njerëzit me thoshin se bisedat për kompjuterët janë të pavlefshme. U regjistrova
në Universitetin Mansura në Fakultetin Komercial. Fakulteti i Teknologjisë
gjendej përballë fakultetit tim. Prandaj ndiqja ligjëratat e Fakultetit të
Teknologjisë për të cilat mendoja se do të më duhen më vonë. Pastaj fillova t’i
ndihmoj studentët e Fakultetit të Teknologjisë në lëndën e programimit. Më
vonë,kërkuan nga unë të riparoj disa programe të fabrikave të tekstilit që ishin
importuar nga jashtë meqë isha duke jetuar afër tyre. Në vazhdim, vendosa të
krijoj programe të reja dhe më të mira dhe natyrisht u ballafaqova me refuzim
meqë kërkohej një numër i madh i njerëzve dhe shumë para. Mirëpo unë qëndrova në
shtëpi 6 muaj duke tentuar të krijoj një program të ri që do të zëvendësojë ato
të importuara. E bëra programin e ri dhe pronari i fabrikës kërkoi nga unë që ta
provoj në fabrikën e tij. Pas gabimeve të shumta, programi arriti sukses.
Zëvendësonte një nga programet më të suksesshme të importuara që vërtetoheshin
nga kompanitë ndërkombëtare që krijojnë programe të tilla. Pastaj, fituam
shpërblimin e parë të tekstilit nga Shoqata e Industrive Arabe në mesin e shumë
kandidatëve ku disa prej tyre ishin profesorë të universitetit. Po ashtu fituam
shpërblimin e dytë për “sigurinë e dokumentit” dhe shpërblimin e tretë që ishte
shpërblimi ndërkombëtar për web faqen më të mirë të programeve private që
kontrollojnë makinat industriale. Qëllimi im i tanishëm është të përfundoj
magjistraturën ne fushën e “kontrollit” dhe të punësoj një grup hulumtuesish që
kanë qëllime për avancim dhe të kemi një qëllim të përbashkët që p.sh. pas 10
vjetësh të kemi sistemin më të mirë të pastrimit të ujit në tërë Botën Arabe”
- Video spoti
vijues tregon shembullin tjetër se si vendosmëria dhe vullneti i fortë është
i lidhur me planifikimin e hollësive se si duhet arritur një qëllim.
Ka të bëjë me një
njeri qëllimi i të cilit që nga rinia e tij ishte të ndërtojë një fortesë të
ngjashme me kështjellat me suvenire që do ti lenin njerëzit e që do të ishte
burim i mirë i parave. Në orët e artit në shkollë ai vizatonte planin e tij në
letër. Mësuesi i tij e pa duke vizatuar dhe i tha se duhet të ketë një plan
realist. Ai i premtoi vetes se do të ndërtojë këtë fortesë. Ky tregim i ngjan
atyre të Ahmed Muharemit dhe Alijes, dhe është e njëjtë me atë që bëri
Pejgamberi a.s. Ai ka parime të njëjta që kurrë nuk ndërrohen – për të arritur
qëllimin tuaj në jetë, të gjitha mendimet e juaja duhet të jenë të okupuara me
planifikimin e saj.
‘Fortesa e Musës’ tani
është një nga atraksionet më të mëdha në Liban. Edhe kur ishte shumë i varfër,
ku njeri arriti sukses. Ai besonte se nëse dikush ka vendosmëri të fortë, asgjë
nuk mund ta ndalojë që të arrijë atë çka dëshiron.
Prandaj, tre ide duhet
të preokupojnë mendjen tonë: ringjallja, qëllimi i juaj në jetë (që ndihmon
ringjalljen) dhe xheneti.
Pejgamberi a.s. na ka
mësuar një lutje që recitohet tri herë në ditë. Është kjo lutje që duhet të
lexohet në mëngjes dhe në mbrëmje. Kjo lutje ju ndihmon që të jeni në vazhdën e
mendimit.
“Allahu im, kërkoj
mbrojtje tek Ti nga paaftësia dhe përtacia, nga frika, pafuqia dhe koprracia
nga borxhet e rënda dhe nga dominimi i njerëzve”
Plani i kësaj jave:
Është i njëjtë me
planin e javës së kaluar që është ecja e 42 km. Ajo ishte provë. Nëse dëshironi
vendosmëri të fortë, ecni 42 km gjatë një dite. Unë kam provuar 5 herë. Tre herë
gjatë haxhit nga Meka në Mine, pastaj prej Mines në Arefat, pastaj prej Arefatit
në Muzdelife, nga Muzdelife në Mine dhe nga Mina në Mekke. Kjo distancë është
përafërsisht 42 km. Përse nuk e provoni edhe ju? Esma bint Ebi Bekr ka kaluar
këtë distancë duke qenë shtatzënë. Bëjeni këtë me nijet të trajnimit të
vendosmërisë së juaj. Pastaj thoni “Allahu është dëshmitar se kam marrë pjesë në
“krijuesit e jetës” dhe kam ndihmuar ringjalljen e islamit”. Pastaj na dërgoni
mesazh në web faqe ose na telefononi dhe na tregoni se a keni kaluar këtë
distancë për njëherë apo për 6-7 ditë. Është me rëndësi të na tregoni se çka
keni bërë që të dimë numrin e atyre që kanë marrë pjesë me ne.
Mund të ecni vetë apo
me shokë, kur është nxehtë apo gjatë natës, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që është me
rëndësi është të bëni një plan të cilit do të i përmbaheni duke përfshirë edhe
dhikrin (përkujtimin e Allahut). Ambicia e juaj do të preokupojë mendjen tuaj
krahas ndryshimeve fizike që do të përjetoni në trupin tuaj.
Burrat dhe gratë e
moshuar mund të kalojnë këtë distancë gradualisht si p.sh. një orë ecje prej 6
km për 7 ditë që do të thotë 42 km. Ndoshta për të moshuarit kalimi i 42 km
përnjëherë është i vështirë.
Edhe fëmijët mund të
ecin me shokët e tyre ose me prindërit e tyre. Mjekët zbuluan se sporti më i
mirë që shton forcën është ecja në distanca të mëdha. Dëshirojmë që mijëra
njerëz të ecin dhe të na tregojnë se kanë arritur sukses.
Me ne është një njeri
shumë i dashur për mua, për egjiptasit dhe për Botën Arabe. Kapiteni Abdulaziz
Abdel Shaferi është këtu. Abdulazizi ka për të na thënë diçka të rëndësishme
lidhur me vendosmërinë dhe vullnetin e fortë.
Ai tha se ekzistojnë
përbërësit e ndryshëm për të arritur sukses në çdo punë. Në sport apo aktivitete
përbërësit që përcaktojnë suksesin janë ato fizike, artistike dhe arsimore,
krahas talentit individual. Por këta përbërës janë të pavlefshme pa aspektet që
forcojnë vendosmërinë e juaj. Këto aspekte krijojnë aftësinë për të rezistuar,
për të qenë i durueshëm dhe për të kontrolluar veten kur të ballafaqoheni me
turmën dhe konkurrencën e fortë. Konkurrenca e fortë po ashtu krijon rezistencën
fizike dhe emocionale. Fitorja vjen gjithmonë pas durimit. Abdulazizi po ashtu
beson se imani është aspekt tjetër i rëndësishëm për arritjen e aspiratave të
juaja.
Kemi arritur në fund
të episodit të sotshëm. Shpresoj që plani i kësaj jave do të realizohet. Në
fund, besoj se na duhet përpjekje dhe vendosmëri jashtëzakonisht e madhe meqë
jemi në procesin e krijimit të fillimit të ringjalljes islame.
Ju faleminderit. Paqja dhe rahmeti i Allahut qoftë mbi ju.yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar