Episodi 13 Ruajtja e pasurive tona - pjesa e dytë



 

SUNAA’ AL-HAYAH

- KRIJUESIT E JETËS -

Episodi 13     Ruajtja e pasurive tona - pjesa e dytë

 

Ruajtja e pasurive tona - pjesa e dytë

 

Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe selamet dhe salavatet i dërgojmë Profetit të Tij. 

 

Në episodin e kaluar kemi folur për “Rruajtjen e pasurive tona”. Është kjo një prangë e vështirë që lidh duart tona. Ne kemi shumë resurse por nuk jemi të aftë të i ruajmë ato. Ju kujtohet se kemi përfunduar episodin e kaluar duke cekur se janë dy lloje të resurseve

 

  1. Resurset njerëzore dhe
  2. Resurset natyrore

 

Kemi përmendur se resursi më i rëndësishëm njerëzor është mendja e njeriut, ky kapacitet i pashfrytëzuar i quajtur ”mendja jonë”, mendja e rinisë dhe njerëzve, të popullit i cili është i pasur me rini dhe i shteteve tona që janë të pasur me rini dhe mendje. Këto mendje janë të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së trajnimit, mungesës së praktikës apo për shkak të papunësisë.

 

Ne kemi kapacitet të madh njerëzor, resurs të madh njerëzor dhe resurse të bollshme natyrore. 60 % të resurseve botërore janë në shtetet tona. Ne kemi resurse tokësore, ujore dhe kemi kapacitete të konsiderueshme njerëzore dhe natyrore. Edhe përkundër kësaj ne nuk jemi të suksesshëm. Pse? Edhe pse resurset që ekzistojnë në pjesën tjetër të botës gjinden me bollëk në shtetet tona, qofshin ato resurse njerëzore apo natyrore ne prapëseprapë nuk jemi të suksesshëm, pse?

 

Arsyeja është se kemi një prangë të rëndë dhe problem të madh me resurset tona. Cili është ky problem? Ne nuk dimë si t’i shfrytëzojmë resurset tona prandaj i keqpërdorim ato. Ne nuk shfrytëzojmë resurset tona, si p.sh. mendjet tona të plogëta. Fermat tona pjellore, si ato në Sudan, janë të pa kultivuara. Resurset që i kemi me bollëk ose janë të pashfrytëzuara ose janë të keqpërdorura. Si i keqpërdorim resurset tona?

 

P.sh. kohën të cilën e shpenzojmë kot, a nuk është ky resursi ynë më i madh? Koha jonë ka humbur vlerën e vet. Si do të shpenzojë rinia jonë pushimet verore? Koha po harxhohet kot, uji po harxhohet kot, rrobat harxhohen kot dhe ky është projekti për të cilin flasim tani.

 

Kapacitetet janë shterur; resurset njerëzore, koha dhe resurset natyrore janë të gjitha të shterura. Prandaj cili është qëllimi im?

 

Unë dëshiroj të ringjallemi dhe të bëhemi të vetëdijshëm për resurset tona. Çdo person duhet ta shikoj veten, familjen e tij, vendin e tij dhe resurset  e tija. Ne duhet të ndryshojmë sjelljen tonë. Ndoshta pyeteni se a mund të ndërrojë programi ynë sjelljen e njerëzve dhe ti bëjë ata të kujdesshëm për resurset e tyre? Përgjigja ime është se do të provojmë së bashku, por si? Do të fillojmë me një projekt të vogël e të lehtë. Një projekt shumë të lehtë pa komplikime. Nëse arrihen rezultatet e kërkuara do të kemi efekt jashtëzakonisht të madh dhe njerëzit do të kuptojnë rëndësinë e resurseve dhe çfarë pronë e vlefshme janë ato.

 

Pasuria e ndonjë shteti në botë, vlerësohet në bazë të resurseve që ajo posedon si dhe aftësisë së shfrytëzimit të tyre. Ne kemi çdo gjë por nuk shfrytëzojmë asgjë. Prandaj cili është projekti që e propozoj për trajnimin në rruajtjen e resurseve tona. Çka mund të bëjmë e në të njëjtën kohë të mos flasim vetëm teori, të mos ligjërojmë vetëm për resurset?

 

Nëse vetëm ju këshilloj të ruani resurset e juaja, çka do të jetë dobia? Asgjë. Ideja e këtij programi është e ndryshme. Lë të bëjmë diçka që do të na mësojë të rruajmë resurset tona. Cili është projekti?

 

Projekti i rrobeve: dëshirojmë të transformojmë vlerën e rrobeve në  dollapët tona që është zero në diçka që ka vlerë te nevojtari. Pra vlera e tyre bëhet 100%. Ky projekt ka karakteristika të veçanta, prandaj edhe e kemi zgjedhur.

 

  1. Ju do të zgjidhni rrobet nga dollapi i juaj dhe do t’i jepni organizatave humanitare të cilat janë pajtuar që t’i grumbullojnë ato, shumë thjeshtë.
  2. Ky projekt po ashtu prodhon rezultate të shpejta. Pas tre javësh do të publikojmë numrin e thasëve që janë grumbulluar, të cilat do të shpërndahen të varfërve të cilëve u nevojiten ato. Njerëzit do të shohin se kemi grumbulluar një numër të madh të thasëve kështu që 2 deri 3 milion njerëz do të marrin rrobe të reja. Kjo do të tërheqë vëmendjen e njerëzve kur të shohin efektin e këtij projekti. Kjo do t’i shtyjë ata të çmojnë resurset e tyre dhe ky është qëllimi ynë.
  3. Ky projekt nuk i pengon nxënësit gjatë përgatitjeve të tyre për provimet përfundimtare. E tërë ajo që duhet të bëjnë është të hapin dollapët e tyre, që nuk merr më tepër se 10 minuta, dhe ti dorëzojnë ato.
  4. Çdo anëtar i familjes mund të merr pjesë në këtë projekt. Edhe fëmijët mund të marrin pjesë. Është e rëndësishme që ata të lejohen të zgjedhin vetë atë që nuk u nevojitet e jo që nënat e tyre të vendosin për ta. myslimanët, të krishterët, synitët, shiitët, të gjithë mund të marrin pjesë. Çdokush mund të marri pjesë meqë projekti është shumë i lehtë. Kjo do të na bashkojë dhe do të na afrojë.

 

Këto ishin karakteristikat e këtij projekti. Parashtrohet pyetja se cilat janë fazat e projektit? Janë tri faza:

 

  1. Faza e parë (faza e tanishme) grumbullimi i rrobeve. Ajo që duhet të bëni është të hapni dollapët e juaja dhe të zgjidhni teshat që nuk ju nevojiten dhe t’i grumbulloni ato. Pastaj vizitoni web faqen www.amrkhaled.net dhe gjeni qendrën grumbulluese më të afërt. Gati secili qytet dhe secila krahinë në Botën Arabe dhe Evropë ka qendrën ku grumbullohen rrobet. Nëse nuk keni qasje në internet, mund të telefononi në njërën prej numrave të këtij programi dhe të kërkoni qendrën më të afërt grumbulluese. Ata do të ju japin të njëjtën informatë e cila është në internet. Prandaj mënyra është shumë e lehtë dhe lokacionet në dispozicion janë ose depo të ndërmarrjeve apo organizata humanitare.
  2. Faza e dytë. Kjo fazë nuk ka filluar ende e kjo është faza e klasifikimit. Tani për tani, e tërë ajo që nevojitet është të dorëzoni rrobet pasi të i lani dhe hekurosni ato.
  3. Faza e tretë: Kjo do të bëhet nga organizatat humanitare, kompanitë dhe ata që grumbulluan rrobet dhe i klasifikuan ato në bazë të moshës. Prandaj projekti është i lehtë dhe i qartë për secilin.

 

Nëse dëshirojmë të flasim për projektin edhe më tutje do të vërejmë se ai nuk është projekt i ri dhe se është praktikuar nga shumë shoqata dhe institucione, Allahu i shpërbleftë për veprat e tyre të mira. Na kujtohen prindërit tanë të cilët kishin zakon çdo verë dhe dimër të grumbullojnë rrobet e vjetra e ti shpërndajnë ato. Dikush mund të thotë se unë po e ekzagjeroj shumë këtë projekt.

 

Unë i them atyre se ky është një projekt i ri meqë praktikohet në të njëjtën kohë në tërë Botën Arabe. Kjo do të thotë se efekti do të jetë shumë i madh. E tërë bota, jo vetëm Bota Arabe është e mirëseardhur të merr pjesë, qofshin myslimanë apo jo-myslimanë. Ajo çka duhet bërë është të gjinden lokacionet në shtetet e ndryshme, të publikohen ato në web faqe, e pastaj ne do t’i drejtojmë të tjerët kah ato.

 

Prandaj projekti zhvillohet në të njëjtën kohë ku do të mblidhen me miliona rrobe. Kjo do të bëjë që secili të mendojë për vlerën e resurseve. Kjo do të ketë efekt të paparë tek njerëzit dhe do të ngjallë shpresat te secili nëse grumbullojmë sasi të madhe të rrobeve. Kjo do të bëjë që njerëzit të besojnë se ne mund të krijojmë ndryshime dhe se mund të arrijmë sukses. Prandaj ju them haptas me bindje dhe pa hezitim se caku duhet të jetë pjesëmarrja e NJË milion njerëzve në këtë projekt. Dëshiroj që secili të jetë dëshmitar i këtij projekti dhe të jenë të ndikuar nga ajo. Dëshiroj që të varfrit e Botës Arabe të ndiejnë unitetin dhe përkatësinë tonë. Dëshiroj që njerëzit e pasur të kuptojnë vlerën e resurseve të tyre. Dëshiroj ringjallje. Qëllimi është që t’i zgjojmë njerëzit dhe të rrisim besimin e tyre. Prandaj caku i projektit është numri aq i madh – që të prodhojmë efekt. Kush mund ta bëjë këtë? Ju.

 

Pas këtij episodi, misioni im përfundon dhe vazhdimi varet nga ju. Dëshirojmë që një milion familje të dhurojnë rrobe. Kjo do të rezultojë me grumbullimin e gjysmë milioni thasësh me rrobe. Çdo dy familje do të mbushë një thes. Do të pyetni si kam ardhur deri te ky numër aq i madh. A është ky numër i rastësishëm?

 

Definitivisht jo! Kam prova të forta që rezultojnë me këtë numër. Ato janë:

 

1.      Prova e parë: Ky program filloi para tre muajsh. Kam përgatitur grafikun e progresit të projekteve të ndryshme të cilat i kemi kryer.

 

a)      Projekti i pozitivizmit – 15.000 pjesëmarrës

b)      Respektimi i trupit të gruas – 100.000 pjesëmarrës

c)      Luftimi i pesë narkotikëve – 300.000 pjesëmarrës

 

Këta janë njerëzit që kanë komunikuar me ne përmes web faqes, telefonit dhe faksit. Këtu nuk hyjnë ata që kanë marrë pjesë por që nuk kanë komunikuar me ne.

 

Këto janë rezultatet e programit deri tash, prandaj nëse ndjekim progresionin natyror të grafikut do të arrijmë te numri 1.000.000 pjesëmarrës për këtë projekt.

 

2.      Prova e dytë: Ky projekt filloi javën e kaluar kur e paraqitëm shkurtimisht. Episodi i sotëm flet për këtë projekt në detaje dhe inkurajon pjesëmarrjen e secilit për të arritur sukses në këtë projekt. E kemi përmendur projektin javën e kaluar dhe kërkuam nga ju që të filloni. Ideja për këtë projekt nuk është e imja ajo i takon një të riu me emrin Ahmed Imam. Ai është inxhinier egjiptian. Ai telefonoi në program dhe sugjeroi idenë. Pastaj e planifikuam dhe e shpërndamë në tërë Botën Arabe. Në fillim Ahmed Imam kishte grumbulluar vetë 200 thasë me rrobe. Ne pranuam projektin dhe filluam ta reklamojmë atë. Javën e kaluar ndodhi një zhvillim i çuditshëm:

 

1.      Për katër ditë, 3200 njerëz ofruan vend për grumbullim

2.      Këto vende janë në 26 shtete; të gjitha shtetet arabe pos Somalisë dhe Mauritanisë janë përfshirë. Shtete tjera janë: Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Kanada, Anglia, Ukraina, Zvicra dhe për çudi Hong Kongu. Jemi krenarë që ky projekt ka arritur edhe në Hong Kong.

3.      Disa shtete ofruan më shumë se një vend për grumbullim: Egjipti ka 55 vende ne 25 krahina, Emiratet kanë 7 vende, Siria 10, Jemeni 10 Jordani 8, Maroko 16, Tunizi 5, Libani 7, Algjeria 8 dhe Hong Kongu vetëm një. Pra, numri sugjeron se qëllimi nuk është i pamundur nëse vazhdon ky trend.

4.      Numri i thasëve të grumbulluara deri tani për 4 ditë pas emetimit të këtij programi është 40.000. Ndër rezultatet mahnitëse është se Ahmed Imami dhe ekipi i tij grumbulluan afro 6.500 thasë.

 

Nga 3200 vende kemi zgjedhur 161 lokacione qendrore për të ndihmuar procesin e komunikimit me ta. Kemi shpallur këto vende për 26 shtete në web faqen tonë. Kemi shpallur edhe numrat e tyre të telefonave. Nga 161 vende kemi: Shoqatën Bamirëse të Katarit, Gjysmë Hëna e Kuqe e Bahrejnit, Islamic Relief në Arabinë Saudite dhe kompanitë tjera të mëdha në Egjipt dhe Botën Arabe. Është e qartë se projekti ka sukses dhe ne jemi në gjendje të arrijmë suksesin. Me rëndësi është të hapni dollapin tuaj menjëherë pas këtij episodi.

 

Çdo ide mbetet ide derisa nuk e shohim në praktikë, vetëm atëherë filloni të mendoni dhe motivoheni të bëni diçka. Të gjitha projektet paraprake i propozuam ne dhe kjo është hera e parë që ju propozoni diçka që ne implementojmë dhe ju ndjekim juve duke kërkuar nga Allahu që të ju shpërblejë. Kur e propozuam sloganin nuk ishte qëllimi ynë të tallemi me ju. Me të vërtetë kemi menduar se “Së bashku ne krijojmë jetë”

 

Ju kam thënë se shtimi i idesë suaj në idenë time nuk prodhon idenë e tretë por ajo prodhon numër të pakufishëm të ideve. Kjo është ngjashëm me personin që qëndron në mes të dy pasqyrave ku sheh reflektimet e panumërta të vetvetes. Ahmed Imam bëri këtë me neve. Ai propozoi një projekt pasi që vetë e kishte filluar dhe kishte sukses. Për këtë arsye e ftuam në program për të folur për projektin e tij. Ftoj Ahmedin të prezantojë projektin e tij që secili i ri të ndiejë se është i aftë për sukses dhe arritje të qëllimeve të tija.

 

(Ahmed Imami flet...)

Paqja e Allahut qoftë mbi ju... Dëshiroj të filloj duke falënderuar z. Amr Khaled që më ftoi në programin e tij “Krijuesit e jetës” dhe për mikpritjen e ngrohtë. Nuk kam ardhur që të ju them se ideja ime është e re, por kam ardhur që të shprehi ndjenjën e përjetimit të suksesit. Dëshiroj të ju tregoj si mund të bëni diçka dhe të jeni dëshmitar i efektit tek të tjerët. Se si mund të takoni Allahun xh.sh. me këtë vepër dhe të jeni fatlum që të fitoni shpërblimin për të. Gjithmonë kam ndier se njeriu nuk mund të jetojë vetëm për veten e tij. Rezultati i shumëzimit të njëshit me një është një. Prandaj, nëse njeriu jeton vetëm për veten e tij pa kontribuar për të tjerët, ai mund të i bëjë dëm vetes. Kam menduar për një projekt për të cilën Allahu do të më shpërblejë i cili mund të ketë ndikim në komunitetin, të ndikojë tek myslimanët, fqinjët tanë dhe të gjithë njerëzit në rrugë. Desha të bëj diçka nga e cila do të përfitonin të gjithë. Ky program pati ndikim të madh në mua. Posaçërisht më kujtohet episodi i parë kur Z. Amr tha se kishte përgatitur këtë program për të arritur rezultate të caktuara dhe për njerëzit që të mund të reagojnë ashtu që të takojnë Allahun duke bërë diçka për hir të tij. Gjithmonë do ta mbaj mend këtë dhe e pyeta veten. Çka kam bërë unë? Çka do t’i them Allahut xh.sh. Se kam shikuar programin dhe jam kënaqur dhe kam përfituar shumë por nuk kam bërë asgjë? Atëherë ajo që mësova nuk do të aplikohej. Vendosa të bëj diçka prej nga do të përfitoj në botën e ardhshme.

 

Unë dhe shokët e mi filluam të mendojmë për një projekt nga e cila do të përfitonin komunitetet tona dhe Islami. U morëm vesh për një ide të thjeshtë dhe printuam 20.000 thasë me sloganin “Së bashku ne krijojmë jetë”. Në thes po ashtu shtuam “Participoni me ne në krijimin e jetës dhe sillni rrobet e pastra të hekurosura në adresat vijuese”. Inkuadruam disa adresa dhe numra të telefonit. Ideja ishte që thjeshtë të bëjmë diçka për hir të Allahut xh.sh. Nuk deshëm të bëjmë ndonjë punë shkel e shko, përkundrazi, u organizuam. Shumë grupe morën pjesë me ne, Allahu i shpërbleftë. Disa ishin të ngarkuar me afishet dhe vetë ngjitëset. Të tjerët menaxhuan projektin dhe resurset njerëzore. Jemi ndarë në grupe ku në krye të secilit grup ishte një udhëheqës. Dëshiroj të ju përkujtoj se edhe në pjesët tjera të Egjiptit janë njerëzit sikur ne apo në pjesë tjera të botës që janë duke bërë punë më të madhe se ne dhe projekte më të mëdha. Me rëndësi është që qëllimet tona të jenë për Allahun xh.sh. e jo të kërkojmë popullaritet para dritave dhe kamerave. Nuk ishte dëshira ime të dali në TV, me rëndësi është që Allahu të pranojë veprat tona.

 

Dëshiroj të theksoj reaksionin  e njerëzve ndaj kësaj ideje. Ka të rinj dhe nëna që vijnë dukë qarë dhe kërkojnë që të marrin pjesë dhe të ndihmojnë projektin duke ofruar para apo mundin e tyre. Disa njerëz ofruan automjetet e tyre për transportin e gjërave. Shpresojmë se njerëzit do të vazhdojnë të na ndihmojnë varësisht nga aftësitë e tyre sidomos rinia pasi të përfundojnë me provime. Kjo do të jetë koha kur do të fillojmë me fazën e dytë të projektit. Shpresojmë se do të na kontaktojnë dhe duke kombinuar mundin, me ndihmën e Allahut, do të formojmë grupe tjera për të përfunduar projektin.

 

Në fund dëshiroj të ceki çka kam përfituar nga ky projekt

 

-          më shumë vetëbesim

-          aftësi të reja drejtuese

-          si grup, u njoftuam më shumë. Zemrat tona u bashkuan ne nuk kemi kohë të lirë, në mëngjes punojmë ndërsa mbrëmjet i kalojmë me këtë projekt. E tërë kjo krahas ndjenjës së përgjegjësisë.

 

Besoni, nuk do të ndihemi të suksesshëm e as që do të çmojmë projektin tonë derisa nuk i shpërndajmë thasët dhe derisa nuk shohim lumturinë e njerëzve si rezultat i veprimeve tona. Ju falënderoj dhe kërkoj nga Allahu që të pranojë këtë nga ne.

 

(z. Amr Khaled vazhdon)

Në fakt, Ahmed Imam më përkujtoi për atë që kam thënë në fillim të programit. A ju kujtohet juve? Kushdo që vendos një qëllim para vetes, jeton për të dhe përpiqet ta arrijë atë, me siguri do të arrijë këtë qëllim gjatë jetës së tij. Allahu xh.sh. thotë “E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, Ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botes tjetër, edhe atij do t'ia japim atë” (Kur’an 3:145). Nëse nga ky ajet hiqni fjalën “e kësaj bote” dhe “botës tjetër”, Allahu xh.sh. premton se “Kushdo që kërkon shpërblim ne ia japim atë”. Pra Allahu ka dhënë premtimin e tij, me rëndësi është vullneti i fortë që ju nxit të veproni dhe të jeni në rrugën e drejtë. Përshëndes shembullin e Ahmed Imamit që grumbulloi 3500 thasë me grupin e tij, Allahu i shpërbleftë.

 

T’i kthehemi projektit të rrobeve. Thamë se qëllimi ynë është 1 milion familje dhe do të arrijmë këtë dhe do të ju informojmë javën e ardhshme inshallah. Në fakt dëshiroj që projektit t’i shtoj perspektiva të tjera të rëndësishme, jo vetëm aspektin e resurseve. Edhe pse tema jonë kryesore është rruajtja e resurseve tona, ky projekt ka edhe dimensione të tjera. Cilat janë ato?

 

1. Të varfrit që jetojnë në shtetet tona. Kush do t’i ndihmojë të varfrit e shteteve tona? Kush do t’i përkrahi ata? Gjendja e të varfërve po behet alarmante.

 

Në Botën Arabe janë më se 70 milion njerëz që jetojnë në varfërinë e skajshme. 28 milion nga ta jetojnë në Egjipt dhe Sudan. A mund të imagjinoni 70 milionëshin? A e dini ç’është varfëria e skajshme? Në standardet e jetës ekziston niveli minimal në tre gjëra

 

  1. Ushqim
  2. Veshmbathje dhe
  3. Strehim

 

Kush është nën atë minimum ai është në varfërinë e skajshme. Ky është definicion i Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë se 70 milion njerëz shpenzojnë nën minimumin në një apo më tepër nga tri kriteret (ushqimi, veshmbathja, strehimi). Ne jemi duke adresuar vetëm një të tretën e njerëzve. Prandaj projekti i rrobeve ka perspektivën tjetër pos asaj të resurseve që është ndihma e të varfërve.

 

Paramendoni që 1 milion familje participojnë dhe mblidhen gjysmë milion thasë. Kjo do të thotë se 3 deri 4 milion njerëz do të pranojnë rrobe të rreja. A mund të paramendoni se si janë shfrytëzuar resurset dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo tek të varfrit? Në Botën Arabe është një dallim i madh në mes të atyre që jetojnë në luks dhe të atyre që nuk mund të gjejnë ushqim.

 

-          disa njerëz veshin rrobet e tyre çdo ditë, i lajnë dhe i veshin prapë ndërsa ne qëndrojmë para dollapit tonë dhe nuk mund të vendosim çka do të veshim gjysmë ore.

-          Disa njerëz kanë rrobe të shqyera e këpucë me vrima, ndërsa ju nuk dini çka të bëni me rrobet e juaja.

-          Disa njerëz vdesin nga të ftohtit e dimrit, ndërsa ju vishni 3 apo 4 shtresa të rrobeve.

 

A mendoni se Allahu do të pranojë këtë nga ne? A janë këto mësimet e Islamit? Si është puna me ata që dollapët i kanë përplot me rrobe? Mos harroni, rrobet janë një e treta e çështjeve të varfërisë. A është Allahu i kënaqur me ne? Ne Sahihun e Buhariut është një hadith që kur ta ndëgjoni do të reagoni menjëherë posa të kryhet episodi dhe ju do të mbushni thasë me rrobe, jo vetëm një thes.

 

Një nga ashabët transmeton: “Derisa ishim me Pejgamberin a.s. erdhën disa njerëz këmbëzbathur dhe gati lakuriq, të prekur nga varfëria. Fytyra e Pejgamberit a.s. u skuq nga zemërimi me ne. Transmetuesi thotë: ”Pashë faqet e Pejgamberit a.s. duke u mufatur dhe fytyra i skuqej. Pejgamberit a.s. kishte një venë në fytyrë e cila mufatej me gjak kur zemërohej. Pejgamberit a.s. tha ”O Bilal, thirre ezanin”

 

Dëshiroj që të dëgjoni hadithin. Paramendoni veten se jeni nga ata të cilëve u drejtua Pejgamberi a.s.

 

Pra Bilai mblodhi njerëzit. Pejgamberi a.s. hipi ne minber duke lexuar nga Kurani O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju. “ 4:1 dhe pastaj vazhdoi me ajetin “O ju që besuat, keni parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe keni frikë Allahun, e s'ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!” 59:18 e pastaj tha “Le të shpenzojë secili nga ju nga hurmat e tij, gruri, dirhemët dhe rrobet e tij ashtu që vëllezërit e juaj mund të ushqehen”. Transmetuesi vazhdon: pastaj njerëzit u çuan duke vrapuar në shtëpitë e tyre. Pejgamberi a.s nuk u largua nga minberi derisa njerëzit u kthyen.

 

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, ju lutem dëgjoni, ky hadith do të jetë dëshmitar për ne në Ditën e Gjykimit.

 

Të gjithë njerëzit u kthyen. Njeri prej tyre solli një thes, tjetri solli veshjen, tjerët sollën hurma. Të gjitha këto u vendosën para Pejgamberit a.s. në ty grumbuj njëra me ushqim ndërsa tjetra me rrobe. Fytyra e Pejgamberit a.s. u ndrit sikur të ishte hëna. Pastaj Pejgamberi a.s. na shikoi dhe tha. “Kushdo që fillon një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e tij dhe të atyre që e bëjnë atë deri në Ditën e Gjykimit”. Pastaj na shikoi dhe tha “Kështu duhet të bëheni ju”.

 

A e dëgjuat këtë? Pra nuk është vetëm çështje e resurseve por njëkohësisht ka të bëjë me ndihmën e të varfërve dhe takimin me Pejgamberin a.s. Fytyra e Pejgamberit a.s. skuqet nga rrobet e grumbulluara dhe njerëzit këmbëzbathur. Pejgamberi a.s. kujdesej shumë për të varfrit, të cilët ne sot i harrojmë. Populli i Sufes ishin imigrantët e varfër pa strehim. A u dha strehim atyre në lagje të largët të varfër? Ai i strehoi ata menjëherë pas shtëpisë së tij. Ai deshi që ata të jetojnë afër tij, paqja dhe rahmeti qofshin mbi të. Kurdo që merrte ndonjë ushqim apo veshmbathje ai u jepte atyre. Ebu Hurejre r.a. një ashab i madh dhe transmetues i haditheve, ishte nga njerëzit e Sufes. Ai tregon “Zakonisht isha i uritur saqë kisha kriza të urisë nga të cilat humbja vetëdijen. Njerëzit mendonin se unë isha i marrë, por ishte kjo vetëm uria. Kurdo që ndonjë njeri kalonte afër meje i thosha: “Më lejo të të lexoj disa nga ajetet që kam mbajtur në mend”. Pastaj i lexonte ajetet mbi shpenzimin dhe sadakanë në mënyrë që dëgjuesi ta mëshironte. Ishte shumë i turpshëm për të kërkuar drejtpërdrejtë.

 

Shoqëritë tona vuajnë nga papunësia e madhe. Ka shumë njerëz që nuk lypin për shkak të dinjitetit dhe turpit të tyre. Ebu Hurejre ishte një nga këta njerëz. Ashabët tjerë i thonin “Na lexo” e ai do të fillonte “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dinë se Allahu s'ka nevojë për ju, është i Madhëruar” 2:267. Omer Ibn Hatab r.a. kaloi pranë tij. Ai i lexoi ajetet mbi sadakanë. Omeri i tha “Allahu të shpërbleftë” dhe shkoi. Afër tij kaloi Ebu Bekri të cilit po ashtu i lexoi ajetet mbi lëmoshën. Ai e shikoi me buzëqeshje dhe tha: ”Pasha Allahun, Ebu Hurejre nuk kam asgjë në shtëpinë time”. Ebu Hurejre vazhdon “Pastaj erdhi Pejgamberi a.s. Ai më shikoi dhe tha. “Eja, Ebu Hurejre”. pastaj më morri në shtëpinë  e tij dhe pyeti gruan e tij: “A ke diç për të ngrënë?” Ajo tha: “Vetëm një tas qumësht”. Pejgamberi a.s. morri tasin dhe tha: “O Ebu Hurejre, thirri njerëzit e Sufes” I thashë: “Por ata janë 100 vetë” Ai tha: ”Ebu Hurejre, nuk do të hamë as pimë vetë”. Ju lutem dëgjoni Pejgamberin a.s.

 

Ebu Hurejre thotë: ”Shkova dhe i thirra. Pejgamberi a.s. kërkoi që të ulen. Pastaj më shikoi dhe tha “O Ebu Hurejre shërbeji me qumësht” E morra tasin dhe ia dhashë njërit që të pijë, ai piu dhe ma ktheu tasin. Shikova a kishte mbetur ende qumësht. Pastaj i shërbeva të tjerët me qumësht. Vallahi të gjithë pinë. Pastaj Pejgamberi a.s. më tha me buzëqeshje. “Pi, o Ebu hurejre” Pastaj piva derisa u ngopa. Pastaj Pejgamberi a.s. tha “Pi, o Ebu Hurejre” I thashë “Nuk ka vend në stomakun tim” Pastaj Pejgamberi a.s. shikoi njerëzit dhe piu edhe vetë”. Kjo ishte një mrekulli e Pejgamberit a.s. Kështu duhet të bëhemi me të varfrit dhe kjo është çështje e rëndësishme.

 

2. Sevapi i madh. Ju jeni duke i dhënë gjërat e juaja si lëmoshë. A mund të paramendoni sevapin që fitoni?

 

·          Pejgamberi a.s. thotë ”Kushdo që jep lëmoshë një hurmë të fituar në mënyrë të lejuar (dhe Allahu xh.sh. pranon vetëm atë që është e lejuar), Allahu do ta furnizon atë ashtu si furnizoni ju kërriçin. Edhe një copë e vogël e ushqimit bëhet sa mali i Uhudit”. A mund të imagjinoni këtë. Në ditën e Gjykimit kur të takojmë Allahun xh.sh. edhe pjesa më e vogël e lëmoshës për ne shndërrohet në vepër të mirë sa mali i Uhudit. 

  • Pejgamberi a.s. thotë “Sadakaja largon zemërimin e Allahut sikur që uji shuan zjarrin”. Kjo do të thotë se vetëm më hapjen e dollapit tuaj dhe me dhënien e rrobeve të panevojshme, Allahu xh.sh. do të ju falë gabimet meqë keni dhënë lëmoshë.
  • Pejgamberi a.s. thotë “Allahu do të flet me secilin prej juve pa ndërmjetësues. Pastaj robi shikon në të djathtë dhe sheh vetëm atë që ka bërë. Pastaj shikon në të majtë dhe sheh vetëm atë që ka bërë. Pastaj shikon përpara dhe nuk sheh asgjë pos zjarrit të xhehenemit”. E pyetën: “Cila është rrugëdalja o i Dërguari i Allahut?”.” Mbroni veten nga zjarri i xhehenemit qoftë edhe me gjysmë hurme” Kjo do të thotë të ndani hurmën në dysh; njërën pjesë hani ndërsa tjetrën e jepni lëmoshë. Kjo do të ju shpëtojë nga zjarri i xhehenemit. Ky projekt do të na mësojë për vlerën e resurseve dhe për varfërinë.
  • Pejgamberi a.s. thotë: “Kushdo që vesh një mysliman, Allahu do ta mbrojë atë derisa veshja të vjetërsohet”
  • Pejgamberi a.s. thotë; “Nuk ka ditë që në mëngjesin e tij të mos zbresin dy melekë. Njëri nga ta thotë “O Allah, jepi atë që është më e mirë atij që shpenzon në rrugën tënde”. Meleku tjetër thotë “O Allah pakësoja atij që e ka dorën e shtrënguar”

 

Është edhe një çështje tjetër e rëndësishme, të cilën shumë nga ju nuk e dini. Në Ditën e Gjykimit ju do të jeni të veshur. Atë ditë njerëzit do të ringjallen të zhveshur dhe këmbëzbathur, si burrat ashtu edhe gratë. A do të jeni ju të veshur apo jo? Prandaj jepni për hir qëllimit vijues: ”O Zot Nuk dua të jem i zhveshur në Ditën e Ringjalljes”. Paramendoni njerëzit e veshur me sevapet e tyre ndërsa ju, çka keni shpenzuar? “O Zot, kam shpenzuar filan ditën për të i veshur njerëzit. Më vesh o Zot siq i kam veshur robërit e tu në këtë jetë”

 

Një ditë Omer Ibn Hatab r.a. ishte i ulur kur një beduin erdhi e i tha “O Omer, veshi vajzat e mia dhe nënat e tyre, pashë Allahun bëje këtë” Omeri e pyet ”Nëse nuk e bëj këtë, çka do të ndodh?”. Njeriu u përgjigj: “Atëherë do të shkoj, Ebu Hafs” (Ebu hafs ishte nofka e Omerit). Omeri tha: “Po nëse shkon çka do të bëhet?” Njeriu u përgjigj: “Nëse largohem, do të pyetesh ne Ditën e Gjykimit kur të të qojnë në xhehenem apo në xhenet”. Omeri qau, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai vrapoi dhe kërkoi shtëpinë e tij për rrobe. Ai pyeti gruan e tij: “A kemi rrobe?” Ajo tha: “Pasha Allahun nuk kemi asgjë”. Ai hoqi rrobet nga trupi dhe i tha njeriut: ”Merri këto, ndoshta do të më qojnë në xhenet e jo në xhehenem”. A i shihni këto ndjenja të prekshme ndaj të varfrit. Ju përkujtoj të gjithëve për shpërblimin.

 

3. Perspektiva e tretë është “shpresa”. Ky është dallimi në mes nesh dhe atyre që kanë grumbulluar rrobe më herët. Në të njëjtin moment, të gjithë ne jemi duke grumbulluar miliona rrobe për të ndihmuar 3 deri 4 milionë të varfër, nëpërmjet ekspozitave që do t’i organizojmë. Ky do të jetë hap i madh. Çka do të ndodh në brendinë e juaj? Çka do të ndodh me vëllain tonë Ahmed Imam? Ai filloi këtë projekt dhe ia doli të arrijë shpërblimin e të gjithë neve, ai vetë grumbulloi 6500 thasë.

 

Ju përkujtoj prapë për shpresën. Dikush mund të thotë: “Përse të grumbulloj rrobe në vendet e postuara në internet? Do të ia jap cilido që është i varfër. Cili është dallimi?” Dallimi është se ne nxisim më tepër shpresë. Si? Grumbullimi i gjërave bashkërisht do të na ofrojë energji enorme psikologjike. Njerëzit do të thonë “Ne punuam bashkërisht” Do të arrihet rezultat i jashtëzakonshëm. Njerëzit do të thonë “Ne e bëmë këtë”. A e kuptoni poentën?

 

Kjo është rruga e Islamit dhe Pejgamberit a.s.

 

-       Haxhi është grumbullimi i të gjithë myslimanëve në Arafat në të njëjtën kohë edhe përkundër turmës së madhe.

-       Namazi i bajramit është grumbullimi i të gjithë myslimanëve në të njëjtën kohë, të gjithë me tesha të reja.

-       Sadakatul fitri është ndihma e të varfërve në të njëjtën kohë. Në këtë mënyrë shpërndahet lumturia dhe ne ndihemi se të gjithë jemi bashkë.

 

Islami bazohet në këtë parim. Kjo është pjesa e re e projektit. Ajo jep shpresë dhe energji të madhe. Si?

 

Shikoni Pejgamberin a.s. dhe ashabët e tij kur ishin duke shkuar për në umre. Secili prej tyre thoshte telbijen në vete ” Lebejke Allahume lebejk. lebejke la sherike leke leb-bejk. Innel hamde ve niamete leke vel mulku la sherike leke”. (Të përgjigjem o Zot. Të përgjigjem, të përgjigjem. Ti nuk ke shok. Të përgjigjem. Ty të takon çdo lavdërim, mirësi dhe pushtet, në këtë Ti nuk ke shok). Atëherë Xhibrili a.s. zbriti nga qielli dhe tha: “O Muhammed, përse shokët e ty nuk ngrenë zërin kur madhërojnë Allahun”. Ashabët filluan të madhërojnë Allahun me zë. E dini se çka ndodhi? Zëri i tyre u shter duke e madhëruar Allahun në të njëjtën kohë me zë të lartë. Ky është rezultati i veprës që bëhet bashkërisht, prandaj u prodhua një energji enorme.

 

Prandaj ju them të gjithëve që të jepni në të njëjtën kohë për hir të kësaj. Lëvizni dhe hapni dollapët e juaja dhe do të arrijmë cakun tonë prej një milion familjesh ose gjysmë milion thasësh. Kjo do të sjell energji enorme dhe shpresë e cila aq shumë na nevojitet. Në situatën e tanishme të shteteve tona dhe myslimanëve, na nevojitet kjo shpresë. Prandaj na ndihmoni të arrijmë këtë ide të shpresës së jashtëzakonshme. Të bëjmë atë që ka bë Pejgamberi a.s. në betejën e Tebukut. Beteja ishte e vështirë dhe nevojitej ndihma financiare. Çka bëri Pejgamberi a.s.?

 

Ai u ngjit në minber dhe tha “Kush do të ndihmojë ushtrinë Usra?” Ai përsëriti këtë pyetje tri herë. Një njeri doli nga turma e njerëzve të cilët ishin në heshtje. Kjo është njëjtë sikur Ahmed Imami doli nga mesi ynë dhe tha  “Unë do të bëj këtë”. Pra Osman Ibn Afan u ngrit dhe tha: “Unë do të jap100 deve bashkë me furnizimet e duhura”. Pejgamberi a.s. buzëqeshi dhe tha ”Kush do të ndihmojë ushtrinë Usra?”. Ai deshi të ngritë moralin e njerëzve. Osman Ibn Afan tha “Do të jap edhe 100 deve tjera bashkë me furnizime”. Pejgamberi përsëriti për të tretën herë. ”Kush do të ndihmojë ushtrinë Usra?”. Osman Ibn Afan përsëri tha “Do të jap edhe 100 deve tjera bashkë me furnizime”. Atëherë Pejgamberi a.s. zbriti nga minberi dhe tha “Çka do që bën Osmani pas kësaj, nuk do t’i bëjë dëm”. Njerëzit ishin duke shikuar këtë. Pastaj Pejgamberi a.s. hoqi këmishën e tij dhe e shtriu në mes të xhamisë ashtu që nëse dikush vendos diçka në të, të tjerët mund ta shihnin. Rezultati ishte energjia enorme. Kjo ishte mënyra e Pejgamberit a.s.

 

Për këtë Omeri r.a. tha:  “Pasha Allahun do të jem para Ebu Bekrit”. Ai shkoi dhe solli gjysmën e pasurisë së tij. Pejgamberi a.s. e pyeti: “Çka ke lënë për familjen tënde?” përse e pyeti Pejgamberi a.s. kështu? Në mënyrë që secili të ndiejë produktivitetin. Ai u përgjigj “U kam lënë atyre gjysmën tjetër”. Atëherë erdhi Ebu Bekri dhe Pejgamberi a.s. e pyeti “Çka ke lënë për familjen tënde?”. Ai tha: “Kam sjell të gjitha paratë e mia o i Dërguari i Allahut. Atyre u kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e tij”. Omeri r.a. tha: “ Pasha Allahun, kurrë nuk të kam kaluar o Ebu Bekr”. Njerëzit u ngritën dhe shpejtuan në shtëpitë e tyre dhe sollën atë që kishin: hurma, ushqim, tesha. Abdurrahman Ibn Avf solli 1000 dirhem. Grumbulli sa vinte e rritej. Njerëzit inkurajonin njëri tjetrin. Në fund ushtria myslimane fitoi në saje të asaj që u grumbullua.

 

Allahu i plotfuqishëm thotë “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”(83:26). Meqë jemi duke e kryer këtë projekt së bashku, atëherë të garojmë me Ahmed Imamin.

 

-       Njoh një grua në Arabinë Saudite, Allahu e shpërbleftë, që ka mbledhur vetë 120 thasë.

-       Disa të rinj nga Aleksandria kanë mbledhur vetë 1300 thasë. Disa të rinj nga Damasku filluan projektin që e pagëzuan ”Rruajtja e pasurisë” për grumbullimin e rrobeve.

-       Disa të rinj nga Emiratet aplikuan projektin në tërë botën.

-       Disa të rinj nga Universiteti “Taith” shpërndanë projektin gjithkund.

 

Ky është rast i mirë për

 

1.      Rruajtjen e resurseve

2.      Për shpresën që na nevojitet

3.      Për të varfrit që duhet të përkrahim dhe

4.      Sevapin e madh.

 

A i shihni perspektivat e ndryshme të projektit?

 

Është edhe një perspektivë tjetër: arritja e unitetit dhe bashkëpunimit Islam të myslimanëve - tekafuli. Ky koncept rrjedh nga mësimet e Pejgamberit a.s. i cili tha “Besimtarët në marrëdhëniet mes tyre; në dashuri, mëshirë e butësi janë sikur trupi, nëse sëmuret një organ edhe pjesët e tjera të trupit shqetësohen dhe mbarë organizmi vuan nga dhembjet, pa­gjumësia dhe ngritja e temperaturës”. Ideja e tekafulit është ide islamike. Pejgamberi a.s. ka thënë Kush ka kafshë tepër për kalërim, le t'i japë atij që nuk ka, kush ka ushqim (të rrugës) tepër, le t'i japë atij që nuk ka ushqim”. Kjo do të thotë se nëse keni hapësirë në automjetin tuaj thirrni të tjerët të udhëtojnë me ju.

 

Pasha Allahun do të pyetemi për këtë. Kjo fe nuk është vetëm falje dhe agjërim, ajo është po ashtu zgjatje e dorës ndihmëse myslimanëve, vendit tuaj, shoqërisë tuaj. Perëndimi ka arritur sukses në këtë aspekt më tepër se ne. Kjo ide ishte fillimisht e jona. Në perëndim, si p.sh. në Angli, çdo të diele organizojnë “tregun e së dielës”. Çdo person që ka gjëra të vjetra në shtëpinë e tij i sjell ato në këtë treg ku i shet për çmim të ultë. Është ky një treg i mirënjohur dhe njerëzit nuk ndihen të turpëruar që blejnë aty. Shoqëria shkëmben gjërat e tyre dhe ndihmon njeri tjetrin. Përse ne të mos e bëjmë këtë? Ideja ishte fillimisht në religjionin tonë dhe për të na ka treguar Pejgamberi a.s.

 

Pejgamberi a.s. thotë: “Esharitë (fisi i Ebu Musa el Eshariut) janë nga popujt më të mirë. Kurdo që i godet nevoja, varfëria, mundimi apo uria ata hapin një shtrojë dhe grumbullojnë ushqimin dhe veshjet e tyre dhe pastaj i shpërndajnë ne mes veti në sasi të barabarta ashtu që secili merr diçka”. Pejgamberi a.s. thotë “Unë jam nga ata dhe ata janë nga unë”. Ejani ta takojmë Pejgamberin a.s. në Ditën e Gjykimit duke aplikuar mësimet e tija. Projekti është i lehtë, ejani të fitojmë shpërblimin e madh.

 

Në fund, dua të përmendi një çështje e ajo është etika e projektit

 

1.      Mos jepni gjërat më të këqija që i keni. Me këtë them se nuk duhet të jepni si lëmoshë gjërat që keni menduar të i shndërroni në lecka. Shikoni ajetin që flet për këtë gjë “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se Allahu s'ka nevojë për ju, është i madhëruar. (2:267). Ajeti thotë se ju nuk do të pranonit këto gjëra po qese dikush do të u jepnin juve, atëherë përse ju pranoni të jepni ato tjetërkujt? Shpresoj se do të kemi parasysh këtë. Nëse rrobet janë të grisura, qepni ato para se ti jepni.

2.      Çka mendoni për dhënien e një prej teshave të reja? Me këtë ju do të përmbushnit fjalën e AllahutKurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), Allahu atë e di.” (3:92). Vetëm një teshë dhe ju vendosni se sa shpërblim dëshironi. Një nga sahabët e quajtur Ebu Dahdah kur dëgjoi për këtë ajet dha tërë kopshtin e tij si sadakë. Ai tha “Është kjo për Allahun, është kjo për Allahun”. Nuk ishte kjo një kostum apo një këmishë. Pejgamberi a.s. i tha “Kjo është tregti fitimprurëse, kjo është tregti fitimprurëse”. Pastaj ai shkoi në kopshtin e tij dhe gjeti gruan e tij duke e ushqyer foshnjën e i tha “Kopshti është për Allahun”. Ajo pastaj hoqi hurmën nga goja e të birit meqë i takonte Allahut.

3.      Mos u bëni koprrac kur të qëndroni para dollapit me rrobe. Ndoshta do të bëheni pishman “Ndoshta do të më nevojiten më vonë, më mirë është që t’i rruaj” Pejgamberi a.s. i ka thënë Aishes r.a. “Oj Aishe, mos llogarit atë që japësh për lëmoshë, sepse Allahu do të llogaritë ty”. “Bujari është i afërt me Allahun dhe xhenetin. Ndërsa koprani është i afërt me xhehenemin larg nga Allahu”. Prandaj jepni me zemërgjerësi dhe mos thoni: ”Tre rrobe janë shumë”

4.      Bëhuni të sinqertë. Jepni duke shpresuar se Allahu ju shpëton për hir të këtyre rrobeve. Dhe se do të ju veshi në ditën e Gjykimit. Po ashtu për hir të asaj që myslimanët kudo që janë në botë të fitojnë shpresë dhe që të mund të themi në episodin e ardhshëm se kemi bërë këtë e këtë. Ose mund të keni disa qëllime dhe të shpërbleheni për të gjitha qëllimet. Ju përkujtoj për sinqeritetin... sinqeritetin...

 

Na ka mbetur vetëm edhe një gjë në këtë projekt, projektin e veshjes së një milion familjeve. Kemi një kërkesë të rëndësishme sidomos për gratë. Duhet të lëvizni dhe tregoni të tjerëve derisa arrijmë një milionëshin, nëpërmjet shkollave të juaja, kolegjeve, fakulteteve, ndërmarrjeve, fqinjëve, shokëve etj. Nuk do të keni sukses nëse jeni vetë. Mos harroni se: “Allahu i ndihmon robit përderisa robi i ndihmon vëllait të tij”. Po ashtu: ”Kur dikush nga ju kujdeset për nevojat e vëllait të tij, është më mirë se praktikimi i itikafit për 60 vjet”

 

Kjo do të thotë se përmbushja e nevojave të myslimanit ka shpërblim të madh. Prandaj vëllezërit tanë, motrat tona, vajzat tona, të gjithë filloni të lëvizni dhe kërkoni përreth jush. Thuani të tjerëve ”Unë do të dorëzoj teshat e tua, ti vetëm mi jep mua”

 

Kërkoj nga ju që menjëherë pas episodit të

 

1.      Nxirrni jashtë rrobet e juaja

2.      Thirrni shokët e juaj, fqinjët dhe kushërinjtë. Thoni atyre që të ju dërgojnë rrobet dhe se ju do të i dorëzoni ato. Kjo është me qëllim që të jemi sa më pozitiv, të fitojmë shpërblim më të madh, të bëjmë këtë projekt të suksesshëm dhe të takojmë Pejgamberin a.s. me këtë vepër.

 

Isha i prekur me atë që kanë bërë njerëzit si p.sh:

 

1.      Në shkollën Umaria në Jordani, administrata e shkollës dërgoi njoftime prindërve të nxënësve ku kërkonin tesha nga ta ashtu që shkolla të i shpërndajë ato. Ky ishte një hap aq i pazakonshëm. Ata mblodhën 500 thasë me rrobe.

2.      Në Shoqatat humanitare ne Aleksandri dhe Ismaili.

3.      Universiteti i Katarit dhe Universiteti i Taithit postuan reklamat përreth duke kërkuar që njerëzit të u japin rrobe dhe publikuan adresat.

4.      Në Jemen

 

Për këtë arsye kemi vendosur në internet dokumentin që flet për shpërblimin e grumbullimit të rrobeve. Prandaj printojeni dhe shpërndani atë gjithkund. Na nevojitet po ashtu edhe ndihma e afaristëve, pronarëve të dyqaneve të teshave dhe të prodhuesve të teshave që të participojnë me ne. E njoh një njeri në Fajum që është pronar i dyqanit të tekstilit. Ai kërkoi nga 150 pronarë tjerë të lokaleve që të participojnë me ne dhe që të japin teshat të cilëve u ka kaluar moda.

 

Kjo nuk është e tëra, ky projekt nuk është vetëm për myslimanët. Isha i lumtur kur disa të rinj të krishterë ofruan rrobe dhe qendra grumbulluese. Ky projekt na takon të gjithëve, ne do të bëjmë atë dhe inshallah do të arrijmë sukses. Do të takohemi javën e ardhshme duke arritur një milionëshin dhe duke i ruajtur resurset tona, inshallah.

 

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar


AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes