Episodi 15 Vlera e kohës



 

SUNAA’ AL-HAYAH

- KRIJUESIT E JETËS -

Episodi 15     Vlera e kohës

 

Vlera e kohës

 Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Paqja dhe rahmeti i tij qofshin mbi Pejgamberin e tij, Muhammedin a.s.

 

Tani më jemi duke iu afruar fundit të fazës së parë të projektit tonë. Deri tash kemi biseduar për shumë pranga që na pengojnë. Kemi filluar të çlirohemi nga to dhe shumë njerëz ia dolën të bartin përgjegjësinë.

 

Në fillim të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të asaj çka shpresojmë të arrijmë në këtë program.

 

  1. Krijimin e gjeneratës së njerëzve që kanë rol të dobishëm dhe produktiv në bashkësitë e tyre.
  2. Nxitjen e shpresës dhe optimizmit tek rinia.
  3. Rritjen e aftësisë për të qëndruar në rrugën e Allahut xh.sh dhe për t’i bërë ballë mëkateve.

 

Qëllimi i dytë është shumë i rëndësishëm. Patjetër duhet që të zëvendësojmë depresionin dhe dështimin me shpresë për sukses, sepse njerëzit në depresion kurrë nuk mund të arrijnë ringjallje. Na duhet shpresa dhe optimizmi. 

 

Pejgamberi a.s. kryesisht përqendrohej në këtë qëllim vendimtar. Gjatë betejës së Hendekut, Medina qe e rrethuar nga 10.000 mushrikë. Myslimanët filluan të gropojnë një hendek rreth e përqark Medinës nga të gjitha anët, pos nga ana në të cilën jetonin çifutët me të cilët kishin një marrëveshje mbi mbrojtjen. Kur u përhapën thashethemet se çifutët kishin thyer marrëveshjen, Pejgamberi a.s. dërgoi Sad Ibn Muadhin tek ata dhe i tha: “Shko te Benu Kurejda dhe mundohu që të kuptosh a janë të sakta lajmet se çifutët kanë thyer marrëveshjen. Nëse del që ende janë duke respektuar marrëveshjen atëherë eja tek unë në xhami derisa jam me njerëzit e tjerë dhe thuaje atë me zë të lartë për të ngritur moralin e myslimanëve. Nëse del se ata kanë thyer marrëveshjen, mos e thuaj atë por më jep një shenjë ashtu që vetëm unë të marr vesh dhe askush tjetër.

 

E shihni se si Pejgamberi a.s. ishte i kujdesshëm për ngritjen e moralit të popullit? Më pastaj Muadhi i dha shenjë dhe Pejgamberi a.s. tha: “Allahu ekber, Allahu ekber – Allahu është më i madhi”. Me këtë ai mbajti lartë moralin meqë dinte se e vetmja rrugë kah fitorja është nëpërmes të moralit të lartë.

 

Të gjithë popujt që kanë arritur sukses e bënë këtë vetëm në saje të moralit të lartë. P.sh. në fillim të shekullit njëzet Kina ishte një shtet i varfër, injorant dhe i pazhvilluar. Në vitet e njëzeta ishte viktimë e vërshimeve dhe tërmeteve të shumta që shkaktuan shkatërrim katastrofik. Gjatë viteve të dyzeta, Kina pësoi luftë të egër civile. Por në vitet e pesëdhjeta, Kina vendosi të zgjohej. Gjatë tridhjetë viteve, ajo u bë një nga superfuqitë. Udhëheqësi i tyre ishte Mao Ce Tung, motoja e të cilit ishte: “Thoni jo dëshpërimit”.  Ai dinte se aspiratat e larta janë çelësi i suksesit. Edhe popujt tjerë bënë hapa gjigante për 30 vjet, siç është rasti me Gjermaninë dhe Japoninë. Në anën tjetër, Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij arritën atë që askush nuk ishte arritur deri atëherë për vetëm 25 vjet.

 

Nga periudhat kohore të përmendura, ndoshta keni filluar të kuptoni se pranga nga e cila dëshirojmë të çlirohemi sot është humbja e kohës.

 

Mirëpo para kësaj, dëshiroj të ju rikujtoj për projektet tona të kaluara dhe çka kemi arritur në to:

 

  1. Luftimi i narkotikëve: 1000 vetë morën pjesë në garën tonë për dizajnin e logos me moton: “Mos na dëmtoni me duhanin e juaj”. Tre nga ta janë zgjedhur si finalistë. Tani është radha që ju të votoni për dizajnin më të mirë nga këto tri duke votuar në web faqen tonë.
  2. “Mbrojtësit e ardhmërisë” dhe lufta kundër drogës: Jemi pajtuar se mënyra më e mirë e paralajmërimit të njerëzve për rrezikun e drogës është përcaktimi i grupit të 4 apo 5 të rinjve që do të mundohen të bëjnë këtë në çdo shkollë, kolegj apo klub sportiv. Lajmi i mirë është se kemi pranuar telefonata nga ekspertët ndërkombëtar që dëshirojnë të shkojnë një hap përpara ne këtë projekt dhe ta trajnojnë rininë me standardet më të larta ndërkombëtare.
  3. Projekti i grumbullimit të rrobeve dhe i shpërndarjes së tyre: Allahu ju shpërbleftë për rrobet dhe angazhimin tuaj duke ju dhuruar rrobe më të mira ne ahiret. Tani më faza e grumbullimit të rrobeve ka përfunduar dhe do të fillojmë t’i klasifikojmë ato e t’i përgatisim për shpërndarje. Kushdo që ka ndonjë ide lidhur me shpërndarjen e tyre apo për ndonjë vend ku ato mund të shpërndahen, ju lutem na kontaktoni. Na duhen idetë specifike për shpërndarjen e rrobave duke pasur parasysh dy çështjet vijuese

 

    1. Shpërndarja e rrobeve duhet të jetë pa pagesë
    2. Kërkoj nga ata që kanë mbledhur rrobe jashtë Lindjes së Mesme që të kërkojnë së pari për nevojtarët në shtetet e tyre, pa marrë parasysh a janë Myslimanë apo jo-myslimanë, para se të na i dërgojnë ato. Qëllimi ynë është që mirësia jonë të arrijë te të gjithë njerëzit ne botë.

 

Po ashtu na nevojiten njerëzit që do të shpërndajnë rrobet, prandaj na kontaktoni nëse keni dëshirë të ndihmoni.

 

T’i kthehemi tani temës së sotme e ajo është pranga e humbjes së kohës.

 

Dallimi në mes të perëndimit dhe neve (myslimanëve) është sikur dallimi në mes të shpejtësisë së një automobili të shpejtë dhe të automobilit të ngadalshëm. Për perëndimin koha është paraja, ari dhe jeta. Ndërsa në shtetet tona ne kërkojmë mënyra si të mbysim kohën, si ta kalojmë kohën dhe si të shpëtojmë nga ajo. Që t’i kundërvihemi kësaj, kemi shpikur një projekt të përshtatshëm për prangën e kohës: “Java e frytshme”.

 

Ideja e projektit është si vijon: si mund të shndërrojmë 24 orë në përfitim dhe energji? Si të investojmë më së miri 24 orë? Ky projekt është veçanërisht i përshtatshëm për këtë periudhë të vitit, bile edhe për nxënësit që kanë provime gjatë këtyre ditëve, meqë projekti nuk kërkon nga ta që të dalin nga shtëpitë e tyre.

 

Më herët jemi marrë vesh për mënyrën se si do të çlirohemi nga prangat tona. Ne trajnojmë veten dhe mësojmë gjatë projektit dhe i themi vetes se nëse zbatojmë projektin atëherë do të çlirohemi nga pranga. Kjo metodë parandalon që programi ynë të bëhet vetëm teorik, nuk do të kishte kuptim ligjërimi për rëndësinë e kohës pa ju ofruar mënyrën se si mund të përfitoni nga këto fjalë. Ne jemi njerëz praktik, prandaj fjalët tona duhet t’i shndërrojmë në vepër. Projekti i sotshëm ka për qëllim të na mësojë si të ndalemi nga harxhimi i kohës. Si mund t’i shfrytëzojmë plotësisht 24 orë? Besoj që, kur them se secili nga ne mund të zbatojë projektin pa pasur nevojë të dalë nga shtëpia dhe se emri i projektit është “java e frytshme”, ka zgjuar kureshtjen e juaj për të marrë vesh më shumë për të. Ky është projekti të cilën do ta zbatojmë çdo ditë gjatë javës së ardhshme. A jeni të gatshëm që të bëjmë një marrëveshje për javën që vjen?

 

“Java e frytshme”

 

Duhet t’i përmbahemi katër gjërave gjatë javës së ardhshme dhe duhet që të inkurajojmë dhe motivojmë njeri tjetrin për të siguruar që do t’i bëjmë të gjitha. Ekspertët e kësaj fushe thonë: “Nëse dëshiron të bësh diçka atëherë fillo me një kusht, pastaj vrojto dhe në fund gjyko”. Tani dëshiroj që të vendosni një kusht për vete ose premtoni vetes se do të bëni si vijon:

 

1.      Puna: çdo ditë duhet të punoni në mënyrë produktive

2.      Ibadeti: çdo ditë duhet të bëni ibadet më shumë se minimumi

3.      Ushtrimet: çdo ditë duhet të bëni ushtrime trupore

4.      Jeta shoqërore: çdo ditë duhet të bëni diçka shoqërore

 

Pika e parë është për veten tuaj, e dyta për shpirtin tuaj, e treta për trupin tuaj dhe e katërta për familjen tuaj. Le të i përmbahemi atyre meqë ato përbëjnë vetë esencën e jetës. Idetë për këtë projekt i kemi nxjerr nga jetë përshkrimi i Pejgamberit a.s. Kemi analizuar ditën e tij, si e ka kaluar dhe kemi nxjerrë katër pikat e mësipërme të cilave ai u përmbahej çdo ditë. Dëshirojmë të imitojmë Pejgamberin a.s. në atë se si e kalonte ditën e tij. Ne nuk e kemi parë atë kurrë, e as që dimë si ka ecur, si ka buzëqeshur, por dimë se si përbëhej një ditë e tij dhe duhet ta imitojmë në këtë. Kur ta takojmë në Ditën e Gjykimit, dëshirojmë t’i themi: ”O i Dërguari i Allahut, të kemi imituar ty” (qoftë edhe për një javë)

 

Allahu xh.sh. thotë në Kur’anin famëlartë: Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë” 3:31

 

Prandaj, nëpërmes të këtij projekti ne do t’a imitojmë Pejgamberin a.s. do të shpërblehemi bollshëm nga Allahu xh.sh. do të bëhemi njerëz më të mirë dhe do të çlirohemi nga pranga e humbjes së kohës. 

 

I. Puna:

 

Për pikën e parë duhet të mundohemi që të punojmë apo mësojmë së paku 6 orë në ditë. Mesatarja e kohës neto të shpenzuar për punë në perëndim është 6-7 orë në ditë, ndërsa në Botën Arabe është vetëm 27 minuta. Koha neto d.m.th. pa ndërprerje, pa telefonata dhe pa lojëra – asgjë pos punës së përqendruar. Ky projekt  është i përshtatshëm për secilin prej punëtorëve në punë e deri te amviset që kryejnë punët e shtëpisë dhe edukojnë fëmijët e tyre. Pejgamberi a.s. bashkonte ditën me natën, prandaj ishte në gjendje të zgjerojë këtë fe në botë për 23 vjet. Ai e bëri këtë që ne të bëhemi myslimanë, prandaj duhet të punojmë për t’i ndjekur hapat e tij. Omeri r.a. thoshte: “Kur të flejë? Nëse fle natën, i hi hak të drejtës së Allahut ndërsa nëse fle ditën do ti hyj në hak të drejtave të njerëzve”

 

II. Ibadeti:

 

Pejgamberi a.s. kryente 4 veprime të adhurimit çdo ditë: namazin e natës, dhikrin, leximin e Kur’anit dhe duanë. Ju mund të i falni së paku dy reqate namaz të natës dhe me këtë rast të lexoni së paku një faqe të Kur’anit. Pas namazit bëni dhikr dhe bëni dua, bile për disa minuta. Nëse bëni këtë atëherë ju keni kryer 4 llojet e ibadetit të cilat Pejgamberi a.s. kurrë nuk i ka lënë gjatë tërë jetës së tij.

 

E kam një recetë që mund të ju ndihmojë për të praktikuar këtë ibadet.

 

Zgjohuni 15 minuta para agimit dhe falni dy reqate dhe lexoni Kur’an gjatë këtij namazi. Kjo periudhë e kohës është koha më e preferuar për të falur namaz për Allahun xh.sh. Pastaj bëni dua sepse kjo është koha kur duatë më së shumti pranohen dhe pastaj falni namazin e sabahut. Dhe pas saj thoni lutjet e mëngjesit për pesë minuta. Në këtë mënyrë ju keni kryer të 4 llojet e ibadetit vetëm për 25 minuta. Tani paramendoni nëse mund të zgjoni edhe të tjerët të bëjnë këtë. Paramendoni se sa i lumtur do të jetë Pejgamberi a.s. po qese të gjithë myslimanët do të zgjoheshin për t’i bërë këto ibadete.

 

III. Ushtrimet :

 

Nëse i shikoni myslimanët e sotshëm, do të shihni se shumë njerëz lëngojnë nga përdorimi i duhanit dhe ata rrëzohen edhe nga sfidat më të vogla. Për të ngritur shëndetin trupor, është me rëndësi që secili nga ne të bëjë ushtrime fizike së paku 30 minuta në ditë, qoftë në shtëpi apo jashtë ku edhe femrat mund të merren me sport por në fusha të mbyllura. Pejgamberi a.s. ishte sportist. Kur garonte me gruan e tij Aishen, ai gjithmonë fitonte edhe pse ishte 60 vjeçar e ajo i kishte vetëm 18 vjet.

 

IV. Jeta shoqërore:

 

Planifikoni një interval prej 30 minutash në ditë kur do të uleni me prindërit e juaj dhe kushërinjtë ose për të kaluar me gruan dhe fëmijët e juaj. Paramendoni se si do të përmirësoheshin marrëdhëniet familjare po qese do të shpenzoni më shumë kohë bashkërisht. Kërkojmë nga ju gjysmë ore të kohës cilësore.

 

Paramendoni nëse të gjithë angazhohemi shumë për të kryer këto detyra. Allahu xh.sh. do të shikonte popullin e Muhammedit dhe do të shihte se ata janë duke kryer katër gjëra të cilat Pejgamberi a.s. i bënte gjatë tërë kohës. Mendoni se si do të përmirësohej marrëdhënia e juaj me Allahun xh.sh. gruan e juaj dhe punëdhënësin dhe si shkathtësitë e juaja dhe gjendja fizike përmirësohet vetëm brenda një jave.

 

Koha e nevojshme për të arritur këto është: 6 orë mësim + 25 minuta ibadet + 30 minuta ushtrime trupore + 30 minuta aktivitete shoqërore = totali është 8 orë dhe ju mbetet pjesa tjetër e kohës të bëni çka të doni. Provoni këtë projekt dhe do të jeni më të kënaqur me veten tuaj.

 

Por këtë herë nuk do të kërkojmë nga ju të na dërgoni rezultatet në web faqe. Synimi ynë është të zgjojmë secilin dhe njerëzit përreth tyre dhe, inshallah, në Ditën e Gjykimit do të marrim vesh për numrat. Çdo njeri duhet të jetë i sigurt në suksesin e tij personal. Në këtë mënyrë ju do të arrini sukses dhe njerëzit rreth jush do të arrijnë sukses dhe rezultatet do të shihen në Ditën e Gjykimit. Në atë ditë do të thuhet: “Filani dhe fallani kanë ndjekur hapat e Pejgamberit a.s. edhe pse nuk njihnin atë”. Paramendoni se sa i gëzuar do të jetë Pejgamberi a.s.

 

T’i shikojmë tani disa të dhëna statistikore.

 

  • Arabët shpenzojnë 60% të ditës së tyre duke shikuar televizorin, 28% të kohës janë të angazhuar në punë të parëndësishme e pastaj bien në gjumë në ora dy apo tre të mëngjesit.
  • Perëndimorët zgjohen në ora 6 të mëngjesit, flenë në ora 10 të natës dhe nuk argëtohen pos gjatë fundjavës.
  • Perëndimorët lexojnë gjatë tërë kohës; në autobus; në dhomën e pritjes së mjekut…
  • Arabët harxhojnë kohën e tyre duke lozur lojëra në internet apo duke bërë chat. Të rinjtë shpenzojnë kohën e tyre duke vozitur automjetet e tyre ose në kafenetë ndërsa vajzat e reja shpenzojnë nga dy tre orë ne telefon.

 

Mund të përfundojmë se ne arabët jemi duke funksionuar me 25% të energjisë sonë duke  pamundësuar kështu që të arrijmë perëndimin ose të bëjmë ndonjë ndryshim të situatës pa marrë parasysh se sa i lutemi Allahut xh.sh. Mos harroni se çdo ibadet është i lidhur me kohën: namazi, zekati, haxhi.

 

  • “...faleni namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.” 4:103
  • “…O i Dërguari i Allahut, cila është vepra më e mirë?”... “Namazi në kohën e vetë” u përgjigj ai.
  • Agjërimi…numër i caktuar i ditëve…“agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndërpritni agjërimin kur të shihni hënën e re.”
  • “Haxhi është në muajt e caktuar” 2:197
  • Zekati; duhet të kalojë një vit për ta dhënë atë.

 

Allahu xh.sh. na përkujton gjithmonë me ajetet apo mrekullitë e kohës;

 

“Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme.” 17:12

 

Allahu xh.sh. betohet në  kohën në shumë ajete të Kur’anit. Allahu xh.sh. betohet në diçka kur ajo është tepër e rëndësishme.

 

Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën. 93:1-2

“Pasha agimin. Pasha dhjetë netët” 89: 1-2

“Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit,” 84: 16

“Pasha kohën. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.” 103:1-2

 

O ju myslimanë, keni kujdes se koha është e vlefshme. Edhe përkundër këtyre ajeteve, ende dëgjojmë të rinjtë që thonë: “Jam duke e mbytur kohën”. A nuk e kuptojnë se koha është vetë jeta dhe se janë vetëm duke mbytur vetveten? A është ky ummeti i Muhammedit a.s.? Një pjesë e madhe e kohës është duke humbur kot por në fund ne jemi duke humbur jetën tonë. Si mund të jemi të kënaqur me këtë situatë? 

 

Shembujt vijues tregojnë se sa është e vlefshme koha:

 

  • Franca ka emëruar një ministër për kohën e humbur për të shfrytëzuar këtë kohë për gjërat që janë të dobishme për shoqërinë franceze.
  • Pejgamberi a.s ka thënë: “Nxitoni për të kryer 7 gjëra...” Mos vallë prisni vdekjen e befasishme, sëmundjen fatale apo varfërinë para se të kuptoni se çka keni humbur?
  • Në Kur’an thuhet: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj” 3:133. “Garoni njeri me tjetrin” 57:21

 

A kuptoni se sa është e vlefshme koha? Dijetarët e islamit çmonin lartë kohën e tyre shumë kohë para perëndimit. Në këtë mënyrë, ata arritën ringjalljen e tyre.

 

  • Hasan El-Basriu ka thënë: “Çdo ditë agon dielli dhe thotë: “O ju njerëz! Unë jam dita e re dhe jam dëshmitar i veprave të juaja. Më shfrytëzoni sepse nuk do të kthehem deri në Ditën e Gjykimit.”
  • “O i biri i Ademit, ti nuk je asgjë tjetër pos një grumbull i frymëmarrjeve. Kur frymëmarrja del, me të ka dalë një pjesë e jotja. Ashtu si ka shkuar kjo pjesë, së shpejti të gjithë ju do të shkoni”
  • Ibn Kajimi ka thënë: “Çdo frymë që del për ndonjë qëllim tjetër e jo për hir të Allahut xh.sh. do të shndërrohet në pikëllim dhe pendim në Ditën e Gjykimit.” Ai po ashtu ka thënë: “Shenja që Allahu ju urren është se e gjeni veten tuaj duke u marrë me çështje të parëndësishme; kështu që ju e humbni mundësinë e të shkuarit në xhenet. Ndërsa shenja që Allahu ju donë është se ju kryeni më tepër detyra se sa keni kohë”. Një thënie thotë: “Shejtani gjen punë për duart e papuna”. Nëse doni të kuptoni se a është Allahu xh.sh. i kënaqur me ju, atëherë mendoni: a rrini kot apo jeni të angazhuar?
  • El-Muhasibi thotë: “Do të kisha pasur dëshirë që koha të blihej me para për të blerë kohën ne atyre që e shpenzojnë kot dhe që janë jo mirënjohës, për ta shfrytëzuar pastaj duke i shërbyer Allahut xh.sh.”
  • Ibn Mesud ka thënë: “Për asgjë nuk ndiej keqardhje pos për ditën që më ka kaluar në të cilën nuk kam shtuar veprat e mia”
  • Ibn Akil ka shkruar “Librin e Arteve” që përmban 800 vëllime. Ai thoshte: “Unë nuk haj si ju, unë përziej bukën e thatë me ujë derisa të zbutet. Me këtë unë fitoj në kohë meqë e gëlltis ushqimin në vend se ta përtypi atë”

 

Ju duhet të dini se ku po shkon koha e juaj, duhet të dini se kur mund të dilni jashtë dhe kur mund të keni kohë të lirë. Nëse keni kohë të lirë mos e shpenzoni kot – një lojë e futbollit mjafton, nuk keni nevojë të shikoni 6 lojëra futbolli.

 

·        Ebu Jusuf, që ishte nxënës i Ebu Hanifes, njëherë tha: “Ebu Hanife ishte duke vdekur kur kërkoi një laps dhe një copë letër për të zgjedhur një problem të jurisprudencës duke thënë “Nëse më ka mbetur vetëm edhe një moment për të jetuar, do ta shpenzoj në atë që e kënaq Allahun xh.sh.”

  • Një njeri kërkoi nga Ibn Xhevziu të ulet me të të bisedojë.  Imami iu përgjigj: “Vetëm nëse e ndalon diellin së rrotulluari”. Në këtë mënyrë, këto gjenerata i ofruan njerëzimit shumë përparime. Allahu xh.sh. ka bekuar jetën e tyre; ata ishin në gjendje të bëjnë atë për të cilën neve do ta na duheshin vite të tëra.
  • Kur ishte 16 vjeçar Usame Ibn Zejd ishte udhëheqës i ushtrisë. Ebu Bekri dhe Omeri r.a. ishin nën komandën e tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasha Allahun, Usame është plotësisht i përshtatshëm për këtë punë”. Usame ka luftuar kundër romakeve dhe ka fituar. Ashabët thanë: “Asnjë ushtri nuk është shpërblyer si ushtria e Usames dhe myslimanët nuk kanë pasur humbje”. Një njeri i suksesshëm punon edhe gjatë pushimeve të tija, nëse nuk gjen ndonjë punë të rregullt, ai punon vullnetarisht.
  • Saad ibn Muadhi pranoi islamin kur ishte 30 vjeçar dhe vdiq 37 vjeçar. Edhe pse jetoi vetëm 7 vjet si mysliman, froni i Allahut xh.sh. u tund për shkak të vdekjes së tij dhe 70.000 melaqe zbritën për funeralin e tij. 
  • Mustafa Kemali  luftoi okupimin e anglezëve dhe solli në gjunjë perandorinë angleze. Ai vdiq në moshën 33 vjeçare
  • Omer el-Muhtar udhëhoqi luftën kundër okupimit italian prej moshës 60 vjeçare deri në moshën 70 vjeçare.
  • Muhammed bin El-Kasim pushtoi Indinë kur ishte 17 vjeçar. Ai luftoi në 12 beteja për një vit dhe i fitoi të gjitha.
  • Zejd bin Thabit pranoi islamin qysh në moshën dhjetë vjeçare. Pejgamberi a.s. ia mësoi tërë Kur’anin përmendësh qysh në moshën e tij 12 vjeçare. Ai mësoi gjuhën hebraike në moshën 14 vjeçare dhe u bë përkthyes personal i Pejgamberit a.s. në moshën 16 vjeçare, ndërsa në moshën 17 vjeçare u bë një nga ashabët e zgjedhur për të shkruar shpalljen. Në moshën 19 vjeçare ai ishte kryesues i komisionit për caktimin e trashëgimisë. Në moshën 21 vjeçare ai u caktua për detyrën më të madhe në histori – për grumbullimin e Kur’anit dhe përmbledhjen e tij në një dorëshkrim.

 

Ne humbim një pjesë të madhe të kohës tonë: 8 orë flemë dhe 8 orë tjera i shfrytëzojmë për haje dhe nevoja tjera personale. Kjo do të thotë se 2/3 e kohës tonë është harxhuar ndërsa pjesa e mbetur është koha kur mund të arrihet produktiviteti. Paramendoni që çdo frymëmarrje e juaj është ruajtur në një dollap e cila do të hapet në Ditën e Gjykimit. A është ai dollap i zbrazët? Apo në to janë shërbime të shumta, ndihma, shpikje dhe ibadeti? Parafytyroni dikë duke gjuajtur 100.000 dollarë në det. Me siguri se do të konsiderohej i marrë dhe do të vendosej nën mbrojtjen e rreptë. Ju e bëni të njëjtën gjë nëse harxhoni kot kohën e juaj sepse pasuria juaj më e madhe janë frymëmarrjet e juaja në këtë jetë të kufizuar. 

 

Detyrë shtëpie:

 

Do të përmbledhim atë në pikat vijuese:

 

  1. Ju nuk mund të shfrytëzoni kohën e juaj në mënyrë të urtë pos nëse keni një qëllim në jetë. Nëse keni qëllim atëherë do të jeni syçelë për kohën e juaj dhe do ta ndani atë për të arritur qëllimin e juaj në mënyrë efikase.
  2. Krijoni një plan si vijon:

 

Koha                                       Puna                            Koha e nevojshme                          

 

4:00 - 4:15

4:15 - 4:30

4:30 - 5:00

 

Nëse i përmbaheni këtij plani, do të shihni se 60% e kohës së juaj është humbje. A jeni të gatshëm për ndryshime apo të gjitha mbeten fjalë pa zotime? A jeni të gatshëm që të rirenditni kohën e juaj? Nëse me të vërtetë jeni gati, atëherë të merremi vesh për detajet që do të ju ndihmojnë të organizoni kohën e juaj.

 

  1. Çdo ditë shkruani atë që planifikoni të bëni nesër.
  2. Shkruani këtë në kalendarin ditor.
  3. Përqendrohuni në punën e juaj dhe mos u ndalni për arsye të parëndësishme. Koha në Lindjen e Mesme humbet kot për shkak të ndërprerjeve të shumta. Angazhohuni fortë dhe do të vëreni shtim të madh të produktivitetit.
  4. Zvogëloni numrin e orëve të gjumit; vetëm një orë në ditë d.m.th. ju shtoni 365 orë në vjet. Mund ta shfrytëzoni këtë kohë për të përgatitur disertacionin e juaj apo për të mësuar përmendësh Kur’anin. Paramendoni këtë!
  5. Largohuni nga njerëzit e papunë dhe të pakujdesshëm
  6. Bëni gjërat paralelisht. P.sh. derisa pritni në dhomën e mjekut apo derisa udhëtoni me autobus, lexoni një libër. Në vend se të harxhoni kohën duke pritur shfrytëzoni atë kohë dhe bëni diçka produktive. Një shembull i madh është Ibn Kajimi i cili shkroi librin e tij “Zad El-Maad” gjatë udhëtimit të tij për në haxh.
  7. Keni kujdes nga koha e lirë që keni gjatë verës, përdoreni në mënyrë të urtë, p.sh. duke punuar vullnetarisht.
  8. Çdo natë pyetni veten çka keni bërë atë ditë dhe së shpejti do të jeni të ngazëllyer me rezultatet e juaja. Vlerësoni se sa keni qenë në gjendje të kompletoni projektin e javës së frytshme. Mund të filloni po e zëmë me 30% por produktiviteti dhe efikasiteti i juaj do të rritet çdo ditë.
  9. Në fund, kur mos dilni nga shtëpia pa kalendarin ditor.

 

Besoj se nëse jemi në gjendje të shfrytëzojmë kohën gjatë kësaj jave të efikasitetit, vlerësimi ynë mbi kohën, do të ndryshojë. Ju lutem, punoni me ne në këtë projekt. Vendosni një synim të qartë ku dëshironi të lartësoni kohën për hir të Allahut xh.sh. dhe nga dashuria ndaj Pejgamberit a.s. Shpresoj se isha në gjendje ta sqaroj mesazhin. Kërkoj ndihmë nga Allahu xh.sh. dhe shpresoj se do të takohemi javën e ardhshme.

 

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar


AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes