Episodi 14 Caktoni qëllimin tuaj të jetës



 

SUNAA’ AL-HAYAH

- KRIJUESIT E JETËS -

Episodi 14     Caktoni qëllimin tuaj të jetës

 

Caktoni qëllimin tuaj të jetës

 Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe rahmeti i tij qofshin mbi Pejgamberin e tij, Muhammedin a.s.

 

Jemi të kënaqur që komunikojmë me ju nëpërmes të programit “Krijuesit e jetës” dhe ndihemi të lumtur dhe me shpresë.

 

Në episodin e kaluar kemi biseduar për rruajtjen e pasurive si dhe për grumbullimin e rrobave. Kemi shpenzuar tërë kohën duke biseduar se si të  vazhdojmë me atë projekt. Në fakt, unë zakonisht filloj çdo episod duke treguar rezultatet, çka ka ndodhur dhe të arriturat. Këtë herë nuk do të them asgjë meqë rezultatet janë më të mëdha se fjalët dhe nuk kam nevojë që të flas për suksese, sepse ju i keni parë ato dhe i keni përjetuar vetë. Allahu ju shpërbleftë dhe e pranoftë punën tuaj dhe tonën. Jam shumë i lumtur me rezultatet e mrekullueshme të cilat jemi në gjendje të arrijmë bashkërisht.

 

Faza e grumbullimit të rrobave do të vazhdojë edhe një javë, prandaj tash nuk do të flas për rezultatet. Por para se të përfundojë java, dëshiroj të apeloj që secili që ka ndonjë depo, të ndihmojë individët dhe shoqatat humanitare që grumbullojnë rrobe, meqë vendet që i kemi tanimë janë të mbushura dhe kemi problemin e depove për grumbullim. Numri i rrobave është aq i madh sa që tejkalon kapacitetin e kufizuar të depove në dispozicion. Prandaj vizitoni web faqen dhe lajmëroni hapësirat e lira që posedoni. 

 

Dëshiroj të sqaroj procesin e projektit sepse disa njerëz pyesin se si do të shpërndahen rrobat. Dëshiroj të ju them atyre se faza e grumbullimit të rrobave do të vazhdojë deri më 31 Maj. Kjo mundëson që secili të kontribuojë, qoftë duke shkuar drejtpërsëdrejti në vendet e njoftuara nëpërmjet internetit apo duke telefonuar programin tonë për t’u informuar për adresat. I tërë muaji i qershorit do të shfrytëzohet për klasifikimin e rrobave dhe përgatitjen e tyre në bazë të moshës. Në korrik, apo më saktësisht në javën e parë të saj, do të fillojmë fazën e shpërndarjes, inshallah. Në fakt jemi duke u menduar se si të shpërndajmë këto rrobe dhe kush i meriton ato më shumë. A janë ata bonjakët, studentët e universiteteve apo individët në pjesët dhe fshatrat e varfra? Kemi aq shumë vende të cilat dëshirojmë të mbulojmë, prandaj kërkoj nga ju, e sidomos nga shoqatat humanitare, nëse dikush nga ju apo shikuesit e nderuar ka ndonjë ide për shpërndarje të na e dërgojë në ueb faqe apo të na tregojë nëpërmjet telefonit, në mënyrë që t’i grumbullojmë të gjitha idetë dhe të marrim pjesë me ju.

 

Po ashtu kërkoj nga ata që kanë grumbulluar rrobe që të mos i shpërndajnë dhe të presin deri në fillim të korrikut në mënyrë që të kemi një ngjarje sa më të madhe. Qëllimi nuk është vetëm shpërndarja e thjeshtë; qëllimi është të jemi sa më të mëshirshëm dhe më të dashur në shoqërinë tonë, që të përkëdhelim supet e të varfërve dhe nevojtarëve dhe të ndihemi se jemi një shoqëri. Ne të gjithë i duam vendet tona, prandaj të gjithë dëshirojmë të nxisim buzëqeshjet në fytyrat e qytetarëve tanë. Kjo do të arrihet në javën e parë të korrikut, inshallah, pasi të merremi vesh se cila është mënyra më e mirë e shpërndarjes së rrobave. Në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë me suksese dhe do të lëvizim prej fazës në fazë. 

 

Sa i përket fazave, dëshiroj të flas për pozitën tonë në program. Ju lutem vëllezër e motra, ky program nuk është vetëm rrëfimi i tregimeve e as që unë vij këtu të them një ide e pastaj të shkoj. Jo! Ky program përbëhet nga fazat. Kur mbarojmë me një fazë themi “Falënderimi i takon Allahut” dhe menjëherë vazhdojmë me fazën tjetër. Ne jemi ende në fazën e parë të cilin gati e kemi përfunduar. 

 

Thamë se kemi 10 pranga dhe deri tani arritëm të çlirohemi nga 7 prej tyre. Derisa po i afrohemi përfundimit të fazës së parë, kemi arritur sukses që tejkaloi parashikimet tona lidhur me:

 

  1. Pozitivizmin
  2. Ndjenjën e përgjegjësisë
  3. Seriozitetin
  4. Ndjenjën e rëndësisë së ruajtjes së resurseve

 

Siç keni vërejtur, nga një resurs më vlerë 0 kemi krijuar një resurs me vlerë 100%! Tani kemi një numër aq të madh rrobash sa që shoqatat bamirëse nuk janë në gjendje t’i fusin në depot e tyre të kufizuara! Pra, arritëm sukses edhe pse jemi në fazën e parë. Ju dhe shikuesit e dashur me siguri keni vërejtur se si lindi shpresa tek unë dhe ju dhe si ajo rritej nga episodi në episod derisa çliroheshim nga prangat një nga një. Jam shumë i kënaqur që mund të them këtë derisa po i afrohemi fundit të fazës së parë!

 

Ndonjëherë themi se na duhen edhe 100 vite deri në fund. Mirëpo unë ju them, motra dhe vëllezër, ne jemi ende në fazën e parë dhe kemi arritur suksese që tejkalojnë të gjitha parashikimet! E kemi edhe një temë për të përfunduar fazën e parë, e pastaj do ta kërkojmë synime tjera për të realizuar. Në episodin e parë të programit kam thënë se do t`ia dalim, por në fakt, kurrë nuk kam menduar se do të kemi aq shumë sukses, ose se rinia (djemtë dhe vajzat) si dhe gratë do të marrin pjesë siç kanë marrë pjesë në projektet e resurseve, duhanit dhe drogës. Ajo që ndodhi ishte përtej parashikimeve, përtej imagjinatës! Prandaj, po ju përgëzoj se jemi gati ta përfundojmë fazën e parë, dhe na kanë ngelur vetëm edhe një ose dy tema dhe do ta përfundojmë me sukses!

 

Pra, cili është procesi i programit? Që në fillim kemi shpjeguar idenë e programit përmes një filmi të imagjinuar. Unë kërkova nga ju që së bashku me mua ta imagjinoni këtë skenë. Një djalosh i mërzitur që rri vetëm në një dhomë të errët të mbushur me merimanga. Aty ndoshta e kishte sexhaden për falje, meqë ndoshta falet, ose kishte letrat për lojë, lojërat apo gjërat tjera të pavlefshme. Sidoqoftë, aty gjendet një djalë i mërzitur që rri vetëm në dhomën e tij. Ne iu afruam dhe e pyetëm se pse rri vetëm në dhomën e errët, ne ia bëmë me shenjë nga drita dhe e bindëm që të dilte jashtë me ne, të dalë në jetë, të bëhet i suksesshëm dhe të na ndihmojë në “Krijimin e jetës”! Këto në fakt ishin tri episodet e para hyrëse.

 

Kur djaloshi tentoi të ngrihej në këmbë, nuk mundi. Ai kuptoi se duart e tij ishin të ngujuara nga negativizmi dhe mungesa e përgjegjësisë. Këmbët e tij ishin prangosur nga mospërfillja dhe pakujdesia kurse rreth qafës së tij kishte një zinxhir të trashë, që ishte mungesa e qëllimit në jetë! Ne i thamë atij se nuk mund të ngrihet nëse nuk liron veten nga gjithë këta zinxhirë dhe pranga! Kështu filluam më fazën e parë, këtë të tashmen, që është lirimi ynë nga prangat. Zinxhirët filluan të çahen. Ai u ngrit, liroi duart dhe filloi të lëvizte. Tani dëshironte të dilte nga dhoma. Mirëpo ne e ndaluam, dhe kjo është faza e dytë, si do t`ia arrijë ai në jetë, të fitojë vetëbesim dhe zbulojë talentet e tij? Ai vazhdoi tutje përplot shpresë, vendosmëri dhe ndjenjë suksesi, ai madje shqeu derën në vend se ta hapte. Ai gjeti një botë përplot dritë, një vend që duhej ndërtuar. Ai ishte i lumtur me veten e tij, por ishte vetëm. Papritur gjeti shumë të rinj dhe të reja, sikurse ai duke dalë nga dhomat e tyre të errëta. Të gjitha ata në u bashkëngjitën në “Krijimin e jetës”. Ne u thamë atyre të bashkëveprojnë si një ekip, dhe t`ia dalin mbanë së bashku. Kjo ishte faza e tretë dhe kjo është mënyra se si do të krijojmë jetë!

 

Për këtë edhe shërben ky program, mu ashtu si e ka projektuar regjisori i këtij programi i cili edhe vet është krijues i jetës. Tani mund ta shikoni mirëpo në fillim dëshiroj ti falënderohem Z. Hani Bajumi (ai i cili e ka bërë këtë film të vizatuar), të cilin tani ftoj të flasë.

 

Z. Hani Bajumi flet:

 

“Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirë bërësit. Ideja, ishte definuar nga Z. Amr Khaled. Unë vetëm desha ta simbolizoj duke treguar personin e prangosur, me ç`rast kam përdorur ngjyra për të treguar karakterin e tij. Kur hyri personi tjetër, mjegulla filloi të shpërndahej dhe u bë dritë. Mirëpo, paraqitja e atij personi nuk ishte e mjaftueshme që të sjelli dritën. Duhej një vendosmëri e madhe për t’u liruar nga prangat. Djaloshi ia doli të lirohet nga prangat një nga një. Pastaj ngjyrat filluan të ndryshojnë, siç mund ta shihni edhe në film. Ai tani ka vendosmëri të madhe dhe del jashtë në botë. Fatkeqësisht, ka shumë djem si ky në shoqëritë tona. Kur i sheh ata, ai inkurajohet dhe shohim ndërtimet e fabrikave që më parë ishin rrënoja. Kjo ishte një punë e përbashkët e jo individuale. E falënderoj Z. Amr Khaled dhe Allahu e shpërbleftë!”.

 

Z. Amr Khaled vazhdon:

 

Qëllimi ynë është të arrijmë sukses që të dëshmojmë përkushtimin tonë për vendet tona.

 

Tani do të flasim për projektin e sotshëm dhe prangën nga e cila dëshirojmë të çlirohemi. Në kanë mbetur edhe dy pranga. Pranga  e sotshme është “mungesa e qëllimit në jetë”. Projekti në të cilin do të punojmë këtë dhe javën tjetër është se si të kemi qëllim në jetë. I gjithë episodi i sotëm do të jetë në shërbim të projektit për të ju bindur juve për këtë. Projekti është i përshtatshëm për kohën e provimeve. Përcaktimi i qëllimeve jetësore duke qëndruar në shtëpi do të ju ndihmojë të mësoni më tepër dhe të kuptoni më qartë ashtu që të arrini qëllimin tuaj në jetë!

 

Tani të vazhdojmë bisedën për qëllimet. Do të filloj duke ju pyetur, cili është qëllimi juaj?

 

Në fakt, kjo është dashur të ishte tema e episodeve të para. Mirëpo, na dukej temë e rëndë dhe e vështirë për të ju pyetur se cili është qëllimi i juaj në jetë. Dëshironim që njerëzit të fillojnë të lëvizin, të ndihen me shpresë dhe të kuptojnë se kanë filluar të korrin sukses. Vetëm atëherë mund të kërkojmë nga ta që t’i përcaktojnë qëllimet e tyre.

 

E dini pse kjo është dashur të bëhet në episodin e  parë? Sepse nëse keni qëllim në jetë, ajo do të ju nxisë të bëheni të përsosur në punën tuaj, do të ju krijon një ndjenjë përgjegjësie dhe këtë e kemi përsëritur në të gjitha episodet e kaluara. Nëse keni qëllim, do te jeni serioz dhe kjo do të ju kursej kohë. Pikërisht për këtë kemi vendosur që të fillojmë nga ana e kundërt, duke aktivizuar njerëzit deri në fund të fazës së parë dhe pastaj të vendosim qëllimet. Pra, a i keni shkruar qëllimet tuaja apo jo? Sërish po ju pyes vëllezër dhe motra, cili është qëllimi juaj? Çdo gjë është e qartë. Tani të bisedojmë në detaje.

 

Ju betohem në Allah se ne nuk jemi krijuar që të jetojmë pa qëllim dhe nuk duhet të lejoni që jeta të udhëheq me ju. Siç e dini, ka me mijëra, jo, me miliona myslimanë të cilët kanë lindur vetëm për të ngrënë, pirë, të martohen, të kenë fëmijë dhe të vdesin! Nuk është e mundur se jeni krijuar vetëm për këtë. Ju betohem në Allah,  kam dëshirë të i bërtas secilit – ju duhet patjetër të keni qëllim në jetë. Ju jeni qenie njerëzore. A e dini se çka do të thotë qenie njerëzore? A e dini dallimin ndërmjet juve dhe krijesave tjera? Krijesat tjera jetojnë sot për sot, ato jetojnë vetëm për të ngrënë, pirë dhe për t’u shumuar! Dallimi kryesor në mes jush, si qenie njerëzore dhe krijesave tjera është se ju keni një dimension, sepse keni tru dhe mund të zhvilloni plane për ardhmërinë e juaj.  Ju lutem, dëshmoni njerëzinë tuaj duke përcaktuar një qëllim. Vëllezër dhe motra, jam duke përdorur një fjalë shumë të butë kur them “krijesat tjera”. Ajo që ju dallon juve nga gjithçka tjetër është se ju keni një qëllim që doni ta arrini kurse krijesat tjera jetojnë vetëm sot për sot. Mos jetoni në këtë botë vetëm për të ngrënë, pirë, për tu martuar dhe pasur fëmijë e pastaj për të vdekur, sepse me kaq, tregimi i një qenieje njerëzore mbaron!

 

Do të ju tregoj një tregim për një njeri. Ai shkoi në shkollë sepse prindërit e tij kërkuan nga ai që të shkojë, dhe ishte shumë i ri. Ai shkoi në shkollë deri sa arriti në vitin e fundit të shkollës së mesme. Prindërit e tij i thanë se duhet të mësojë shumë e të merr nota të larta që të mund të regjistrohet ne fakultet. Ai mësoi shumë, mbaroi shkollën e mesme dhe rezultatet dolën në pah. I thanë se notat e tij i mundësojnë atij që të studiojë në fakultetin gjegjës. Ai aplikoi dhe u regjistrua dhe vazhdoi fakultetin deri në vitin e fundit. Pastaj i thanë se duhet të mësojë shumë dhe të merr nota të larta që të ketë mundësi të punojë në kompaninë e përshtatshme. Ai u përpoq maksimalisht gjatë studimeve dhe diplomoi. I thanë se notat e tij i mundësojnë të punojë në kompaninë gjegjëse ku edhe u punësua. Pastaj tha se dëshiron të martohet. Kur e pyetën se me kë dëshiron të martohet u përgjigj: me një grua të mirë të cilën do ta dua. Ai u martua dhe u bë baba. Ai punonte dhe punonte për të fituar para për fëmijët e tij. Pastaj vdiq. Fundi i tregimit. A nuk është ky tregimi i shumicës së njerëzve? Ai erdhi dhe shkoi dhe kjo ishte e tëra. Çka ka arritur? Çka ka bërë? Cili ishte roli i tij? Cilat ishin qëllimet e tij? Çka ka planifikuar?

 

Dëshiroj që ju që nuk keni qëllime të paramendoni diçka bashkë me mua. Supozojmë se tani keni vdekur dhe se njerëzit janë duke e bartur arkivolin e juaj dhe se 4 shokë të juaj flasin për ju derisa jeni në arkivol. Ata flasin për të arriturat e juaja dhe çka keni bërë në këtë botë. Çka do të thonë ata? A i dëgjoni se çka janë duke thënë? Ai nuk bëri asgjë. A është kujtuar për këtë dikush? Do të shkoni në varr me të arriturat e juaja, paratë dhe fëmijët e juaj nuk do të vijnë me ju. Me ju vijnë vetëm kontributet që keni dhënë në këtë jetë. Cilat janë qëllimet e juaja? Çka keni bërë ju? A më kuptoni se çka dua të them?

 

Ju nuk jeni krijuar që të jetoni në këtë botë pa kontribuar, pa lënë gjurmët e juaja. Ose ndoshta thoni më lejoni të jetoj ashtu si dua dhe jeta le të më qojë përpara. Do të shkoj në shkollë pastaj në fakultet dhe kur të diplomoj do të punoj në një ndërmarrje, do të martohem, do të kem fëmijë dhe do të fitoj para. A jeni duke e lëvizur botën apo bota është duke ju lëvizur juve? Pse Allahu xh.sh. ju ka dhënë tru? Që të jeni të ndryshëm nga krijesat tjera.

 

Fatkeqësisht, nëse dalim në rrugë dhe pyesim njerëzit për qëllimet e tyre, çka do të thonë ata? Disa nga ta do të belbëzojnë, të tjerët do të hutohen dhe nuk do të dinë si të përgjigjen. Derisa kjo prangë është në qafën tonë dhe përderisa nuk lirohemi nga ajo, nuk do të arrijmë sukses. Sepse thjeshtë kjo është e pamundur. Por nëse burrat dhe gratë, spektatorët tanë të dashur do të kishin qëllime dhe ato qëllime do të ishin për hir të shteteve tona dhe për hir të islamit, vetëm atëherë do të arrinim sukses. Pa këtë, asgjë nuk ka kuptim. Prandaj duhet të lirojmë qafën tonë nga kjo prangë. Çka do të bëhet pastaj? Do të ndodhë kjo:

 

a-            Serioziteti.

b-            Marrja e përgjegjësisë

c-            Pozitivizmi

d-            Vlerësimi i kohës

 

Po të thyhej kjo prangë, një ndryshim i jashtëzakonshëm do të bëhej në jetën e juaj.

 

A e dini se si rriten fëmijët në perëndim? Që nga mosha 9 vjeçare e deri në moshën 12 vjeçare, d.m.th. në moshë të re (në vendet tona ne i konsiderojmë ende fëmijë) ata kanë orë javore të quajtur: “Cili është qëllimi juaj në jetë?”. A e dini se ne kemi njerëz që kanë 35 vjet dhe ende nuk dinë si ti përgjigjen kësaj pyetjeje? A e dini tani se pse ata në perëndim kanë sukses? Fëmija shkon në shkollë; ata e pyesin për qëllimin e tij në jetë. Mësuesi dhe fëmijët tjerë ulen pranë tij kurse ai nuk e din përgjigjen. Orën tjetër, ai ndien se duhet ta japë një përgjigje prandaj thotë çka do për të dalë nga situata. Kur thotë diçka, ata e  pyesin se çka i pëlqen dhe çfarë aftësish ka. Ata e udhëzojnë në drejtimin e duhur.

 

Nëse ka thënë se dëshiron të bëhet piktori më i mirë, ata kërkojnë të shohin se si pikturon. Nëse ka thënë se dëshiron të bëhet inxhinier, atëherë do ta shohin se si punon me kompjuter. Tërë vitin, ata do ta nxisin për këtë qëllim, deri në verë. Pastaj administratori i shkollës i dërgon prindërve të fëmijës një letër duke i lajmëruar për qëllimin që fëmija i tyre ka zgjedhur,  kështu që të mund të zhvillohet edhe më tutje gjatë verës. Kur ai kthehet në shkollë vitin tjetër, ai do të ketë një letër përcjellëse nga prindërit e tij se ai është trajnuar. Ata i formojnë njerëzit dhe ju betohem në Allah se formimi i qenieve njerëzore është shumë më e vështirë se ndërtimi i ndërtesave të mëdha, pendëve apo fabrikave. Është vështirë të formosh qenie njerëzore që posedon mision dhe qëllim. Fëmija vjen vitin e ardhshëm me dëshirë që të bëjë gjëra specifike. Kur të arrijë moshën 12 vjeçare do ta ketë qëllim të qartë. “Unë dua të jem inxhinieri më i mirë i kompjuterit në vend, ose dua të bëhem shkrimtari më i mirë”, kjo do rritet me të, vit pas viti dhe ëndrra rritet me të. Ëndrrat e fëmijërisë do të kthehen në realitet kurse fëmija do të kuptojë se ka një qëllim në jetë.

 

Nëna dhe baballarë, nëse shkollat tona nuk e bëjnë këtë, ju lutem bëjeni ju vetë këtë më fëmijët tuaj. Të përcaktojmë një qëllim në jetë. A është qëllimi juaj, edhe pse jeni 40 ose 50 vjeç ende i pashkruar apo i paqartë para syve tuaj? Ju lutem, shpëtoni gjeneratën e ardhshme, zbuloni çfarë aftësi ka djali juaj, në cilën lëmi është i mirë, thoni “patjetër duhet të kesh një qëllim në jetë, biri im”, dhe filloni të punoni mbi atë ide. Më besoni njerëz, më dhemb shumë kur e them këtë, por myslimanët, feja e të cilëve dhe Kur`ani u kanë dhënë qëllime të qarta që në fund t`i afrohen Allahut dhe të hyjnë në xhenet, tani jetojnë pa kurrfarë qëllimi në jetë kurse jeta po i sjell ata vërdallë! Saktësisht si ka thënë Pejgamberi a.s. sikur shkuma e ujit. Pse e ka përdorur i Dërguari mu fjalën “shkumë”? Sepse “shkuma” nuk ka qëllim, noton mbi ujë dhe lëviz me të e pastaj zhduket. Jeta e bart atë person i cili nuk ka qëllim në jetë.

 

Në librat e fëmijëve, gjendet një përrallë për fëmijë të cilën e dini të gjithë, tregimin “Liza në botën e çudirave”. Me një rast, Liza ishte duke ecur kur takoi në rrugë shokun e saj lepurin. Në udhëkryq, ajo e pyet lepurin (vëreni se ky tregim iu mësohet fëmijëve) “Cilën rrugë duhet ta pasoj”? Lepuri e pyet se ku dëshiron të shkojë. Ajo thotë se nuk e di. Pastaj lepuri thotë, “Nëse nuk e di se ku do të shkosh, ndiq cilën do rrugë, ngase nuk do të ketë rëndësi. Ti duhet ta dish se ku do të shkosh Liza!”. Ky tregim iu tregohet fëmijëve me anë të filmave të vizatuar me qëllim që kur të rriten ti kenë qëllimet e tyre!

 

Edhe një herë, do t`ua përsëris të njëjtën pyetje juve dhe teleshikuesve me shpresë se nuk do të ju irritoj, a i shënuat qëllimet tuaja? A e dini se çfarë dëshironi? O djalë i ri i cili je duke më dëgjuar, cili është qëllimi yt? A është i shkruar në letër? A është i varur në murin e dhomës tënde? A e ke shkruar planin tënd të veprimit për ta arritur atë? A ke orar? Unë e kuptoj qenien njerëzore dhe njerëzimin si të tillë; po ti, a e kupton edhe ti në këtë mënyrë?

 

Kjo nuk është vetëm për fëmijët dhe shkollat. Jo, çdo kompani e themeluar duhet ta ketë një mision, një qëllim – dhe kjo duhet të shkruhet në rreshtin e parë. Të supozojmë se kemi para dhe dëshirojmë ta themelojmë një kompani të telefonisë mobile. Kemi para dhe teknologji në sasi të mjaftueshme për themelimin e kompanisë së tillë, mirëpo duhet bërë një gjë në fillim. Duhet të vendosim misionin e kompanisë, qëllimin. Ata që dëshirojnë të fitojnë para, duhet ta bëjnë këtë patjetër. Prandaj, a mund ta imagjinoni se si një qenie njerëzore që ka trup, mend dhe shpirt dhe i cili do të dalë para Allahut ditën e gjykimit mund ta jetë pa qëllim!

 

Njëherë kur isha në Abu Dabi u gëzova shumë kur pashë që misioni i një kompanie ishte i varur në ashensor, tek shkallët dhe në secilën zyre. Misioni ishte para çdo punëtori të kompanisë kurse ju, një qenie njerëzore ende nuk e dini qëllimin?


Kompania globale Sony, e themeluar para 25 vjetësh,  ka përcaktuar synimin e saj. A e dini se cili është ky synim? Që produkti japonez të bëhet produkti numër 1 në tregun e SHBA-ve. Ata e shkruan misionin e tyre dhe e varën nëpër mure. Kur Këshilli i Drejtorëve mblidhej, dhe kur ndonjë punëtor propozonte diçka, kryetari i këshillit  shikonte synimin e varur në mur dhe pyeste punëtorin që ka propozuar se cila është lidhshmëria e propozimit të tij me synimin e kompanisë.

 

Njerëzit arrijnë sukses kështu e jo duke bredhur poshtë e lartë.

 

Me kë do të martoheni? “Ah, me dikë që është e bukur dhe do të ishte mirë të ketë sy të gjelbër dhe flokë të verdha. Unë dëshiroj të martohem me dikë të tillë”. Po ti, oj vajzë e re, me kë dëshiron të martohesh? “Nuk ka shumë zgjedhje sot! Kështu që do të martohen me atë që e gjej, e dini se si janë martesat sot!”

 

Dëgjoni këtë sa për ndryshim: “Jo, unë di çka dua dhe dua ta arrij qëllimin tim, kështu që burri im duhet të ketë tipare të caktuara dhe të dijë se unë dua ta arrij synimin tim.” Ose këtë:” Gruaja që do ta martoj unë duhet të ketë dukuri të caktuara kështu që ne të mund ndërtojmë jetën tonë bashkërisht dhe të arrij qëllimin tim me të cilin do ta kënaq Allahun dhe ta fitoj xhenetin”.

 

Po ju? Cili është qëllimi juaj? A zhvillohet jeta juaj rreth tij? A përpiqeni ta arrini qëllimin?

 

Në këtë episod dëshiroj të ju tregoj se ju patjetër duhet të keni një qëllim në jetë dhe duhet ta keni një plan të qartë që ju nxit ta arrini këtë. Dëshiroj të ju sqaroj më për së afërmi, po përpiqem të ju bindi se ekzistimi i qëllimit në jetë është shumë i rëndësishëm. Të shkojmë edhe me tutje, për të përcaktuar qëllimin e juaj duhet të i përgjigjeni pyetjes

 

Pse jeni krijuar?

 

Nëse e dini pse jeni krijuar atëherë do të dini si ti përgjigjeni pyetjes tjetër. Ju lutem, dëgjoni me vëmendje! Pse jeni krijuar? Po ti pyetnit njerëzit se pse janë krijuar, do të merrni përgjigje të pa qarta. Njerëzit nuk do të ju kuptojnë. Ata do të pyesin se si po mendon pse janë krijuar? Çfarë është kjo pyetje? Disa do të thonë “për të përmbushur misionin e madh në jetë”. Kur i pyesim se cili është ky mision, përgjigja do të jetë “Nuk e di!”

 

Gjatë historisë, shkencëtarët vazhdimisht pyeteshin: “Pse jemi krijuar?” Në fakt, nuk ekziston asnjë burim që ofron përgjigje të qartë për këtë pyetje përpos Islamit. Në rreshtat vijues do të paraqesim disa përpjekje të shkencëtarëve për t`iu përgjigjur kësaj pyetjeje:

 

  • Platoni ka menduar dhe ka studiuar shumë dhe në fund ka dhënë mendimin e tij për qëllimin e ekzistimit tonë. Ai thotë se Allahu ka krijuar universin dhe pastaj e ka harruar atë dhe për këtë arsye, njerëzit ofendojnë dhe vrasin njëri tjetrin, sepse nuk e dinë arsyen e ekzistimit të tyre. Ajeti kur’anor fuqimisht mohon atë duke thënë: “Dhe Zoti juaj nuk harron kurrë”. Allahu i cili dërgon për secilin shi, nuk mund të harrojë.

 

·          Karl Marksi iu përgjigj pyetjes së ekzistimit me gjepura, ai thotë se Allahu deshi të luante dhe të kënaqej dhe për këtë arsye Ai krijoi njerëzit që të jenë mëkatar dhe të pa qëllimtë, që të jetë i lumtur e të qeshë me ta (i lartësuar është Allahu nga kjo). Ajeti kur’anor i përgjigjet atij fuqishëm dhe e lë gojëhapur duke thënë: “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?I lartë është Allahu, Sunduesi i vërtetë”. Allahu kurrë nuk luan dhe argëtohet, Sunduesi i vetëm dhe i drejtë nuk luan kurrë.

 

  • Elia Ebu Madi, një poet libanez, shkroi një poezi të titulluar "Poezia e Talismanëve" e cila më pas u këndua. Ai shkroi:

 

Nuk e di se nga kam ardhur,

Por sidoqoftë, jam këtu,

Pashë një rrugë para meje,

Dhe kështu kalova nëpër të,

Unë do të vazhdojë të eci

Nuk ka rëndësi nëse eci kot,

Se si kam ardhur, nuk e di

Se ku do të shkoj, nuk e di

Se pse kam ardhur, nuk e di.

 

Shumë njerëz e kanë këtë ndjenjë të çorientimit. Ne vetëm jetojmë për të vdekur, ne mund të lutemi dhe bëjmë gjëra tjera por ne vetëm jetojmë për hir të të jetuarit dhe asgjë më tepër. Pse jeni krijuar? Nëse e dini përgjigjen do të dini si ta definoni qëllimin tuaj. Përgjigja më mirë dhe më specifike për këtë pyetje gjendet në Kur`anin famëlartë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Por a do të thotë kjo se adhuruesit e Allahut nuk duhet të bëjnë asgjë më tepër përpos se të falen, agjërojnë. Natyrisht, ky nuk është kuptimi i ajetit. Ajeti do të thotë se duhet të jetoni normalisht, mirëpo qëllimet tuaja dhe synimet përfundimtare duhet të drejtohen nga ajo që të kënaqni Allahun xh.sh.

 

  • A dëshironi të keni fëmijë? Mund të bëni fëmijë sa të doni. Por pse dëshironi ti keni ata fëmijë? Për të luajtur me ta! Jo...ju keni të drejtë të keni fëmijë dhe të jeni të lumtur mirëpo duhet ti drejtoni qëllimet tuaja në drejtim të duhur dhe ti edukoni fëmijët për hir të Allahut xh.sh. Kjo farë e vogël (Fatima, Aliu, Salihu apo Muhammedi), do të forcohet dhe do ta mbrojnë Islamin një ditë.

 

  • Pse keni dëshirë të keni shumë para? Vetëm që të jeni të lumtur? A është kjo e tëra? “Jo, unë dua ti përdor këto para në projekte të dobishme për shtetin tim, për suksese për myslimanët, të eliminoj papunësinë dhe të shpenzoj në rrugën e Zotit”. Në këtë mënyrë ju keni përmbushur ajetin: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”.

 

  • Pse dëshironi të jeni shef i kompanisë së madhe? Pse dëshironi të jeni studenti më i dalluar në fakultetin tuaj? Bëni çfarë të dëshironi mirëpo drejtoni qëllimet tuaja kah kënaqja e Allahut xh.sh dhe adhurimit të Tij. E mira e Islamit është se përmban të gjitha fushat e jetës e kësaj bote. Islami ngërthen në vete diturinë, martesën, të pasurit fëmijë, të pasurit para. Pejgamberi a.s ka thënë nga një thënie lidhur me çdo njërën prej kënaqësive të kësaj bote dhe lidhshmërinë e tyre me Islamin:

 

    • “E përsosur është paraja në duart e njeriut të mirë.”

 

    •  “Më i miri nga ju është ai i cili është i mirë me gruan dhe familjen e tij.”

 

    •  “Ai i cili fle i lodhur nga puna që ka bërë me duart e tij, Allahu do t`ia falë të gjitha mëkatet”.

 

Ajo që dëshiroj të them është se ju duhet të definoni qëllimin tuaj, si dhe ta drejtoni atë në drejtim të kënaqjes së Allahut xh.sh. sepse ju jeni krijuar për këtë arsye.

 

Në fillim, thamë se duhet pasur një qëllim, sepse kjo është cilësia e racës njerëzore që e dallon atë nga krijesat tjera jo njerëzore të cilat nuk kanë qëllim në jetë. Në këtë mënyrë, çdokush mund të arrijë sukses: kompanitë, fëmijët e botës perëndimore pasi që ata trajnohen për këtë. Ne, si myslimanë, jemi më të përshtatshëm për këtë sepse Kurani famëlartë është i qartë lidhur me këtë çështje. Në rregull, atëherë pra pse në krijoi Allahu xh.sh.? Çka duhet të bëjmë tani?

 

1.      Duhet të shënoni qëllimin tuaj.

2.      Ky qëllim duhet të lidhet me qëllimin përfundimtar të kënaqjes së Allahut xh.sh.

3.      Ky qëllim nuk duhet të jetë qëllim i vetë-përqendruar në këtë botë; p.sh. të keni pasuri dhe para dhe kjo është e tëra. Ju duhet të keni para për hir të Allahut, Islamit dhe vendit tuaj. Vazhdoni të definoni qëllimet tuaja në këtë mënyrë

 

·          Si duhet ta definoj qëllimin tim?

·          Si duhet ta shkruaj?

·          Si duhet ta arrij atë?

 

Para se të flasim për detajet se si të shkruhet një qëllim dhe të pajtohemi për këtë, së pari dua të ju tregoj për një koncept. Ky është koncepti i personit që nuk ka qëllim. Ai është person i palëvizshëm që qëndron në një vend derisa jeta sillet në mënyrë aktive rreth tij. Ai nuk bën përpjekje dhe as që ka ndonjë qëllim; prandaj, nuk planifikon e as nuk lëviz...ai është i gozhduar për tokë. I gjithë universi përreth nesh është në lëvizje të vazhdueshme (Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar) 36:38.  Çdo gjë në univers e di se nga shkon, çdo gjë në univers lëviz kurse ju qëndroni pa lëvizur. Për më tepër, edhe universi i jashtëm lëviz, ju madje jeni duke përjetuar disa ndryshime brenda jush. Çdo ditë, mijëra qeliza në buzët tuaja zëvendësohen me të reja, po ashtu edhe qelizat e mëlçisë dhe lëkurës zëvendësohen. Ajo që dua të them është se i gjithë universi lëviz dhe ndërron përreth jush madje edhe ju vetë ndryshoni në brendi, mirëpo ju, ju vetë, qëndroni pa lëvizur. A e dini se cili do të jetë rezultati pas një kohe? Ju do të ikni nga vetvetja, do të jeni një i huaj në univers. Pas një kohe do të vuani nga depresioni, ngase jeni të palëvizshëm. Kjo është situata e myslimanëve të sotshëm. E tërë bota po lëviz dhe po zhvillohet, kurse neve ende na mungojnë synimet. Për këtë arsye edhe jemi bërë të huaj në këtë univers!! Meqë nuk kemi qëllim kah i cili do të lëviznim.

 

Rasti ynë tani i ngjan rastit të një nxënësi në një klasë ku mësuesi thotë: Dëshiroj që të gjithë ju ta lexoni këtë libër dhe të diskutojmë javën tjetër! Orën tjetër, të gjithë nxënësit kanë ardhur dhe kanë lexuar librat, ndërsa ju jo. A e dini se çfarë do të ndodhë me ju? Në klasë të gjithë nxënësit do të diskutojnë për librin kurse ju do qëndroni duke mos kuptuar asgjë. Pas një kohe, do të ndiheni të vetmuar dhe të izoluar dhe do ti thoni vetes: “Dua të largohem”. Pas një kohe kur diskutimi arrin kulmin, çdo kush e di se çka po ndodhë, pos jush. Do të rrini me duar në faqe duke thënë “Dua të largohem, ky nuk është vendi im”. Pas kësaj, do të ndieni depresion e dështim. A nuk është kjo e vërtetë? Ky është rasti me myslimanët në tërësi dhe si individë.

 

  • Kush do të jetë i vendosur të fitojë kampionatin e Vimbeldonit pas pesë vitesh?
  • Kush do të vendosë për të zbuluar këtë e atë?
  • Kush do të vendosë të themelojë kompaninë më të mirë në këtë apo atë fushë?
  • Kush do të vendosë të fitojë Çmimin Nobël si Profesor Ahmed Zuveil në këtë apo atë?
  • Kush do të vendosë të jetë shkrimtari më i mirë?

 

Ku janë qëllimet? Ne kemi me mijëra të diplomuar në fakultete të ndryshme çdo vit. Ata janë aq të lumtur mbarojnë shkollën duke menduar se posedojnë certifikatën e fundit të duhur dhe me kaq mjafton. Ju do të dalloheni në saje të qëllimeve të juaja dhe ambicieve që keni për gjëra të mëdha. Në fakt, unë provova një ide në web faqen time. Kërkova nga të rinjtë të shkruajnë qëllimet e tyre në jetë. Pastaj, i mblodha këto komente dhe ua solla një shembull të asaj çka thonë ata. Disa thanë gjëra të bukura, kurse disa kishin pikëpamje tjera:

 

  • Një i ri thotë: “Jam i humbur; ju betohem se jam 100% i humbur”. Këtë e shkroi në hapësirën e destinuar për qëllimin në jetën e tij.
  • Një i ri tjetër shkroi: “Shkurtimisht, qëllimi im është të kem kompaninë më të madhe të specializuar për prodhimin e filmave për fëmijë”.
  • Një tjetër shkroi: “Qëllimi im është të studioj psikologjinë dhe sociologjinë. Sepse mendoj se aspektet e edukimit, psikologjisë dhe sociologjisë janë të dobëta dhe anash kaluara në vendet tona. Prandaj, dëshiroj të specializoj në këto fusha”. E shihni se si njerëzit dallojnë në atë që mendojnë dhe thonë!
  • Dikush tjetër tha: “Tani kam 48 vjet, a mund dikush të fillojë një jetë të re dhe të ketë qëllim në këtë moshë?“. Këtij personi po i them se shokët e Pejgamberit a.s. filluan jetën e tyre në të pesëdhjetat, ata arritën sukses, u bënë martirë dhe ashabët më të mirë.
  • Një vajzë 13 vjeçare tha: “Qëllimi im më i afërt është që të bëhem shembullore në shkollën e lartë në Al-Bahrain pas tre vitesh kurse qëllimi im i dytë është të mësoj Kur`anin Famëlartë përmendësh dhe për këtë do të më duhet edhe një vit tjetër pas shkollës së lartë, inshallah”. E shihni dallimin!
  • Dikush tjetër shkroi: “Tema juaj rreth qëllimit në jetë më bëri të dal para pasqyrës e ta shoh veten time të vërtetë; u trondita, u shqetësova dhe u dëshpërova. Në fakt, nuk kam qëllim në jetë”.
  • Një tjetër thotë: “Qëllimi im është të ndërtoj një fshat për personat e retarduar mentalisht apo për ata me “nevoja të veçanta”.
  • Një vajzë e re thotë: “Qëllimi im tani është të mësoj përmendësh Kur`anin që pastaj t’i ndihmoj sa më shumë njerëzit ta mësojnë atë. Fillova duke mësuar përmendësh nga një faqe në ditë”.
  • Një tjetër tha: “Qëllimi im është të ndihmojë myslimanët”. Kjo është shumë e përgjithësuar, çka do të thotë kjo?
  • Një vajzë e re tha: “Unë jam infermiere dhe besoj se kjo punë është detyrë Islame që ma përkujton Seidah Rufajdah; qëllimi im është të jem infermierja më e mirë dhe të fitoj çmimin për infermieren më të mirë në botë”.


E kuptoni se çfarë dua të them? Këto janë vetëm disa nga shembujt, po rinia jonë këtu në studio? Cilat janë qëllimet tuaja?

 

·          Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Qëllimi im është që ti them Pejgamberit tonë Muhammedit a.s. nëse e takoj Ditën e Gjykimit se unë kam merituar të jem mysliman dhe se e kam mbrojtur Islamin.

·          Qëllimi im është i qartë, e falënderoj Z. Amr Khaled dhe i lutem Allahut që të më falë shprehjen dhe oratorinë si të tijën dhe të më udhëzojë në moralin më të mirë”.

·          Qëllimi im është të përmbush ajetin Kur`anor: O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)! Allahu na i pranoftë punët e mira”.

·          Pasi të gjithë ju dini se çka janë filmat e vizatuar, qëllimi im është të përcjelli idetë për Islamin dhe myslimanët nëpërmes filmave të vizatuar.

 

Ajo që dua ta theksoj këtu është se ka njerëz që kanë qëllime të qarta, njerëz të cilët kanë ide konfuze apo të tillë që nuk kanë asgjë në mendjet e tyre. Dëshirojmë nga të gjithë ju: rinia, fëmijët, gratë e burrat e moshuar ti shkruani qëllimet tuaja – ju nuk mund të jeni mysliman pa qëllim. Për më tepër, ky qëllim duhet të jetë shumë i qartë në kokat tuaja, se si do ta arrini atë. Tani do të paraqesim shembuj të individëve që kanë qëllime. Betohem se Allahu me siguri do të ju ndihmojë që nga momenti kur të definoni qëllimin tuaj dhe filloni të përpiqeni për ta arritur atë; dhe ju patjetër do ta arrini. Mos e harroni moton të cilën e përmendin në secilën episod: “Çdo kush që ka një ide apo qëllim, jeton për të dhe është i vendosur për ta arritur atë, bën përpjekje për atë, në fund do ta arrij atë”.

 

Ajeti është i qartë: Dhe kushdo që dëshiron një shpërblim në (këtë) botë, Ne do ti japim; dhe kushdo që dëshiron një shpërblim më pas, Do t`ia japim atëherë.  Thelbi i idesë është “Dëshira” ose “vullneti”. Ekziston një dallim i madh ndërmjet vullnetit  dhe dëshirës. Fjala “dëshirë” vjen nga vullneti dhe përpjekjet. Allahu xh.sh. premton t`u ndihmojë atyre që kanë qëllime dhe bëjnë përpjekje për të arritur atë. Nëse mënjanoni fjalët “botë” dhe “më pas”, ajeti do të thotë “Kushdo që dëshiron...Ne do ti japim”.


Tani të shohim disa shembuj të njerëzve gjatë historisë:

 

1. Imam Neveviu: Ai kishte qëllim fisnik në jetë, ai dëshironte që të gjithë myslimanët, nga të gjitha klasat dhe standardet intelektuale, ta duan Sunetin e Pejgamberit a.s. pavarësisht se a janë të shkolluar apo jo. Ai zhvilloi një plan program që i përgjigjet të gjithë myslimanëve. Në fakt, Imam Neveviu vdiq në moshën 40 vjeçare dhe nuk u martua fare. Ai shkroi një libërth të vogël të quajtur “Dyzet hadithet Nevevi” për fillestarët dhe një libër tjetër të cilin të gjithë e dimë “Rijadus Salihin” për shkallën e mesme dhe edhe një libër tjetër për shkencëtarët e specializuar dhe mendimtarët që ka vëllime të mëdha të quajtur “Përshkrimi i myslimanit të vërtetë”. Ai shkroi të gjitha këto libra. Është kjo si plan programi për nxënësit fillestar, pastaj përgatitës, të shkollës së mesme, studentëve të fakultetit dhe studentëve pas universitar. Ai ishte një person, mirëpo kishte qëllim të vërtetë.

 

2. Omer Ibn Abdulaziz: dëgjoni çfarë thotë ai për vetveten: “Unë kam shpirt ambicioz” që do të thotë shpirt që ka aspirata i cili nuk pushon dhe i cili nuk kënaqet me gjithçka sepse aspiratat dhe qëllimet e tij janë aq të mëdha. Ai thotë: “Një ditë, dëshirova të martohem me Fatima Bin Abdel-Malek për të formuar familje myslimane. E di se ajo është grua e mirë. Kështu që, u martova me të dhe arrita sukses. Pastaj, dëshirova të jem sundimtar i Medinës me qëllim që të sundoja në mënyrë të drejtë qytetin e Pejgamberit a.s. Edhe këtë e arrita. Pastaj dëshirova të jem halife i myslimanëve me qëllim që të sundoja sikurse Udhëheqësit e Besimtarëve në fillim të Islamit. Kurse sot, çfarë dëshiron Omer? “Dëshiroj parajsën“. Shpirti i tij ishte gjithnjë ambicioz dhe i papajtueshëm.  Ju them atyre që qëndrojnë të palëvizshëm duke thënë: “Ne vetëm jetojmë për të vdekur”, shikoni ambiciet e Omerit!

 

3. Muhammed El-Fatih: Ai pushtoi Konstantinopolin kur ishte vetëm 26 vjeç, sepse gjithmonë kishte ëndërruar një gjë të tillë.

 

4. Do të ju tregoj një tregim shumë qesharak për një njeri në Andaluzi që quhej Mervan El-Hammar:  Ai bënte bartjen e njerëzve duke përdorur gomarët si mjet transporti. Kjo ishte një punë shumë e thjeshtë dhe modeste. Në një rast, ai po rrinte ulur me dy shokë që bënin po të njëjtën punë. Ai u tha atyre: “Paramendoni nga një dëshirë” mirëpo ata u qeshën dhe i thanë: “Çka është dëshira jote?” Ai tha: “Dëshira ime është të sundoj Andaluzinë”. Ata u qeshën mirëpo i pari prej tyre morri vesh se Mervani fliste seriozisht dhe tha: “Nëse ia del, më lejo të jem krye Hammari (puna që e bënte Mervani). Shoku i dytë deshi të bënte shaka me Mervanin dhe tha: “Nëse ia del, atëherë unë do ta ngas gomarin mbrapsht dhe do të udhëtoj nëpër vend që njerëzit të më përqeshin”. Koha kalonte dhe Mervani iu bashkëngjit policisë, dhe gradualisht përparonte deri në momentin kur u bë shef i policisë; pastaj kaloi ne qeveri dhe hap pas hapi u bë kryeministër. Pas kësaj, ai arriti shumë sukses u bë shumë i njohur, ai u bë sundues i Andaluzisë kurse emri i tij popullor u bë “El-Haxhib El-Mensur”. Një ditë, ai tha që t`ia sillnin shokët e tij të vjetër. Të parit i tha: “Ti do bëhesh krye Hammar në Andaluzi, unë do të të jepja çfarë do që të kishe kërkuar atëherë”. Sa i përket të dytit, ai i tha: “Ty do të jap atë që kërkove vetë, do të të lë të ngasësh gomarin mbrapsht dhe të ecësh nëpër vend që të qeshin të gjithë”.

 

Pra njerëz, ku janë qëllimet tuaja. Nuk ka rëndësi nëse El-Haxhib El-Mensur ishte i mirë apo jo, ajo që ka rëndësi është vetë ideja, ai kishte një qëllim dhe bëri të gjitha përpjekjet për ta arritur atë.

 

Arritëm në pjesën e fundit të episodit tonë të sotshëm, në të cilën na nevojitet një laps dhe një fletë, Pse? Sepse do të kalojmë nga pjesa teorike në pjesën praktike. Ekzistojnë disa kushte të rëndësishme për çdo qëllim:

 

1. Që qëllimi të jetë i qartë, specifik që mund të matet e jo i paqartë apo i pasigurt. Për shembull, nëse qëllimi juaj është t`u shërbeni myslimanëve, ky nuk është qëllim i qartë apo i matshëm. Ky koncept rrjedh nga librat shkencor. E gjitha që kemi thënë ishte për të ju motivuar moralisht kurse tani është koha të kemi qëllime të vërteta në jetë. Sikurse ajo që dëgjuam më parë:“Dëshiroj të ndërtoj një fshat për personat e retarduar mentalisht”. Kjo është deklaratë e qartë dhe specifike. Ndërsa:“Unë dua të ju shërbej myslimanëve” nuk është specifike.

 

2. Që qëllimi të përbëhet nga dy elemente: të qenit ambicioz dhe real në të njëjtën kohë. P.sh. nëse nxënësi thotë “Qëllimi im është të kaloj provimet e shkollës së mesme”, ky nuk është qëllim, sepse është normale që secili dëshiron të kalojë provimet, apo vallë dëshironi të bini nga provimet? Qëllimi duhet të jetë: “Dua të arrij këtë dhe atë, dua të jem i dalluar dhe të fitoj çmimin Nobel, të marr një doktoraturë”. Qëllimi duhet të jetë në të njëjtën kohë ambicioz dhe real. Nuk duhet të jetë e imagjinuar si p.sh. nëse një nxënës i shkollës së mesme thotë “Dëshiroj që të kem kanalin tim satelitor vitin tjetër” derisa ende është në shkollën e mesme.

 

3. Qëllimi nuk duhet të jetë egoist dhe i përqendruar kah ju, ai duhet të jetë i drejtuar në shërbim të shoqërisë, shtetit dhe myslimanëve. Qëllimi i përqendruar në vetvete është qëllim afat shkurtër. Për shembull, një person thotë: “Qëllimi im është të i edukoj fëmijët e mi”. Kjo është mirë, mirëpo keni kujdes, sepse kur ata fëmijë rriten dhe martohen e të kenë fëmijët e tyre, do të ju lënë kurse ju do të ndiheni sikur ta keni përfunduar misionin tuaj dhe do të vuani nga depresioni. Kështu ndihen të moshuarit kur fëmijët e tyre rriten, martohen, bëjnë fëmijë, udhëtojnë dhe arrijnë sukses. Ku është pjesa tjetër e qëllimit tuaj? Një person dëshiron ta ketë një kompani të madhe për vete. Kompania u themelua dhe çka tash? Në fakt, asgjë, ai në fund do të dalë në pension. Për këtë arsye qëllimi juaj duhet të drejtohet kah përfitimi i shoqërisë, shtetit dhe myslimanëve. Në këtë rast, jeta juaj do të mbarojë kurse qëllimet tuaja jo. Kjo është aspiratë e madhe dhe qëllim përfundimtar. Sa më shumë që qëllimet tuaja drejtohen kah kënaqja e Allahut xh.sh. dhe suksesit të shtetit tuaj, aq më të mëdha do të jenë qëllimet e juaja.

 

4. Që të besoni në qëllimin tuaj fuqishëm dhe vazhdimisht me të gjitha shqisat dhe aftësitë e juaja. Besimi juaj në qëllimin tuaj duhet të jetë sikurse rasti kur Pejgamberi a.s. i ka thënë xhaxhait të vet: “Të betohem xhaxha se edhe po të ma vënë diellin në njërën dorë dhe hënën në dorën tjetër për të lënë porosinë e Islamit, nuk e lë derisa Allahu ta lartësojë atë apo unë vdes për të”. E shihni pra si duhet të jetë besimi në qëllimin tuaj!!

 

Këto ishin katër cilësitë e rëndësishme të qëllimeve. Pika tjetër është aspektet që ju duhen për ta përmbushur qëllimin tuaj, mendoj në cilësitë psikologjike që ju duhen për t`i arritur qëllimet tuaja:

 

  1. Shpresa dhe optimizmi, në Islam ekziston fjala “Bushra” ose përgëzimi në Kuranin Famëlartë. Pejgamberi a.s. ka qenë gjithmonë optimist dhe gjithmonë ka shpresuar

 

  1. Durim, durim, durim. Ju duhet të jeni durimtar dhe kurë të mos e humbin shpresën apo të nguteni. Një herë, Habab Ibn El-Ark erdhi duke u ankuar tek Pejgamberi a.s. e tha: “A mund të lutesh për ne, jemi në mjerim, të lodhur dhe u ngopëm me pa besimtarët që po na torturojnë”. Profeti u nervozua dhe fytyra e tij u skuq dhe tha: “Në popujt që kanë qenë para jush kishte njerëz që janë prerë me sharrë por kurrë nuk e kanë lënë fenë e tyre, betohem se Allahu do të ndaloj këtë, por ju po nguteni”. Keni durim sepse në fund ju do të arrini atë që doni. Problemi është se rinia provon një herë ose dy dhe pastaj kur ai ose ajo nuk arrin sukses dëshpërohet dhe thotë: “S`ka dobi nga kjo, provova shumë herë dhe dështova.” Pejgamberi a.s. provoi me fiset Arabe 12 vite para se të shkojë në Medine. Ai provoi 26 herë.

 

  1. Duhet të përpiqeni shumë, me përpjekje të jashtëzakonshme e jo të flini e ëndërroni. Dëgjoni këtë:

 

    1. Qëllimi pa përpjekje = ëndrra. E vërtetë!
    2. Përpjekjet pa qëllime = humbje kohe.
    3. Qëllimi + përpjekja = ju mund ta ndryshoni botën.

 

  1. Mundësia e parafytyrimit të hollësive lidhur me realizimin e qëllimit. Ëndërroni për qëllimin tuaj dhe thoni se do të bëni këtë dhe atë dhe do të kënaqeni me ëndrrën përderisa imagjinoni detajet e qëllimit. ”Do të jem fituesi i parë i kampionatit, pastaj do të përkulem para Allahut e ti falënderohem atij, do t’i lutem atij dhe do të jem shembull i sjelljeve të mira e kështu me radhë dhe pas themelimit të kompanisë do të filloj të punësoj njerëz “. Pra keni detajet e qëllimit tuaj dhe kjo është pikë shumë e rëndësishme në arritjen e atij qëllimi.

 

  1. Besoni në Allahun xh.sh. Kjo është aftësi morale, sepse çdo gjë është nën kontrollin e Allahut xh.sh. Dhe ai kontrollon çdo gjë.

 
Pika e fundit dhe më e rëndësishme është se si ta arrini qëllimin tuaj? Ju lutem, përqendrohuni me mua: përgatitni një laps dhe një fletë dhe shkoni në një vend të qetë. Shkruani të gjitha ëndrrat tuaja të cilat dëshironi ti arrini, shkruani dhe shkruani. Kurrë mos thoni kjo nuk mund të ndodhë. Jo tani. Në këtë fazë leni anash pengesat. Hapeni mendjen tuaj, mendoni çka të doni dhe shkruani aspiratat tuaja, ëndrrat dhe dëshirat. Tani do të ju tregoj se si ta definoni qëllimin tuaj. Në një fletë tjetër, shkruani sinqerisht pikat tuaja të forta dhe të dobëta. Kjo metodë përdoret në analiza shkencore. Për shembull:

 

  • Shënoni pikat e forta: durimin, përpjekjet dhe se kurrë nuk mërziteni.
  • Shënoni dobësitë tuaja: jeni nervoz dhe dorëzoheni lehtë.
  • Shënon pikat e forta: që kuptoni shumë mirë ekuacionet matematikore.
  • Shënoni pikat e dobëta: që shkathtësitë tuaja gjuhësore janë të dobëta.
  • Shënoni pikat e forta: që keni njohuri të mira në kompjuter dhe për kërkimin në internet.
  • Shënoni pikat e dobëta: që ju mungojnë këto e këto shkathtësi...

 

A e kuptoni se çfarë dua të ju them? Dobësitë dhe anët e mira të juaja në një anë dhe ëndrrat në anën tjetër. Filloni të kombinoni këto ndërmjet veti. Definoni qëllimin tuaj me anë të dobësive dhe të mirave që i keni në raport me ëndrrat që doni ti arrini. Kjo mund ta zgjasë dy orë, dy javë apo madje edhe dy muaj. Nuk ka nevojë për tu ngutur. Ajo që është me rëndësi është që ju të definoni se “cili është qëllimi im?”. Merrni këtë copë letre dhe shkoni të ndonjë njeri i mençur cili ju donë dhe aftësive dhe përvojës të së cilit i besoni. Kërkoni mendimin e tij lidhur me atë që keni shkruar për të përfituar nga përvoja e tij. I tregoni atij për qëllimet tuaja. Kjo bëhet kështu. Madje edhe mund ta vizitoni web faqen tonë dhe ne do të ju ndihmojmë. Shënoni qëllimet e juaja dhe ne do të ju ndihmojmë që ti arrini ato.

 

Deri tani mirë, pas kësaj vjen një pikë e rëndësishme. Ndani këtë qëllim në qëllime graduale. Për shembull:

 

Unë dua ta fitoj çmimin Nobel:

 

  • Qëllimi i parë: Nuk e di mirë anglishten, kështu që duhet ta mësoj atë. Për këtë qëllim më nevojitet një vjet. Qëllimi i dytë: Do të shkoj në kurse dhe do të udhëtoj jashtë vendit për dy vite. Kjo është faza e dytë, dhe unë do të bëj këtë e atë. A më kuptoni?


Dua të fitoj kampionatin në X në Lojërat Olimpike.

 

  • Qëllimi numër një është të fitoj kampionatin në qytetin tim; ky është synimi im për vitin e ardhshëm. Pastaj, do t’i bashkëngjitëm kampit të trajnimit.

 

Qëllimi im është të bëhem mësuesi më i mirë i Kur`anit në botë,

 

  • Prandaj, do ta mësoj Kur`anin nga ky dhe ky profesor etj.

 

Ideja shndërrohet në plan kohor me nën-qëllime që qojnë kah plani i përsosur final. Ky është planifikim i vërtetë dhe ky është qëllimi i jetës suaj. Projekti ynë i kësaj jave është të bëjmë atë që sapo thamë - duhet të definoni qëllimet. Rinia që ka provime, duhet të definoni qëllimet tuaja, duhet të arrini sukses sepse kjo është pjesë e rëndësishme e qëllimeve tuaja. Ju lutem, mësoni shumë, sepse krijuesi i jetës kurrë nuk duhet të dështojë. Dhe ne dëshirojmë të krijojmë jetë. Nëse doni të shikoni këtë program, shkoni dhe mësoni shumë.

 

Arritëm në fund të episodit të sotëm. Do të vazhdojmë me projektin e suksesshëm të rrobave. Do të vazhdojmë të mbledhim edhe këtë javë kurse fazën e klasifikimit do ta fillojmë në fillim të korrikut. Dëshiroj që secili nga ju të shënojë qëllimet e tij/saj në jetë dhe planin. I lutem Allahut xh.sh. që të gjithë nxënësit ti kalojnë provimet me sukses dhe që ti pranojë veprat tona. Ju faleminderit shumë dhe shihemi herën tjetër.

 

Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju.

yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar


AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes