Episodi 11 Thoni JO drogës



 

SUNAA’ AL-HAYAH

- KRIJUESIT E JETËS -

Episodi 11     Thoni JO drogës

 

Thoni JO drogës

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve; paqja dhe bekimi qofshin mbi profetin e Tij, Muhammedin a.s.

 

Do ta vazhdojmë fushatën tonë, “Thoni JO pesë narkotikëve”- duhanit, nargiles, kat-it (Catha edulis), alkoolit dhe drogës.

 

Sot do të bisedojmë rreth “drogës” dhe si të merremi me këtë problem?

 

Të fillojmë me projektin dhe të shohim si mund të merrni pjesë me ne në “Sunaa al-hayah” (Krijuesit e Jetës).

 

  • Cili do të ishte roli juaj po të ishit gjykatës? Kërkojmë nga ju të shpejtoni ekzekutimin e vendimeve dhe të jeni të rreptë gjatë dënimeve, sidomos në rastin e “dënimit me vdekje”.
  • E nëse jeni polic? Kërkojmë nga ju të reagoni menjëherë në thirrjet e qytetarëve.
  • Po nëse jeni avokat? Kërkojmë nga ju të të refuzoni të gjitha rastet që kanë të bëjnë me shitësit e drogës edhe nëse ekzistojnë mundësitë e lirimit nga akuza.
  • Po çka nëse jeni baba? Kurrë mos pini duhan apo nargile para fëmijëve tuaj, sepse definitivisht do të ju kopjojnë juve pasi që ju jeni idhulli i tyre. Gjithashtu duhet të jeni syçelë dhe të vëreni çdo shenjë të vartësisë tek fëmijët tuaj.
  • Po nëse jeni pasanik apo biznesmen?  Kërkojmë nga ju të themeloni qendra rehabilitimi për të rinjtë e dhënë pas drogës.
  • Po nëse jeni njeri i thjesht në rrugë? Raportoni çdo njeri që mendoni se punon me drogë apo atë ia shet të tjerëve.
  • Nëse jeni një i ri që dëshiron të merr pjesë në “Sunaa Al-hayah” (Krijuesit e jetës)? Mund të mblidhni disa shokë dhe kontaktoni me ne në web faqen tonë, duke na treguar se doni të merrni pjesë në fushatën tonë kundër drogës në: shkolla, universitete, klube dhe qendra rinore. Këtë grup do ta quajmë “Mbrojtësit e ardhmërisë” dhe do t’u ofrojmë atyre të gjitha informatat e duhura mjekësore dhe ndihmën e mjekëve për t’i trajnuar për punën e më vonshme në këtë fushë. E tërë kjo do të jetë në dispozicion në web faqe.

 

Dëshiroj të përmendi rezultatet e fushatës sonë të luftimit të pesë narkotikëve, që kur filloi programi ynë, para disa javësh:

 

1.    Kaseta e emëruar “Mesazh duhanxhinjve”, e marrë nga web faqja, është kopjuar në 121,298 kopje dhe është shpërndarë.

2.    Kaseta e quajtur “Pendimi nga alkooli dhe droga”, e shkëputur nga web faqja, është kopjuar dhe shpërndarë në 26,109 kopje

3.    Pyetësori për “Nargilen” është kopjuar 181,266 herë.

4.    Befasia më e madhe ishte eseja e quajtur “Mesazhi për duhanxhinjtë”, e cila është kopjuar 762,000 herë dhe shpërndarë. Me siguri çdo njëri ka bërë edhe nga disa fotokopje të esesë. Të paramendojmë së bashku numrin e njerëzve tek të cilët ka arritur eseja? Ky është një argument i qartë se kemi fuqi dhe mund t’i sjellim dobi shteteve tona.

5.    Gjithashtu, në web faqen tonë,  kemi pranuar mesazhe të shumta nga universitete të ndryshme të shteteve arabe ku rinia shpërndau këto kaseta si në Siri, Egjipt dhe Maroko.

6.    Pos kësaj, zëvendës drejtori i Fakultetit të Farmacisë në Universitetin e Aleksandrisë në Egjipt, ka lëshuar një urdhëresë ku ndalohet pirja e duhanit në kompleksin e kolegjit. Ky ishte rezultat i numrit të madh të shenjave “Ndalohet pirja e duhanit”, të ngjitura nëpër kolegj.

7.    Zëvendës drejtori i Fakultetit të Mjekësisë në El-Kasër El-Ejni në Egjipt ka filluar personalisht një fushatë inspektimi për të zbuluar studentët që përdorin duhan brenda universitetit për t’i ndaluar ata për të marrë pjesë në ligjërata nëse vazhdojnë të pinë duhan brenda kompleksit.

8.    Universiteti “El-Fatih” në Libi nëpërmjet të “Komitetit Nacional Shëndetësor” ka shpallur garë për mos pirjen e duhanit ku çmimi për fituesin është një biletë për në haxh.

9.    Fakulteti i shkencave pranë Universitetit Monufia në Egjipt, ka nxjerrë një urdhëresë e cila ndalon pirjen e duhanit në ditën e 15 të çdo muaji për të gjithë profesorët, punëtorët dhe studentët.

10.  “Universiteti i Ajmanit”, filloi një fushatë, në bashkëpunim me Departamentin e Mjekësisë Parandaluese në “El-Sherja”, për ta ndaluar pirjen e duhanit jo vetëm brenda universitetit por edhe në tërë qytetin.

11.  Kolegji i Shkencave Administrative në Kuvajt, Fakulteti i Farmacisë në universitetin Helvan në Egjipt, Universiteti Amr El-Muhtar në Libi dhe Kolegji “Ligji Muhamedian” në Maroko, që të gjithë kanë njoftuar se janë duke organizuar fushata përbrenda kolegjeve për ndalimin e duhanit, dhe duke falënderuar Allahun, një numër i madh i studentëve reaguan mirë ndaj këtyre fushatave.

12.  Në nivelin e klubeve dhe shkollave, një grup prej pesë vajzave në Egjipt, kanë filluar një fushatë kundër duhanit në disa shkolla dhe klube. Fushata e parë ishte në prill në klubin e qitjes me pushkë në Egjipt, në bashkëpunim me një numër të mjekëve, ku ata mbajtën fjalim për lënien e duhanit. Kishte një numër të madh të pjesëmarrësve, të cilëve edhe iu shpërnda kaseta e quajtur “Thoni JO duhanit”. Kjo fushatë gjithashtu u përhap edhe në shkolla tjera.

13.  Në nivelin e shkollave fillore, mësuesit e  shkollave në Damask ranë dakord me nxënësit për t’i ndihmuar prindërit e tyre për braktisjen e duhanit dhe nargiles. Mësuesit ju thanë atyre se kushdo që arrin sukses, do të fitoj nota të posaçme në rubrikën e quajtur “Notat për pozitivizëm”. Rezultati ishte i mahnitshëm dhe një numër i madh i prindërve reaguan.

14.  Një vogëlushe 13 vjeçare, morri esenë e quajtur “Një mesazh duhanxhinjve”, nga web faqja dhe bëri disa kopje dhe i vendosi ato nëpër zyrat e mësuesve në shkollën e saj. Si rezultat, pesë mësues braktisën duhanin sepse ndiheshin të turpëruar nga vogëlushja.

15.  Në nivelin e ndërmarrjeve, njëqind ndërmarrje dërguan mesazhe se kanë nxjerrë Urdhëresa administrative për ndalimin e duhanit brenda ndërmarrjeve të tyre. Urdhri administrativ i njërës prej ndërmarrjeve thotë: “Ndërmarrja ka lëshuar një urdhër administrativ i cili ua ndalon punëtorëve pirjen e duhanit brenda në zyre. Ata që dëshirojnë të pinë duhan këtë mund ta bëjnë jashtë dhe kushdo që nuk e respekton këtë urdhër do të detyrohet të paguaj gjobën prej pesë funtave për çdo cigare të pirë brenda ndërmarrjes”.

 

A e shihni tërë këtë sukses? Ju përkujtoj për rregullin i cili thotë: “Kushdo që beson në një ide, jeton me të dhe mundohet për ta arritur atë, definitivisht do ta arrijë”.

 

16.  Në nivelin e rrugës, gazeta jordaneze “Err-Rrai”, ka publikuar një artikull të quajtur: “Një kompani jordaneze stimulon punëtorët e saj për lënien e duhanit”. Menaxheri i kësaj kompanie dhe 85 punëtorët e sajë kanë braktisur duhanin pasi që menaxheri ka shikuar programin “Krijuesit e jetës””.

17.  Gazeta “El-Ahram” në Egjipt publikoi më 17 prill kopjen e urdhrit të Ministrisë për furnizim me ushqim, që parasheh gjobë për secilën fabrikë që prodhon ëmbëlsira për fëmijë në formë të cigares.

18.  Gazeta “El-Ahram” me të njëjtën datë deklaroi se në Këshillin e Ministrave është duke u zhvilluar një fushatë nga “Fondi kundër drogës”, për t’i vizituar të gjitha qendrat rinore në Egjipt për të ngritur informimin kundër duhanit dhe drogave.

19.  Gazeta “Gjiri Arab” publikoi më 20 tetor një lajm rreth ndalimit të lejeve për klubet argëtuese publike të cilat ofrojnë nargile në qytetin El-Muharak, si hap fillestar për ta ndaluar përdorimin e nargiles në tërë qytetin.

20.  Në qytetin El-Mensura në Egjipt, ka filluar një fushatë e inspektimeve të minibusëve për udhëtarët apo shoferët që pijnë duhan, pasi që kjo i dëmton edhe të tjerët.

21.  Departamenti i Administratës së Mekës së shenjtë, ka lëshuar një urdhëresë më 17 prill që thotë: “Duam një Mekke pa duhan”.

 

Ekzistojnë tre grupe të njerëzve: grupi i parë që krijon ndodhi, grupi i dytë që i shikon ndodhitë dhe grupi i tretë që nuk din asgjë për ndodhitë.

 

Ne kemi filluar këto përpjekje për të qenë pjesë e grupit të parë, siç thotë ajeti Kur’anor: “Me të vërtet Allahu nuk e ndërron gjendjen e një populli përderisa ata nuk e ndërrojnë vetë (me shpirtrat e tyre).” Er-Ra’d, 11. Me të vërtetë ekziston shpresë e madhe!

 

Tani, duam ta reduktojmë efektin e drogave në mesin e rinisë sonë dhe do të ju lexoj disa statistika të Qendrave për Luftimin e Drogës. “Këshilli kombëtar për nëna dhe fëmijë” i Egjiptit ofroi të dhënat vijuese statistikore:

 

·        Nga çdo 100 të rinj, 16 tentojnë të përdorin drogë dhe 4 prej tyre bëhen të varur. Numri i të varurve nga “Heroina” sillet prej 20.000 deri në 30.000.

·        Kostoja e kujdesit mjekësor dhe funksionimit të instituteve për luftimin e drogës në Egjipt, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka arritur 178 miliardë funta, që donë të thotë se ka tejkaluar të ardhurat e Kanalit të Suezit dhe turizmit Egjiptian si dhe çdo ndihme financiare që i është dhënë Egjiptit.

·        Shuma e shpenzimeve për drogë në Egjipt në vitin 2001 ka arritur 23 miliardë funta.

·        Shuma e shpenzimeve për drogë në Egjipt në vitin 2002 ka arritur 25 miliardë funta.

·        Shuma e shpenzimeve për drogë në Egjipt në vitin 2003 ka arritur 26 miliardë funta.

·        Shuma e vlerësuar e shpenzimeve për drogë në Egjipt në vitin 2004 ka tejkaluar 26 miliardë funta.

·        Në territorin e Gjirit Arab, numri i të varurve prej drogës në një shtet të vogël të Gjirit, ka arritur në 20 mijë individë.

·        15% e studentëve përdorin drogë, madje edhe femra.

·        22% e studentëve në fazën parapërgatitore në Botën Arabe, përdorin drogë.

·        30% e nxënësve femra përdorin “Bungo” (marihuanë).

·        Gjatë ramazanit të kaluar, në një shtet të Gjirit, kanë vdekur 40 individë si pasojë e dozës së tepruar të drogës.

 

Do të ju rrëfej një tregim për një grup shokësh të cilët merrnin drogë bashkë me alkool dhe cigare. Kur mbetën pa drogë, njeri prej tyre shkoi për të sjellë drogë dhe përjetoi një aksident trafiku. Kur e panë të tjerët se ky u vonua, njëri prej tyre shkoi për ta kërkuar dhe pa automjetin së bashku me shokun e tij të shtrirë në tokë i cili përsëriste: “Nuk mundem, nuk mundem”. “Çka nuk mundesh?” e pyeti shoku. Ai që pësoi aksident u përgjigj: “Nuk mund ta takoj Allahun e Madhërishëm”.Pas këtij aksidenti, Allahu xh.sh udhëzoi shokun e dytë në pendim.

 

Një i varur tjetër provoi të vjedhë para nga nëna e tij. Kur ajo u mundua ta ndalë të birin, ai e mbyti atë.

 

I treti e shiti nderin e gruas së tij për një dozë drogë.

 

I katërti e shiti nderin e vet dhe u bë spiun kundër shtetit të tij për përfitime të një shoqate të huaj (armike të vendit të tij), vetëm për të fituar para për drogë. Ekzistojnë shumë raste tjera tragjike që ndodhin për shkak të varësisë nga droga.

 

Javën e kaluar, kanali televiziv “Arabia” prezantoi një episod rreth spiunëve të cilët kontrollohen nga armiqtë kundër shteteve të tyre, duke përdorur tri gjëra të poshtëshënuara në renditje të njëjtë, duke filluar nga më e përdorura:

 

  1. Droga
  2. Seksi
  3. Paraja

 

A e dini se vdekja e Shejh Ahmed Jasinit dhe Dr.Abdel Aziz El-Rantisit ndodhi për shkak të tradhtisë së spiunëve të tillë?

 

Gjëja e parë që bëjnë shtetet nëse planifikojnë ta sulmojnë shtetin tjetër, është përhapja e drogës përgjatë kufijve për ta shkatërruar rininë dhe për t’i paaftësuar ata për luftë. Këtë e bëri armiku në kufijtë e Egjiptit në mes viteve 1967-1973, për ta shkatërruar rininë. Ne do të pyetemi në Ditën e Gjykimit pse nuk kemi provuar të këshillojmë? Pse kemi qëndruar anash duke shikuar? Pse nuk jemi munduar të ndihmojmë?

 

Personi i varur nga droga, zakonisht, shndërrohet në shitës droge për të fituar paratë që i nevojiten duke i bindur të tjerët të blejnë dhe të bëhen të varur gjithashtu. Ekziston një studim statistikor nga “Këshilli kombëtar për nëna dhe fëmijë” për vendet ku rinia merr drogë:

 

·        82% marrin drogë së bashku me shokë.

·        45% marrin drogë në automjete.

·        40% marrin drogë nëpër ahengje.

·        25% marrin drogë në nevojtore.

·        15% marrin drogë në klube të natës.

 

Janë katër arsye që motivojnë rininë të përdorin drogë:

 

1.      Shoqëria e keqe.

2.      Familja e shkatërruar, mungesa e prindërve, apo interesimi i mangët i familjes.

3.      Papunësia dhe teprica e kohës së lire

4.      Mungesa e besimit në zemër.

 

A e dini se 99% e të varurve nga droga, kanë filluar me cigare. 73% e të varurve deshën vetëm të provojnë një herë. 94% e të varurve nga Bungo (marihuanë) tani shndërrohen në raste më serioze.

 

Edhe pse shokët mund të dinë se në mesin e tyre gjendet një i varur nga droga, ata nuk lajmërojnë familjen e tij, për hir të respektit ndaj shokut të tyre. Në fund, ata bëhen dëshmitarë të shkatërrimit të shokut të tyre dhe vazhdojnë të sillen negativisht.

 

Një i varur-fillestar, gradualisht bëhet i varur-i plotë. Disa prindër, të frikësuar nga skandali, i mbyllin bijtë e tyre në shtëpi, në vend se t’i dërgojnë ata në klinikë për t’i trajtuar si duhet.

 

Kombet e Bashkuara dhe shumica e shteteve të botës, kanë vendosur tri drejtime për luftimin e drogës.

 

Drejtimi i parë: Parandalimi i furnizimit, p.sh. parandalimi i shitësve nga importimi, rritja, kontrabanda apo shitja e drogës të tjerëve, dhe ky është funksion i qeverive dhe policisë. Sa i përket individëve, ata duhet të informojnë autoritetet përkatëse.

 

Drejtimi i dytë: Pakësimi i kërkesave, p.sh. krijimi i vullnetit të fortë në mes të individëve në mënyrë që të refuzojnë drogën dhe të humbin interesimin për blerjen e saj.

 

Drejtimi i tretë: Shtimi i sanksioneve nëpërmjet sistemeve legale dhe legjislacionit për të penguar tregtinë me drogë.

 

Do të fillojmë nga çështja e shtimit të sanksioneve; sistemi legjislativ në Egjipt implementon “dënimin me vdekje” për shitësit e drogës të cilët tregtojnë me drogë apo e importojnë atë nga jashtë, sepse ata janë duke tregtuar me jetën e njerëzve për hir të parave. Ky sanksion është aplikim i ajetit Kur’anor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri tjetrit).” 2:179. Dënimi i shitësve të drogës të cilët tregtojnë me drogë dhe e shpërndajnë atë në vend, është “dënim i përjetshëm”. Fatkeqësisht, dënimet me vdekje janë të rralla ngase gjykatësit hezitojnë të aplikojnë këtë dënim. Prandaj, shitësit e drogës zakonisht dënohen me burgim të përjetshëm.

 

Kemi nevojë për një rol më të fuqishëm nga gjykatësit, kemi nevojë për rregulla të rrepta që zbatohen me përpikëri.

 

Edhe për policin kemi një rol. Ata na duhen për të parandaluar trafikimin e drogës në mes të individëve dhe të veprojnë shpejtë ndaj çdo raporti që pranojnë rreth drogës. Tek e fundit, arsyeja për ta bërë këtë do të ishte që Allahu xh.sh. të jetë i kënaqur me ne.

 

A e dini se Kombet e Bashkuara kanë publikuar raportin ku thuhet se pa marrë parasysh se çfarë përpjekje bën një shtet, çfarë sistemi të sigurisë ka, kurrë nuk mund të konfiskojë më shumë se 30% të drogës së përgjithshme brenda shtetit. Është e pamundur që një shtet ta kryej këtë punë vetë dhe të luftojë vetë; individët duhet të ndihmojnë po ashtu.

 

Gjithashtu, ekspertët, pas përpjekjeve të mëdha, zbuluan se çdo strategji që varet vetëm në kontrollin e furnizimit dhe kërkesave, është strategji jo e plotë dhe një mision i pamundshëm përderisa njerëzit nuk japin përpjekjet e tyre dhe nuk marrin përgjegjësi.

 

Kombet e Bashkuara, në një deklaratë të vitit 1998, theksuan se përpjekjet vetanake qeveritare nuk mjaftojnë, njerëzit dhe shoqëritë private duhet të kontribuojnë po ashtu.

 

Prandaj, zgjidhja është në duart tona dhe ne përbëjmë gur themelin e saj, prandaj mos e izoloni veten.

 

A e dini se në shekullin e fundit, prodhimet kineze kishin ndikim shumë të madh tek popujt Evropian, dhe Evropianët nuk mund të eksportonin asgjë në Kinë. Kështu që ata vendosën ta bëjnë një dredhi, të eksportojnë opium popullit Kinez. Kina vendosi t’i inspektojë prodhimet e importuara dhe zbuloi 20,000 kuti me opium. Këto kuti u dogjën dhe shitësit që importuan ato u larguan. Pastaj popujt Evropianë vendosën t’i shpallin luftë Kinës dhe e kufizuan atë me nja traktat të ashpër. Për më tepër, ata eksportuan përsëri drogë dhe opium në Kinë më shumë se kurrë. Kështu që qeveria e Kinës caktoi nga një vullnetar në çdo shkollë, universitet dhe fabrikë për t’i përkujtuar individët dhe për të tërhequr vëmendjen e tyre ndaj efektit të dëmshëm të drogës, ata shpërndanë edhe afishe. Rezultati ishte mahnitës, shkalla e të varurve nga droga filloi të bie vrullshëm  për shkak të përpjekjes së individëve dhe vullnetarëve.

 

Në Betejën e Hendekut, jobesimtarët, të cilët ishin 10,000, rrethuan myslimanët nga të gjitha anët përveç asaj jugore ku qëndronin çifutët. myslimanët ishin marrë vesh paraprakisht me çifutët që ta mbanin atë anë të hapur. Kurejshët (jobesimtarët), bënë marrëveshje me çifutët për ta përdorur hyrjen jugore e cila do të ndihmonte në asgjësimin e myslimanëve dhe mundjen e tyre.

 

Pastaj një njëri nga jobesimtarët erdhi te Pejgamberi a.s. dhe deklaroi se ka pranuar Islamin dhe kërkoi të qëndroj me myslimanët. Pejgamberi a.s. e pyeti atë: “Ti je një njëri i vetëm, çka mund të bësh ti këtu me ne? Ti mund të ndihmosh nëse shkon te jobesimtarët”. A mund të paramendoni se çka bëri ai njeri? Shkoi te Beni Kurejza (fisi çifut), i cili kishte marrëveshje me myslimanët, dhe i tha atyre se Kurejshët do ta përdorin hyrjen e tyre dhe pastaj do të bëjnë marrëveshje me Muhammedin a.s. dhe i këshilloi t’i marrin 70 pengje nga jobesimtarët si garanci për marrëveshjen që kishin. Ata u pajtuan. Pastaj shkoi tek Kurejshët (jobesimtarët) dhe i tha se Beni Kurejzët (fisi çifut) i frikësohen armiqësisë me Muhammedin a.s. dhe kanë bërë një marrëveshje me të, për ta kënaqur atë, duke i premtuar se do t’i marrin 70 pengje nga jobesimtarët dhe t’ia dorëzojnë atij. Kurejshët dyshuan në fjalët e tij dhe vendosën të bisedojnë me çifutët dhe ta kuptojnë të vërtetën. Kurejshët kuptuan se ai kishte të drejtë. Plani i tyre dështoi dhe ata u tërhoqën nga qyteti. Shikoni se çfarë ka mundur të bëj një njeri!

 

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdonjëri prej jush është kujdestar, dhe çdonjëri është përgjegjës për tufën e vet. Sunduesi është kujdestar i popullit, dhe është përgjegjës për çështjet e tyre. Njeriu është kujdestar i familjes së vet dhe është përgjegjës për ata. Gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit dhe fëmijëve, dhe është përgjegjës për ata. Robi është kujdestar i pasurisë së pronarit, dhe është përgjegjës për të. Të gjithë ju jeni kujdestarë, dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj.”

 

E dëgjuat çka tha Pejgamberi a.s.? Nga sunduesi deri te robi, nga burri deri te gruaja. Pastaj e përsëriti “Të gjithë ju jeni kujdestarë, dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj”, për ta vërtetuar kuptimin e saj dhe për të theksuar atë.

 

Myslimanët në Amerikë kishin një përvojë të çuditshme. Ata janë të zi dhe jetojnë në rajonin e Xhamajkës - Bruklinit - Nju Jork. Të gjithë banorët e këtij rajoni janë të zi. Dhe si rezultat i persekutimit dhe diskriminimit racial, një numër i madh i tyre e pranuan Islamin ku gjetën barazi në mes të gjithëve. Tregtia me drogë dhe krimet tjera kishin pushtuar këtë lagje. Një grup prej 100 myslimanëve vendosën të fillojnë një fushatë prej 40 ditësh.

 

Ata shpërndanë pankarta me mbishkrim “NUK DUAM DROGË NË LAGJEN TONË” dhe po ashtu shpërndanë broshura që shpjegonin efektet e dëmshme të drogës si dhe fotografitë e njerëzve që kishin vdekur nga droga. Rezultatet ishin mahnitëse; u mbyllën 15 burime të drogës në këtë lagje, dhe policia amerikane u dërgoi atyre një mirënjohje, duke u thënë se ata kanë arritur sukses aty ku dështoi policia.

 

Në faqen tonë të internetit kemi pranuar këto sugjerime të zgjidhjeve:

 

·        Testimi i gjakut të nxënësve në shkolla çdo 3 muaj dhe përjashtimi i atyre që kanë sado pak gjurmë të drogës në gjak. Mendojmë se ky solucion nuk i përshtatet vendeve dhe kulturës sonë. Në të njëjtën kohë, kjo është diçka që secili prind duhet të bëjë. Lusim laboratorët dhe mjekët që të ulin çmimet e kontrollit dhe testit.

·        Inkurajimi i avokatëve që të mos pranojnë rastet e drogës, duke ju dërguar atyre një letër të titulluar “Apel për avokatët e ndershëm”. Letra gjendet në faqen tonë të internetit, mund ta kopjoni dhe shpërndani atë.

·        Ftojmë biznesmenët të ofrojnë kontribute financiare për ndërtimin e institucioneve rehabilituese për të varurit nga droga, ku mund të mësojnë dhe punojnë 2 vite derisa ta rikthejnë vetëbesimin dhe të bëhen njerëz të përgjegjshëm të aftë për t’i ndihmuar vendit të tyre.

 

Aktualisht ky projekt është duke u implementuar në luginën e El-Netrunit në Egjipt. Është vendosur nga kisha Egjiptiane e cila bëri përpjekje të jashtëzakonshme që ky projekt të arrijë sukses. Projekti, ka arritur sukses të madh sa i përket rehabilitimit të të varurve nga droga.

 

Gjithashtu dëshirojmë të apelojmë te njeriu i rëndomtë: Duhet të raportoni secilin që tregton apo shpërndan drogë. Shërbimi i raportimit është gjithashtu në internet.

 

Tani do të kalojmë te projekti “Mbrojtësit e ardhmërisë”: Ai përbëhet nga grupi i  të rinjve dhe shokët e tyre, të cilët do të mbrojnë fakultetet, shkollat, klubet dhe qendrat rinore nga droga. Grupi përbëhet nga 4 deri në 5 djem të rinj. Ata duhet të bëjnë marrëveshje me Allahun dhe t’i premtojnë Atij se ky do të jetë projekt i jetës së tyre, projekti do t’i prezantohet Allahut xh.sh. në Ditën e Gjykimit.

 

Në web faqen tonë gjendet një faqe për këtë projekt, ë quajtur “Mbrojtësit e ardhmërisë”, plotësoni të dhënat për regjistrim, nëse doni të merrni pjesë.

 

Shkurtimisht, këto grupe do të jenë përgjegjës për projektin “Thoni JO pesë narkotikëve” nëpërmjet web faqes www.amrkhaled.net, deri sa ky projekt të zgjerohet dhe të pasojë shembullin e myslimanëve amerikanë dhe Kinës. Projekti do të implementohet në fabrika, klube dhe shkolla. Ne do t’i furnizojmë me të gjitha mjetet e duhura si afishe dhe kaseta krahas kurseve trajnuese dhe seminareve me mjekë që do t’i mësojnë ata si të sillen me të varurit nga droga dhe problemet e tyre.

 

Kërkesat:

 

1.      Të jeni përgjegjës për projektin: “Thoni JO pesë narkotikëve”.

2.      Drejtorët e shkollave apo dekanët e fakulteteve do të ju përkrahin në ngritjen e vetëdijes kundër drogës. Nuk po flasim vetëm teorikisht. Bashkësia e Shoqërisë Arabe për luftimin e varësisë (Lidhja Arabe për konsultim), ka arritur këtë  në realitet. Kjo shoqëri ka organizuar kurse trajnimi për një grup prej 100 studentëve vullnetarë nga shkolla e mesme “El Ormen”, për t’i mësuar ata se si të sillen me të varurit dhe si ta luftojnë drogën. Të trajnuarit filluan me shpalljen e përgjegjësisë së tyre ndaj shkollës, dhe arritën suksese të jashtëzakonshme në alarmimin e tyre për efektet e dëmshme të narkotikëve nga pirja e drogës. Shumë shkolla filluan ta ndjekin shembullin e tyre. Mund t’i lexoni intervistat e tyre në web faqen tonë.

3.      Përkujtimi i vazhdueshëm i të tjerëve për efektet e dëmshme të pesë narkotikëve.

 

Prandaj, ftoj secilin mjek të cilit i pëlqen projekti dhe dëshiron të marrë pjesë, të i dërgojë informatat e tij në web faqe dhe të na informoj për kohën e përshtatshme për trajnim dhe ne do ta kontaktojmë atë.

 

Allahu xh.sh. ka thënë: “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan ...” (Ahzab, 23),  pra le të jemi të gjithë përgjegjës. Mos u bëni person i dobët, mos u lodhni nga përgjegjësia, sepse mbi të gjitha, kjo do të jetë marrëveshje me Allahun xh.sh. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. ka thënë: “E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën Allahut që: "Nëse na jep (Allahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve. Kur ju dha (Allahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zmbrapsen nga respekti ndaj Allahut. Dhe për shkak se e thyen besën që i patën dhënë Allahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, Allahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë.” (Tevbe, 75-77)

 

Cili nga ju do të jetë përgjegjës dhe do ta pasojë shembullin e Jusufit a.s. i cili, kur u lirua nga burgu, morri përgjegjësinë mbi ekonominë e Egjiptit.

 

Cili nga ju mund të jetë përgjegjës sikur ashabi i Pejgamberit a.s. Ali Ibn Ebu Talibi r.a. në mbrojtjen e Islamit dhe Pejgamberit a.s.

 

Në fund, dëshiroj të ju informoj se është një konkurs për zgjedhjen e motos për fushatën “Thoni JO duhanit”. Afati i fundit është e premtja e ardhshme.

 

Në fund lus Allahun xh.sh. të na dhurojë sukses të gjithëve. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar


AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes