|
SUNAA’ AL-HAYAH
- KRIJUESIT E JETËS -
Episodi 14 Caktoni qëllimin tuaj të jetës
Caktoni
qëllimin tuaj të jetës
Në
emër të Allahut, Mëshiruesit,
Mëshirëbërësit! Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe rahmeti
i tij qofshin mbi Pejgamberin e tij, Muhammedin a.s.
Jemi të kënaqur që
komunikojmë me ju nëpërmes të programit “Krijuesit e jetës” dhe ndihemi të
lumtur dhe me shpresë.
Në episodin e
kaluar kemi biseduar për rruajtjen e pasurive si dhe për grumbullimin e rrobave.
Kemi shpenzuar tërë kohën duke biseduar se si të vazhdojmë me atë projekt. Në
fakt, unë zakonisht filloj çdo episod duke treguar rezultatet, çka ka ndodhur
dhe të arriturat. Këtë herë nuk do të them asgjë meqë rezultatet janë më të
mëdha se fjalët dhe nuk kam nevojë që të flas për suksese, sepse ju i keni parë
ato dhe i keni përjetuar vetë. Allahu ju shpërbleftë dhe e pranoftë punën tuaj
dhe tonën. Jam shumë i lumtur me rezultatet e mrekullueshme të cilat jemi në
gjendje të arrijmë bashkërisht.
Faza e grumbullimit
të rrobave do të vazhdojë edhe një javë, prandaj tash nuk do të flas për
rezultatet. Por para se të përfundojë java, dëshiroj të apeloj që secili që ka
ndonjë depo, të ndihmojë individët dhe shoqatat humanitare që grumbullojnë
rrobe, meqë vendet që i kemi tanimë janë të mbushura dhe kemi problemin e depove
për grumbullim. Numri i rrobave është aq i madh sa që tejkalon kapacitetin e
kufizuar të depove në dispozicion. Prandaj vizitoni web faqen dhe lajmëroni
hapësirat e lira që posedoni.
Dëshiroj të sqaroj
procesin e projektit sepse disa njerëz pyesin se si do të shpërndahen rrobat.
Dëshiroj të ju them atyre se faza e grumbullimit të rrobave do të vazhdojë deri
më 31 Maj. Kjo mundëson që secili të kontribuojë, qoftë duke shkuar
drejtpërsëdrejti në vendet e njoftuara nëpërmjet internetit apo duke telefonuar
programin tonë për t’u informuar për adresat. I tërë muaji i qershorit do të
shfrytëzohet për klasifikimin e rrobave dhe përgatitjen e tyre në bazë të
moshës. Në korrik, apo më saktësisht në javën e parë të saj, do të fillojmë
fazën e shpërndarjes, inshallah. Në fakt jemi duke u menduar se si të
shpërndajmë këto rrobe dhe kush i meriton ato më shumë. A janë ata bonjakët,
studentët e universiteteve apo individët në pjesët dhe fshatrat e varfra? Kemi
aq shumë vende të cilat dëshirojmë të mbulojmë, prandaj kërkoj nga ju, e sidomos
nga shoqatat humanitare, nëse dikush nga ju apo shikuesit e nderuar ka ndonjë
ide për shpërndarje të na e dërgojë në ueb faqe apo të na tregojë nëpërmjet
telefonit, në mënyrë që t’i grumbullojmë të gjitha idetë dhe të marrim pjesë me
ju.
Po ashtu kërkoj nga
ata që kanë grumbulluar rrobe që të mos i shpërndajnë dhe të presin deri në
fillim të korrikut në mënyrë që të kemi një ngjarje sa më të madhe. Qëllimi nuk
është vetëm shpërndarja e thjeshtë; qëllimi është të jemi sa më të mëshirshëm
dhe më të dashur në shoqërinë tonë, që të përkëdhelim supet e të varfërve dhe
nevojtarëve dhe të ndihemi se jemi një shoqëri. Ne të gjithë i duam vendet tona,
prandaj të gjithë dëshirojmë të nxisim buzëqeshjet në fytyrat e qytetarëve tanë.
Kjo do të arrihet në javën e parë të korrikut, inshallah, pasi të merremi vesh
se cila është mënyra më e mirë e shpërndarjes së rrobave.
Në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë me suksese dhe do të lëvizim
prej fazës në fazë.
Sa i përket fazave,
dëshiroj të flas për pozitën tonë në program. Ju lutem vëllezër e motra, ky
program nuk është vetëm rrëfimi i tregimeve e as që unë vij këtu të them një ide
e pastaj të shkoj. Jo! Ky program përbëhet nga fazat. Kur mbarojmë me një fazë
themi “Falënderimi i takon Allahut” dhe menjëherë vazhdojmë me fazën tjetër. Ne
jemi ende në fazën e parë të cilin gati e kemi përfunduar.
Thamë se kemi 10
pranga dhe deri tani arritëm të çlirohemi nga 7 prej tyre.
Derisa po i afrohemi përfundimit të fazës së parë, kemi arritur
sukses që tejkaloi parashikimet tona lidhur me:
- Pozitivizmin
- Ndjenjën e përgjegjësisë
- Seriozitetin
- Ndjenjën e rëndësisë së ruajtjes së
resurseve
Siç keni vërejtur, nga një resurs më vlerë
0 kemi krijuar një resurs me vlerë 100%! Tani kemi një numër aq të madh rrobash
sa që shoqatat bamirëse nuk janë në gjendje t’i fusin në depot e tyre të
kufizuara! Pra, arritëm sukses edhe pse jemi në fazën e parë. Ju dhe shikuesit e
dashur me siguri keni vërejtur se si lindi shpresa tek unë dhe ju dhe si ajo
rritej nga episodi në episod derisa çliroheshim nga prangat një nga një. Jam
shumë i kënaqur që mund të them këtë derisa po i afrohemi fundit të fazës së
parë!
Ndonjëherë themi se na duhen edhe 100 vite
deri në fund. Mirëpo unë ju them, motra dhe vëllezër, ne jemi ende në fazën e
parë dhe kemi arritur suksese që tejkalojnë të gjitha parashikimet! E kemi edhe
një temë për të përfunduar fazën e parë, e pastaj do ta kërkojmë synime tjera
për të realizuar. Në episodin e parë të programit kam thënë se do t`ia dalim,
por në fakt, kurrë nuk kam menduar se do të kemi aq shumë sukses, ose se rinia
(djemtë dhe vajzat) si dhe gratë do të marrin pjesë siç kanë marrë pjesë në
projektet e resurseve, duhanit dhe drogës. Ajo që ndodhi ishte përtej
parashikimeve, përtej imagjinatës! Prandaj, po ju përgëzoj se jemi gati ta
përfundojmë fazën e parë, dhe na kanë ngelur vetëm edhe një ose dy tema dhe do
ta përfundojmë me sukses!
Pra, cili është procesi i programit? Që në
fillim kemi shpjeguar idenë e programit përmes një filmi të imagjinuar. Unë
kërkova nga ju që së bashku me mua ta imagjinoni këtë skenë. Një djalosh i
mërzitur që rri vetëm në një dhomë të errët të mbushur me merimanga. Aty ndoshta
e kishte sexhaden për falje, meqë ndoshta falet, ose kishte letrat për lojë,
lojërat apo gjërat tjera të pavlefshme. Sidoqoftë, aty gjendet një djalë i
mërzitur që rri vetëm në dhomën e tij. Ne iu afruam dhe e pyetëm se pse rri
vetëm në dhomën e errët, ne ia bëmë me shenjë nga drita dhe e bindëm që të dilte
jashtë me ne, të dalë në jetë, të bëhet i suksesshëm dhe të na ndihmojë në
“Krijimin e jetës”! Këto në fakt ishin tri episodet e para hyrëse.
Kur djaloshi tentoi të ngrihej në këmbë,
nuk mundi. Ai kuptoi se duart e tij ishin të ngujuara nga negativizmi dhe
mungesa e përgjegjësisë. Këmbët e tij ishin prangosur nga mospërfillja dhe
pakujdesia kurse rreth qafës së tij kishte një zinxhir të trashë, që ishte
mungesa e qëllimit në jetë! Ne i thamë atij se nuk mund të ngrihet nëse nuk
liron veten nga gjithë këta zinxhirë dhe pranga! Kështu filluam më fazën e parë,
këtë të tashmen, që është lirimi ynë nga prangat. Zinxhirët filluan të çahen. Ai
u ngrit, liroi duart dhe filloi të lëvizte. Tani dëshironte të dilte nga dhoma.
Mirëpo ne e ndaluam, dhe kjo është faza e dytë, si do t`ia arrijë ai në jetë, të
fitojë vetëbesim dhe zbulojë talentet e tij? Ai vazhdoi tutje përplot shpresë,
vendosmëri dhe ndjenjë suksesi, ai madje shqeu derën në vend se ta hapte. Ai
gjeti një botë përplot dritë, një vend që duhej ndërtuar. Ai ishte i lumtur me
veten e tij, por ishte vetëm. Papritur gjeti shumë të rinj dhe të reja, sikurse
ai duke dalë nga dhomat e tyre të errëta. Të gjitha ata në u bashkëngjitën në
“Krijimin e jetës”. Ne u thamë atyre të bashkëveprojnë si një ekip, dhe t`ia
dalin mbanë së bashku. Kjo ishte faza e tretë dhe kjo është mënyra se si do të
krijojmë jetë!
Për këtë edhe shërben ky program, mu ashtu
si e ka projektuar regjisori i këtij programi i cili edhe vet është krijues i
jetës. Tani mund ta shikoni mirëpo në fillim dëshiroj ti falënderohem Z. Hani
Bajumi (ai i cili e ka bërë këtë film të vizatuar), të cilin tani ftoj të flasë.
Z. Hani Bajumi
flet:
“Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirë
bërësit. Ideja, ishte definuar nga Z. Amr Khaled. Unë vetëm desha ta simbolizoj
duke treguar personin e prangosur, me ç`rast kam përdorur ngjyra për të treguar
karakterin e tij. Kur hyri personi tjetër, mjegulla filloi të shpërndahej dhe u
bë dritë. Mirëpo, paraqitja e atij personi nuk ishte e mjaftueshme që të sjelli
dritën. Duhej një vendosmëri e madhe për t’u liruar nga prangat. Djaloshi ia
doli të lirohet nga prangat një nga një. Pastaj ngjyrat filluan të ndryshojnë,
siç mund ta shihni edhe në film. Ai tani ka vendosmëri të madhe dhe del jashtë
në botë. Fatkeqësisht, ka shumë djem si ky në shoqëritë tona. Kur i sheh ata, ai
inkurajohet dhe shohim ndërtimet e fabrikave që më parë ishin rrënoja. Kjo ishte
një punë e përbashkët e jo individuale. E falënderoj Z. Amr Khaled dhe Allahu e
shpërbleftë!”.
Z. Amr Khaled
vazhdon:
Qëllimi ynë është të arrijmë sukses që të
dëshmojmë përkushtimin tonë për vendet tona.
Tani do të flasim për projektin e sotshëm
dhe prangën nga e cila dëshirojmë të çlirohemi. Në kanë mbetur edhe dy pranga.
Pranga e sotshme është “mungesa e qëllimit në jetë”. Projekti në të cilin do të
punojmë këtë dhe javën tjetër është se si të kemi qëllim në jetë. I gjithë
episodi i sotëm do të jetë në shërbim të projektit për të ju bindur juve për
këtë. Projekti është i përshtatshëm për kohën e provimeve. Përcaktimi i
qëllimeve jetësore duke qëndruar në shtëpi do të ju ndihmojë të mësoni më tepër
dhe të kuptoni më qartë ashtu që të arrini qëllimin tuaj në jetë!
Tani të vazhdojmë bisedën për qëllimet. Do
të filloj duke ju pyetur, cili është qëllimi juaj?
Në fakt, kjo është dashur të ishte tema e
episodeve të para. Mirëpo, na dukej temë e rëndë dhe e vështirë për të ju pyetur
se cili është qëllimi i juaj në jetë. Dëshironim që njerëzit të fillojnë të
lëvizin, të ndihen me shpresë dhe të kuptojnë se kanë filluar të korrin sukses.
Vetëm atëherë mund të kërkojmë nga ta që t’i përcaktojnë qëllimet e tyre.
E dini pse kjo është dashur të bëhet në
episodin e parë? Sepse nëse keni qëllim në jetë, ajo do të ju nxisë të bëheni
të përsosur në punën tuaj, do të ju krijon një ndjenjë përgjegjësie dhe këtë e
kemi përsëritur në të gjitha episodet e kaluara. Nëse keni qëllim, do te jeni
serioz dhe kjo do të ju kursej kohë. Pikërisht për këtë kemi vendosur që të
fillojmë nga ana e kundërt, duke aktivizuar njerëzit deri në fund të fazës së
parë dhe pastaj të vendosim qëllimet. Pra, a i keni shkruar qëllimet tuaja apo
jo? Sërish po ju pyes vëllezër dhe motra, cili është qëllimi juaj? Çdo gjë është
e qartë. Tani të bisedojmë në detaje.
Ju betohem në Allah se ne nuk jemi krijuar
që të jetojmë pa qëllim dhe nuk duhet të lejoni që jeta të udhëheq me ju. Siç e
dini, ka me mijëra, jo, me miliona myslimanë të cilët kanë lindur vetëm për të
ngrënë, pirë, të martohen, të kenë fëmijë dhe të vdesin! Nuk është e mundur se
jeni krijuar vetëm për këtë. Ju betohem në Allah, kam dëshirë të i bërtas
secilit – ju duhet patjetër të keni qëllim në jetë. Ju jeni qenie njerëzore. A e
dini se çka do të thotë qenie njerëzore? A e dini dallimin ndërmjet juve dhe
krijesave tjera? Krijesat tjera jetojnë sot për sot, ato jetojnë vetëm për të
ngrënë, pirë dhe për t’u shumuar! Dallimi kryesor në mes jush, si qenie
njerëzore dhe krijesave tjera është se ju keni një dimension, sepse keni tru dhe
mund të zhvilloni plane për ardhmërinë e juaj. Ju lutem, dëshmoni njerëzinë
tuaj duke përcaktuar një qëllim. Vëllezër dhe motra, jam duke përdorur një fjalë
shumë të butë kur them “krijesat tjera”. Ajo që ju dallon juve nga gjithçka
tjetër është se ju keni një qëllim që doni ta arrini kurse krijesat tjera
jetojnë vetëm sot për sot. Mos jetoni në këtë botë vetëm për të ngrënë, pirë,
për tu martuar dhe pasur fëmijë e pastaj për të vdekur, sepse me kaq, tregimi i
një qenieje njerëzore mbaron!
Do të ju tregoj
një tregim për një njeri. Ai shkoi në shkollë sepse prindërit e tij kërkuan nga
ai që të shkojë, dhe ishte shumë i ri. Ai shkoi në shkollë deri sa arriti në
vitin e fundit të shkollës së mesme. Prindërit e tij i thanë se duhet të mësojë
shumë e të merr nota të larta që të mund të regjistrohet ne fakultet. Ai mësoi
shumë, mbaroi shkollën e mesme dhe rezultatet dolën në pah. I thanë se notat e
tij i mundësojnë atij që të studiojë në fakultetin gjegjës. Ai aplikoi dhe u
regjistrua dhe vazhdoi fakultetin deri në vitin e fundit. Pastaj i thanë se
duhet të mësojë shumë dhe të merr nota të larta që të ketë mundësi të punojë në
kompaninë e përshtatshme. Ai u përpoq maksimalisht gjatë studimeve dhe diplomoi.
I thanë se notat e tij i mundësojnë të punojë në kompaninë gjegjëse ku edhe u
punësua. Pastaj tha se dëshiron të martohet. Kur e pyetën se me kë dëshiron të
martohet u përgjigj: me një grua të mirë të cilën do ta dua. Ai u martua dhe u
bë baba. Ai punonte dhe punonte për të fituar para për fëmijët e tij. Pastaj
vdiq. Fundi i tregimit. A nuk është ky tregimi i shumicës së njerëzve? Ai erdhi
dhe shkoi dhe kjo ishte e tëra. Çka ka arritur? Çka ka bërë? Cili ishte roli i
tij? Cilat ishin qëllimet e tij? Çka ka planifikuar?
Dëshiroj që ju
që nuk keni qëllime të paramendoni diçka bashkë me mua. Supozojmë se tani keni
vdekur dhe se njerëzit janë duke e bartur arkivolin e juaj dhe se 4 shokë të
juaj flasin për ju derisa jeni në arkivol. Ata flasin për të arriturat e juaja
dhe çka keni bërë në këtë botë. Çka do të thonë ata? A i dëgjoni se çka janë
duke thënë? Ai nuk bëri asgjë. A është kujtuar për këtë dikush? Do të
shkoni në varr me të arriturat e juaja, paratë dhe fëmijët e juaj nuk do të
vijnë me ju. Me ju vijnë vetëm kontributet që keni dhënë në këtë jetë. Cilat
janë qëllimet e juaja? Çka keni bërë ju? A më kuptoni se çka dua të them?
Ju nuk jeni
krijuar që të jetoni në këtë botë pa kontribuar, pa lënë gjurmët e juaja. Ose
ndoshta thoni më lejoni të jetoj ashtu si dua dhe jeta le të më qojë përpara. Do
të shkoj në shkollë pastaj në fakultet dhe kur të diplomoj do të punoj në një
ndërmarrje, do të martohem, do të kem fëmijë dhe do të fitoj para. A jeni duke e
lëvizur botën apo bota është duke ju lëvizur juve? Pse Allahu xh.sh. ju ka dhënë
tru? Që të jeni të ndryshëm nga krijesat tjera.
Fatkeqësisht,
nëse dalim në rrugë dhe pyesim njerëzit për qëllimet e tyre, çka do të thonë
ata? Disa nga ta do të belbëzojnë, të tjerët do të hutohen dhe nuk do të dinë si
të përgjigjen. Derisa kjo prangë është në qafën tonë dhe përderisa nuk lirohemi
nga ajo, nuk do të arrijmë sukses. Sepse thjeshtë kjo është e pamundur. Por nëse
burrat dhe gratë, spektatorët tanë të dashur do të kishin qëllime dhe ato
qëllime do të ishin për hir të shteteve tona dhe për hir të islamit, vetëm
atëherë do të arrinim sukses. Pa këtë, asgjë nuk ka kuptim. Prandaj duhet të
lirojmë qafën tonë nga kjo prangë. Çka do të bëhet pastaj? Do të ndodhë kjo:
a-
Serioziteti.
b-
Marrja e përgjegjësisë
c-
Pozitivizmi
d-
Vlerësimi i kohës
Po të thyhej
kjo prangë, një ndryshim i jashtëzakonshëm do të bëhej në jetën e juaj.
A e dini se si rriten fëmijët në perëndim?
Që nga mosha 9 vjeçare e deri në moshën 12 vjeçare, d.m.th. në moshë të re (në
vendet tona ne i konsiderojmë ende fëmijë) ata kanë orë javore të quajtur: “Cili
është qëllimi juaj në jetë?”. A e dini se ne kemi njerëz që kanë 35 vjet dhe
ende nuk dinë si ti përgjigjen kësaj pyetjeje? A e dini tani se pse ata në
perëndim kanë sukses? Fëmija shkon në shkollë; ata e pyesin për qëllimin e tij
në jetë. Mësuesi dhe fëmijët tjerë ulen pranë tij kurse ai nuk e din përgjigjen.
Orën tjetër, ai ndien se duhet ta japë një përgjigje prandaj thotë çka do për të
dalë nga situata. Kur thotë diçka, ata e pyesin se çka i pëlqen dhe çfarë
aftësish ka. Ata e udhëzojnë në drejtimin e duhur.
Nëse ka thënë se dëshiron të bëhet piktori
më i mirë, ata kërkojnë të shohin se si pikturon. Nëse ka thënë se dëshiron të
bëhet inxhinier, atëherë do ta shohin se si punon me kompjuter. Tërë vitin, ata
do ta nxisin për këtë qëllim, deri në verë. Pastaj administratori i shkollës i
dërgon prindërve të fëmijës një letër duke i lajmëruar për qëllimin që fëmija i
tyre ka zgjedhur, kështu që të mund të zhvillohet edhe më tutje gjatë verës.
Kur ai kthehet në shkollë vitin tjetër, ai do të ketë një letër përcjellëse nga
prindërit e tij se ai është trajnuar. Ata i formojnë njerëzit dhe ju betohem në
Allah se formimi i qenieve njerëzore është shumë më e vështirë se ndërtimi i
ndërtesave të mëdha, pendëve apo fabrikave. Është vështirë të formosh qenie
njerëzore që posedon mision dhe qëllim. Fëmija vjen vitin e ardhshëm me dëshirë
që të bëjë gjëra specifike. Kur të arrijë moshën 12 vjeçare do ta ketë qëllim të
qartë. “Unë dua të jem inxhinieri më i mirë i kompjuterit në vend, ose dua të
bëhem shkrimtari më i mirë”, kjo do rritet me të, vit pas viti dhe ëndrra rritet
me të. Ëndrrat e fëmijërisë do të kthehen në realitet kurse fëmija do të kuptojë
se ka një qëllim në jetë.
Nëna dhe baballarë, nëse shkollat tona nuk
e bëjnë këtë, ju lutem bëjeni ju vetë këtë më fëmijët tuaj. Të përcaktojmë një
qëllim në jetë. A është qëllimi juaj, edhe pse jeni 40 ose 50 vjeç ende i
pashkruar apo i paqartë para syve tuaj? Ju lutem, shpëtoni gjeneratën e
ardhshme, zbuloni çfarë aftësi ka djali juaj, në cilën lëmi është i mirë, thoni
“patjetër duhet të kesh një qëllim në jetë, biri im”, dhe filloni të punoni mbi
atë ide. Më besoni njerëz, më dhemb shumë kur e them këtë, por myslimanët, feja
e të cilëve dhe Kur`ani u kanë dhënë qëllime të qarta që në fund t`i afrohen
Allahut dhe të hyjnë në xhenet, tani jetojnë pa kurrfarë qëllimi në jetë kurse
jeta po i sjell ata vërdallë! Saktësisht si ka thënë Pejgamberi a.s. sikur
shkuma e ujit. Pse e ka përdorur i Dërguari mu fjalën “shkumë”? Sepse “shkuma”
nuk ka qëllim, noton mbi ujë dhe lëviz me të e pastaj zhduket. Jeta e bart atë
person i cili nuk ka qëllim në jetë.
Në librat e fëmijëve, gjendet një përrallë
për fëmijë të cilën e dini të gjithë, tregimin “Liza në botën e çudirave”. Me
një rast, Liza ishte duke ecur kur takoi në rrugë shokun e saj lepurin. Në
udhëkryq, ajo e pyet lepurin (vëreni se ky tregim iu mësohet fëmijëve) “Cilën
rrugë duhet ta pasoj”? Lepuri e pyet se ku dëshiron të shkojë. Ajo thotë se nuk
e di. Pastaj lepuri thotë, “Nëse nuk e di se ku do të shkosh, ndiq cilën do
rrugë, ngase nuk do të ketë rëndësi. Ti duhet ta dish se ku do të shkosh Liza!”.
Ky tregim iu tregohet fëmijëve me anë të filmave të vizatuar me qëllim që kur të
rriten ti kenë qëllimet e tyre!
Edhe një herë, do t`ua përsëris të njëjtën
pyetje juve dhe teleshikuesve me shpresë se nuk do të ju irritoj, a i shënuat
qëllimet tuaja? A e dini se çfarë dëshironi? O djalë i ri i cili je duke më
dëgjuar, cili është qëllimi yt? A është i shkruar në letër? A është i varur në
murin e dhomës tënde? A e ke shkruar planin tënd të veprimit për ta arritur atë?
A ke orar? Unë e kuptoj qenien njerëzore dhe njerëzimin si të tillë; po ti, a e
kupton edhe ti në këtë mënyrë?
Kjo nuk është vetëm për fëmijët dhe
shkollat. Jo, çdo kompani e themeluar duhet ta ketë një mision, një qëllim – dhe
kjo duhet të shkruhet në rreshtin e parë. Të supozojmë se kemi para dhe
dëshirojmë ta themelojmë një kompani të telefonisë mobile. Kemi para dhe
teknologji në sasi të mjaftueshme për themelimin e kompanisë së tillë, mirëpo
duhet bërë një gjë në fillim. Duhet të vendosim misionin e kompanisë, qëllimin.
Ata që dëshirojnë të fitojnë para, duhet ta bëjnë këtë patjetër. Prandaj, a mund
ta imagjinoni se si një qenie njerëzore që ka trup, mend dhe shpirt dhe i cili
do të dalë para Allahut ditën e gjykimit mund ta jetë pa qëllim!
Njëherë kur isha në Abu Dabi u gëzova shumë
kur pashë që misioni i një kompanie ishte i varur në ashensor, tek shkallët dhe
në secilën zyre. Misioni ishte para çdo punëtori të kompanisë kurse ju, një
qenie njerëzore ende nuk e dini qëllimin?
Kompania globale Sony, e themeluar para 25 vjetësh, ka përcaktuar synimin e
saj. A e dini se cili është ky synim? Që produkti japonez të bëhet produkti
numër 1 në tregun e SHBA-ve. Ata e shkruan misionin e tyre dhe e varën nëpër
mure. Kur Këshilli i Drejtorëve mblidhej, dhe kur ndonjë punëtor propozonte
diçka, kryetari i këshillit shikonte synimin e varur në mur dhe pyeste
punëtorin që ka propozuar se cila është lidhshmëria e propozimit të tij me
synimin e kompanisë.
Njerëzit arrijnë sukses kështu e jo duke
bredhur poshtë e lartë.
Me kë do të martoheni? “Ah, me dikë që
është e bukur dhe do të ishte mirë të ketë sy të gjelbër dhe flokë të verdha.
Unë dëshiroj të martohem me dikë të tillë”. Po ti, oj vajzë e re, me kë
dëshiron të martohesh? “Nuk ka shumë zgjedhje sot! Kështu që do të martohen
me atë që e gjej, e dini se si janë martesat sot!”
Dëgjoni këtë sa për ndryshim: “Jo, unë
di çka dua dhe dua ta arrij qëllimin tim, kështu që burri im duhet të ketë
tipare të caktuara dhe të dijë se unë dua ta arrij synimin tim.” Ose këtë:”
Gruaja që do ta martoj unë duhet të ketë dukuri të caktuara kështu që ne të
mund ndërtojmë jetën tonë bashkërisht dhe të arrij qëllimin tim me të cilin do
ta kënaq Allahun dhe ta fitoj xhenetin”.
Po ju? Cili është qëllimi juaj? A
zhvillohet jeta juaj rreth tij? A përpiqeni ta arrini qëllimin?
Në këtë episod dëshiroj të ju tregoj se ju
patjetër duhet të keni një qëllim në jetë dhe duhet ta keni një plan të qartë që
ju nxit ta arrini këtë. Dëshiroj të ju sqaroj më për së afërmi, po përpiqem të
ju bindi se ekzistimi i qëllimit në jetë është shumë i rëndësishëm. Të shkojmë
edhe me tutje, për të përcaktuar qëllimin e juaj duhet të i përgjigjeni pyetjes
Pse jeni krijuar?
Nëse e dini pse jeni krijuar atëherë do të
dini si ti përgjigjeni pyetjes tjetër. Ju lutem, dëgjoni me vëmendje! Pse jeni
krijuar? Po ti pyetnit njerëzit se pse janë krijuar, do të merrni përgjigje të
pa qarta. Njerëzit nuk do të ju kuptojnë. Ata do të pyesin se si po mendon pse
janë krijuar? Çfarë është kjo pyetje? Disa do të thonë “për të përmbushur
misionin e madh në jetë”. Kur i pyesim se cili është ky mision, përgjigja do të
jetë “Nuk e di!”
Gjatë historisë, shkencëtarët vazhdimisht
pyeteshin: “Pse jemi krijuar?” Në fakt, nuk ekziston asnjë burim që ofron
përgjigje të qartë për këtë pyetje përpos Islamit. Në rreshtat vijues do të
paraqesim disa përpjekje të shkencëtarëve për t`iu përgjigjur kësaj pyetjeje:
- Platoni
ka menduar dhe ka studiuar shumë dhe në fund ka dhënë mendimin e tij për
qëllimin e ekzistimit tonë. Ai thotë se Allahu ka krijuar universin dhe
pastaj e ka harruar atë dhe për këtë arsye, njerëzit ofendojnë dhe vrasin
njëri tjetrin, sepse nuk e dinë arsyen e ekzistimit të tyre. Ajeti kur’anor
fuqimisht mohon atë duke thënë: “Dhe Zoti juaj nuk harron kurrë”.
Allahu i cili dërgon për secilin shi, nuk mund të harrojë.
·
Karl Marksi
iu përgjigj pyetjes së ekzistimit me gjepura, ai thotë se Allahu deshi të luante
dhe të kënaqej dhe për këtë arsye Ai krijoi njerëzit që të jenë mëkatar dhe të
pa qëllimtë, që të jetë i lumtur e të qeshë me ta (i lartësuar është Allahu nga
kjo). Ajeti kur’anor i përgjigjet atij fuqishëm dhe e lë gojëhapur duke thënë: “A
menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?I lartë është
Allahu, Sunduesi i vërtetë”.
Allahu kurrë nuk luan dhe argëtohet, Sunduesi i vetëm dhe i drejtë nuk luan
kurrë.
- Elia Ebu Madi,
një poet libanez, shkroi një poezi të titulluar "Poezia e Talismanëve" e
cila më pas u këndua. Ai shkroi:
Nuk e di se nga
kam ardhur,
Por sidoqoftë,
jam këtu,
Pashë një rrugë
para meje,
Dhe kështu
kalova nëpër të,
Unë do të
vazhdojë të eci
Nuk ka rëndësi
nëse eci kot,
Se si kam
ardhur, nuk e di
Se ku do të
shkoj, nuk e di
Se pse kam
ardhur, nuk e di.
Shumë njerëz e kanë këtë ndjenjë të
çorientimit. Ne vetëm jetojmë për të vdekur, ne mund të lutemi dhe bëjmë gjëra
tjera por ne vetëm jetojmë për hir të të jetuarit dhe asgjë më tepër. Pse jeni
krijuar? Nëse e dini përgjigjen do të dini si ta definoni qëllimin tuaj.
Përgjigja më mirë dhe më specifike për këtë pyetje gjendet në Kur`anin
famëlartë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për
tjetër pos që të më adhurojnë.” Por a do të thotë kjo
se adhuruesit e Allahut nuk duhet të bëjnë asgjë më tepër përpos se të falen,
agjërojnë. Natyrisht, ky nuk është kuptimi i ajetit. Ajeti do të thotë se duhet
të jetoni normalisht, mirëpo qëllimet tuaja dhe synimet përfundimtare duhet të
drejtohen nga ajo që të kënaqni Allahun xh.sh.
- A dëshironi të keni fëmijë? Mund të
bëni fëmijë sa të doni. Por pse dëshironi ti keni ata fëmijë? Për të luajtur
me ta! Jo...ju keni të drejtë të keni fëmijë dhe të jeni të lumtur mirëpo
duhet ti drejtoni qëllimet tuaja në drejtim të duhur dhe ti edukoni fëmijët
për hir të Allahut xh.sh. Kjo farë e vogël (Fatima, Aliu, Salihu apo
Muhammedi), do të forcohet dhe do ta mbrojnë Islamin një ditë.
- Pse keni dëshirë të keni shumë para?
Vetëm që të jeni të lumtur? A është kjo e tëra? “Jo, unë dua ti përdor
këto para në projekte të dobishme për shtetin tim, për suksese për
myslimanët, të eliminoj papunësinë dhe të shpenzoj në rrugën e Zotit”.
Në këtë mënyrë ju keni përmbushur ajetin: “Unë nuk
i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”.
- Pse dëshironi të jeni shef i kompanisë
së madhe? Pse dëshironi të jeni studenti më i dalluar në fakultetin tuaj?
Bëni çfarë të dëshironi mirëpo drejtoni qëllimet tuaja kah kënaqja e Allahut
xh.sh dhe adhurimit të Tij. E mira e Islamit është se përmban të gjitha
fushat e jetës e kësaj bote. Islami ngërthen në vete diturinë, martesën, të
pasurit fëmijë, të pasurit para. Pejgamberi a.s ka thënë nga një thënie
lidhur me çdo njërën prej kënaqësive të kësaj bote dhe lidhshmërinë e tyre
me Islamin:
- “E përsosur është paraja në
duart e njeriut të mirë.”
- “Më i miri nga ju është ai i
cili është i mirë me gruan dhe familjen e tij.”
- “Ai i cili fle i lodhur nga
puna që ka bërë me duart e tij, Allahu do t`ia falë të gjitha mëkatet”.
Ajo që dëshiroj të them është se ju duhet
të definoni qëllimin tuaj, si dhe ta drejtoni atë në drejtim të kënaqjes së
Allahut xh.sh. sepse ju jeni krijuar për këtë arsye.
Në fillim, thamë se duhet pasur një qëllim,
sepse kjo është cilësia e racës njerëzore që e dallon atë nga krijesat tjera jo
njerëzore të cilat nuk kanë qëllim në jetë. Në këtë mënyrë, çdokush mund të
arrijë sukses: kompanitë, fëmijët e botës perëndimore pasi që ata trajnohen për
këtë. Ne, si myslimanë, jemi më të përshtatshëm për këtë sepse Kurani famëlartë
është i qartë lidhur me këtë çështje. Në rregull, atëherë pra pse në krijoi
Allahu xh.sh.? Çka duhet të bëjmë tani?
1.
Duhet të shënoni qëllimin tuaj.
2.
Ky qëllim duhet të lidhet me qëllimin
përfundimtar të kënaqjes së Allahut xh.sh.
3.
Ky qëllim nuk duhet të jetë qëllim i
vetë-përqendruar në këtë botë; p.sh. të keni pasuri dhe para dhe kjo është e
tëra. Ju duhet të keni para për hir të Allahut, Islamit dhe vendit tuaj.
Vazhdoni të definoni qëllimet tuaja në këtë mënyrë
·
Si duhet ta definoj qëllimin tim?
·
Si duhet ta shkruaj?
·
Si duhet ta arrij atë?
Para se të flasim për detajet se si të
shkruhet një qëllim dhe të pajtohemi për këtë, së pari dua të ju tregoj për një
koncept. Ky është koncepti i personit që nuk ka qëllim. Ai është person i
palëvizshëm që qëndron në një vend derisa jeta sillet në mënyrë aktive rreth
tij. Ai nuk bën përpjekje dhe as që ka ndonjë qëllim; prandaj, nuk planifikon e
as nuk lëviz...ai është i gozhduar për tokë. I gjithë universi përreth nesh
është në lëvizje të vazhdueshme (Edhe Dielli
udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar) 36:38.
Çdo gjë në univers e di se nga shkon, çdo gjë në univers lëviz
kurse ju qëndroni pa lëvizur. Për më tepër, edhe universi i jashtëm lëviz, ju
madje jeni duke përjetuar disa ndryshime brenda jush. Çdo ditë, mijëra qeliza në
buzët tuaja zëvendësohen me të reja, po ashtu edhe qelizat e mëlçisë dhe lëkurës
zëvendësohen. Ajo që dua të them është se i gjithë universi lëviz dhe ndërron
përreth jush madje edhe ju vetë ndryshoni në brendi, mirëpo ju, ju vetë,
qëndroni pa lëvizur. A e dini se cili do të jetë rezultati pas një kohe? Ju do
të ikni nga vetvetja, do të jeni një i huaj në univers. Pas një kohe do të vuani
nga depresioni, ngase jeni të palëvizshëm. Kjo është situata e myslimanëve të
sotshëm. E tërë bota po lëviz dhe po zhvillohet, kurse neve ende na mungojnë
synimet. Për këtë arsye edhe jemi bërë të huaj në këtë univers!! Meqë nuk kemi
qëllim kah i cili do të lëviznim.
Rasti ynë tani i ngjan rastit të një
nxënësi në një klasë ku mësuesi thotë: Dëshiroj që të gjithë ju ta lexoni këtë
libër dhe të diskutojmë javën tjetër! Orën tjetër, të gjithë nxënësit kanë
ardhur dhe kanë lexuar librat, ndërsa ju jo. A e dini se çfarë do të ndodhë me
ju? Në klasë të gjithë nxënësit do të diskutojnë për librin kurse ju do qëndroni
duke mos kuptuar asgjë. Pas një kohe, do të ndiheni të vetmuar dhe të izoluar
dhe do ti thoni vetes: “Dua të largohem”. Pas një kohe kur diskutimi arrin
kulmin, çdo kush e di se çka po ndodhë, pos jush. Do të rrini me duar në faqe
duke thënë “Dua të largohem, ky nuk është vendi im”. Pas kësaj, do të ndieni
depresion e dështim. A nuk është kjo e vërtetë? Ky është rasti me myslimanët në
tërësi dhe si individë.
- Kush do të jetë i vendosur të fitojë
kampionatin e Vimbeldonit pas pesë vitesh?
- Kush do të vendosë për të zbuluar këtë
e atë?
- Kush do të vendosë të themelojë
kompaninë më të mirë në këtë apo atë fushë?
- Kush do të vendosë të fitojë Çmimin
Nobël si Profesor Ahmed Zuveil në këtë apo atë?
- Kush do të vendosë të jetë shkrimtari
më i mirë?
Ku janë
qëllimet? Ne kemi me mijëra të diplomuar në fakultete të ndryshme çdo vit. Ata
janë aq të lumtur mbarojnë shkollën duke menduar se posedojnë certifikatën e
fundit të duhur dhe me kaq mjafton. Ju do të dalloheni në saje të qëllimeve të
juaja dhe ambicieve që keni për gjëra të mëdha. Në fakt, unë provova një ide në
web faqen time. Kërkova nga të rinjtë të shkruajnë qëllimet e tyre në jetë.
Pastaj, i mblodha këto komente dhe ua solla një shembull të asaj çka thonë ata.
Disa thanë gjëra të bukura, kurse disa kishin pikëpamje tjera:
- Një i ri thotë: “Jam i humbur; ju
betohem se jam 100% i humbur”. Këtë e shkroi në hapësirën e destinuar për
qëllimin në jetën e tij.
- Një i ri tjetër shkroi: “Shkurtimisht,
qëllimi im është të kem kompaninë më të madhe të specializuar për prodhimin
e filmave për fëmijë”.
- Një tjetër shkroi: “Qëllimi im është
të studioj psikologjinë dhe sociologjinë. Sepse mendoj se aspektet e
edukimit, psikologjisë dhe sociologjisë janë të dobëta dhe anash kaluara në
vendet tona. Prandaj, dëshiroj të specializoj në këto fusha”. E shihni se si
njerëzit dallojnë në atë që mendojnë dhe thonë!
- Dikush tjetër tha: “Tani kam 48 vjet,
a mund dikush të fillojë një jetë të re dhe të ketë qëllim në këtë moshë?“.
Këtij personi po i them se shokët e Pejgamberit a.s. filluan jetën e tyre në
të pesëdhjetat, ata arritën sukses, u bënë martirë dhe ashabët më të mirë.
- Një vajzë 13 vjeçare tha: “Qëllimi im
më i afërt është që të bëhem shembullore në shkollën e lartë në Al-Bahrain
pas tre vitesh kurse qëllimi im i dytë është të mësoj Kur`anin Famëlartë
përmendësh dhe për këtë do të më duhet edhe një vit tjetër pas shkollës së
lartë, inshallah”. E shihni dallimin!
- Dikush tjetër shkroi: “Tema juaj rreth
qëllimit në jetë më bëri të dal para pasqyrës e ta shoh veten time të
vërtetë; u trondita, u shqetësova dhe u dëshpërova. Në fakt, nuk kam qëllim
në jetë”.
- Një tjetër thotë: “Qëllimi im është të
ndërtoj një fshat për personat e retarduar mentalisht apo për ata me “nevoja
të veçanta”.
- Një vajzë e re thotë: “Qëllimi im tani
është të mësoj përmendësh Kur`anin që pastaj t’i ndihmoj sa më shumë
njerëzit ta mësojnë atë. Fillova duke mësuar përmendësh nga një faqe në
ditë”.
- Një tjetër tha: “Qëllimi im është të
ndihmojë myslimanët”. Kjo është shumë e përgjithësuar, çka do të thotë kjo?
- Një vajzë e re tha: “Unë jam
infermiere dhe besoj se kjo punë është detyrë Islame që ma përkujton Seidah
Rufajdah; qëllimi im është të jem infermierja më e mirë dhe të fitoj çmimin
për infermieren më të mirë në botë”.
E kuptoni se çfarë dua të them? Këto janë vetëm disa nga shembujt, po rinia jonë
këtu në studio? Cilat janë qëllimet tuaja?
·
Në emër të
Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Qëllimi im është që ti them
Pejgamberit tonë Muhammedit a.s. nëse e takoj Ditën e Gjykimit se unë kam
merituar të jem mysliman dhe se e kam mbrojtur Islamin.
·
Qëllimi im është i
qartë, e falënderoj Z. Amr Khaled dhe i lutem Allahut që të më falë shprehjen
dhe oratorinë si të tijën dhe të më udhëzojë në moralin më të mirë”.
·
Qëllimi im është të
përmbush ajetin Kur`anor:
“O
ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos
vetëm duke qenë myslimanë (besimtarë)! Allahu na i pranoftë punët e mira”.
·
Pasi të gjithë ju dini
se çka janë filmat e vizatuar, qëllimi im është të përcjelli idetë për Islamin
dhe myslimanët nëpërmes filmave të vizatuar.
Ajo që dua ta theksoj këtu është se ka
njerëz që kanë qëllime të qarta, njerëz të cilët kanë ide konfuze apo të tillë
që nuk kanë asgjë në mendjet e tyre. Dëshirojmë nga të gjithë ju: rinia,
fëmijët, gratë e burrat e moshuar ti shkruani qëllimet tuaja – ju nuk mund të
jeni mysliman pa qëllim. Për më tepër, ky qëllim duhet të jetë shumë i qartë në
kokat tuaja, se si do ta arrini atë. Tani do të paraqesim shembuj të individëve
që kanë qëllime. Betohem se Allahu me siguri do të ju ndihmojë që nga momenti
kur të definoni qëllimin tuaj dhe filloni të përpiqeni për ta arritur atë; dhe
ju patjetër do ta arrini. Mos e harroni moton të cilën e përmendin në secilën
episod: “Çdo kush që ka një ide apo qëllim, jeton për të dhe është i vendosur
për ta arritur atë, bën përpjekje për atë, në fund do ta arrij atë”.
Ajeti është i qartë: Dhe kushdo që
dëshiron një shpërblim në (këtë) botë, Ne do ti japim; dhe kushdo që dëshiron
një shpërblim më pas, Do t`ia japim atëherë. Thelbi i idesë është “Dëshira”
ose “vullneti”. Ekziston një dallim i madh ndërmjet vullnetit dhe dëshirës.
Fjala “dëshirë” vjen nga vullneti dhe përpjekjet. Allahu xh.sh. premton t`u
ndihmojë atyre që kanë qëllime dhe bëjnë përpjekje për të arritur atë. Nëse
mënjanoni fjalët “botë” dhe “më pas”, ajeti do të thotë “Kushdo që dëshiron...Ne
do ti japim”.
Tani të shohim disa shembuj të njerëzve gjatë historisë:
1. Imam Neveviu: Ai
kishte qëllim fisnik në jetë, ai dëshironte që të gjithë myslimanët, nga të
gjitha klasat dhe standardet intelektuale, ta duan Sunetin e Pejgamberit a.s.
pavarësisht se a janë të shkolluar apo jo. Ai zhvilloi një plan program që i
përgjigjet të gjithë myslimanëve. Në fakt, Imam Neveviu vdiq në moshën 40
vjeçare dhe nuk u martua fare. Ai shkroi një libërth të vogël të quajtur “Dyzet
hadithet Nevevi” për fillestarët dhe një libër tjetër të cilin të gjithë e dimë
“Rijadus Salihin” për shkallën e mesme dhe edhe një libër tjetër për
shkencëtarët e specializuar dhe mendimtarët që ka vëllime të mëdha të quajtur
“Përshkrimi i myslimanit të vërtetë”. Ai shkroi të gjitha këto libra. Është kjo
si plan programi për nxënësit fillestar, pastaj përgatitës, të shkollës së
mesme, studentëve të fakultetit dhe studentëve pas universitar. Ai ishte një
person, mirëpo kishte qëllim të vërtetë.
2. Omer Ibn Abdulaziz:
dëgjoni çfarë thotë ai për vetveten: “Unë kam shpirt ambicioz” që do të thotë
shpirt që ka aspirata i cili nuk pushon dhe i cili nuk kënaqet me gjithçka sepse
aspiratat dhe qëllimet e tij janë aq të mëdha. Ai thotë: “Një ditë, dëshirova të
martohem me Fatima Bin Abdel-Malek për të formuar familje myslimane. E di se ajo
është grua e mirë. Kështu që, u martova me të dhe arrita sukses. Pastaj,
dëshirova të jem sundimtar i Medinës me qëllim që të sundoja në mënyrë të drejtë
qytetin e Pejgamberit a.s. Edhe këtë e arrita. Pastaj dëshirova të jem halife i
myslimanëve me qëllim që të sundoja sikurse Udhëheqësit e Besimtarëve në fillim
të Islamit. Kurse sot, çfarë dëshiron Omer? “Dëshiroj parajsën“. Shpirti i tij
ishte gjithnjë ambicioz dhe i papajtueshëm. Ju them atyre që qëndrojnë të
palëvizshëm duke thënë: “Ne vetëm jetojmë për të vdekur”, shikoni ambiciet e
Omerit!
3. Muhammed El-Fatih:
Ai pushtoi Konstantinopolin kur ishte vetëm 26 vjeç, sepse gjithmonë kishte
ëndërruar një gjë të tillë.
4. Do të ju tregoj një tregim shumë
qesharak për një njeri në Andaluzi që quhej Mervan El-Hammar: Ai
bënte bartjen e njerëzve duke përdorur gomarët si mjet transporti. Kjo ishte një
punë shumë e thjeshtë dhe modeste. Në një rast, ai po rrinte ulur me dy shokë që
bënin po të njëjtën punë. Ai u tha atyre: “Paramendoni nga një dëshirë” mirëpo
ata u qeshën dhe i thanë: “Çka është dëshira jote?” Ai tha: “Dëshira ime është
të sundoj Andaluzinë”. Ata u qeshën mirëpo i pari prej tyre morri vesh se
Mervani fliste seriozisht dhe tha: “Nëse ia del, më lejo të jem krye Hammari
(puna që e bënte Mervani). Shoku i dytë deshi të bënte shaka me Mervanin dhe
tha: “Nëse ia del, atëherë unë do ta ngas gomarin mbrapsht dhe do të udhëtoj
nëpër vend që njerëzit të më përqeshin”. Koha kalonte dhe Mervani iu bashkëngjit
policisë, dhe gradualisht përparonte deri në momentin kur u bë shef i policisë;
pastaj kaloi ne qeveri dhe hap pas hapi u bë kryeministër. Pas kësaj, ai arriti
shumë sukses u bë shumë i njohur, ai u bë sundues i Andaluzisë kurse emri i tij
popullor u bë “El-Haxhib El-Mensur”. Një ditë, ai tha që t`ia sillnin shokët e
tij të vjetër. Të parit i tha: “Ti do bëhesh krye Hammar në Andaluzi, unë do të
të jepja çfarë do që të kishe kërkuar atëherë”. Sa i përket të dytit, ai i tha:
“Ty do të jap atë që kërkove vetë, do të të lë të ngasësh gomarin mbrapsht dhe
të ecësh nëpër vend që të qeshin të gjithë”.
Pra njerëz, ku janë qëllimet tuaja. Nuk ka
rëndësi nëse El-Haxhib El-Mensur ishte i mirë apo jo, ajo që ka rëndësi është
vetë ideja, ai kishte një qëllim dhe bëri të gjitha përpjekjet për ta arritur
atë.
Arritëm në pjesën e fundit të episodit tonë
të sotshëm, në të cilën na nevojitet një laps dhe një fletë, Pse? Sepse do të
kalojmë nga pjesa teorike në pjesën praktike. Ekzistojnë disa kushte të
rëndësishme për çdo qëllim:
1. Që qëllimi të jetë i qartë, specifik
që mund të matet e jo i paqartë apo i pasigurt. Për
shembull, nëse qëllimi juaj është t`u shërbeni myslimanëve, ky nuk është qëllim
i qartë apo i matshëm. Ky koncept rrjedh nga librat shkencor. E gjitha që kemi
thënë ishte për të ju motivuar moralisht kurse tani është koha të kemi qëllime
të vërteta në jetë. Sikurse ajo që dëgjuam më parë:“Dëshiroj të ndërtoj një
fshat për personat e retarduar mentalisht”. Kjo është deklaratë e qartë dhe
specifike. Ndërsa:“Unë dua të ju shërbej myslimanëve” nuk është
specifike.
2. Që qëllimi të përbëhet nga dy
elemente: të qenit ambicioz dhe real në të njëjtën kohë.
P.sh. nëse nxënësi thotë “Qëllimi im është të kaloj provimet e shkollës së
mesme”, ky nuk është qëllim, sepse është normale që secili dëshiron të kalojë
provimet, apo vallë dëshironi të bini nga provimet? Qëllimi duhet të jetë: “Dua
të arrij këtë dhe atë, dua të jem i dalluar dhe të fitoj çmimin Nobel, të marr
një doktoraturë”. Qëllimi duhet të jetë në të njëjtën kohë ambicioz dhe real.
Nuk duhet të jetë e imagjinuar si p.sh. nëse një nxënës i shkollës së mesme
thotë “Dëshiroj që të kem kanalin tim satelitor vitin tjetër” derisa ende është
në shkollën e mesme.
3. Qëllimi nuk duhet të jetë egoist dhe
i përqendruar kah ju, ai duhet të jetë i drejtuar në shërbim të shoqërisë,
shtetit dhe myslimanëve. Qëllimi i përqendruar në
vetvete është qëllim afat shkurtër. Për shembull, një person thotë: “Qëllimi im
është të i edukoj fëmijët e mi”. Kjo është mirë, mirëpo keni kujdes, sepse kur
ata fëmijë rriten dhe martohen e të kenë fëmijët e tyre, do të ju lënë kurse ju
do të ndiheni sikur ta keni përfunduar misionin tuaj dhe do të vuani nga
depresioni. Kështu ndihen të moshuarit kur fëmijët e tyre rriten, martohen,
bëjnë fëmijë, udhëtojnë dhe arrijnë sukses. Ku është pjesa tjetër e qëllimit
tuaj? Një person dëshiron ta ketë një kompani të madhe për vete. Kompania u
themelua dhe çka tash? Në fakt, asgjë, ai në fund do të dalë në pension. Për
këtë arsye qëllimi juaj duhet të drejtohet kah përfitimi i shoqërisë, shtetit
dhe myslimanëve. Në këtë rast, jeta juaj do të mbarojë kurse qëllimet tuaja jo.
Kjo është aspiratë e madhe dhe qëllim përfundimtar. Sa më shumë që qëllimet
tuaja drejtohen kah kënaqja e Allahut xh.sh. dhe suksesit të shtetit tuaj, aq më
të mëdha do të jenë qëllimet e juaja.
4. Që të besoni në qëllimin tuaj
fuqishëm dhe vazhdimisht me të gjitha shqisat dhe aftësitë e juaja.
Besimi juaj në qëllimin tuaj duhet të jetë sikurse rasti kur Pejgamberi a.s. i
ka thënë xhaxhait të vet: “Të betohem xhaxha se edhe po të ma vënë diellin në
njërën dorë dhe hënën në dorën tjetër për të lënë porosinë e Islamit, nuk e lë
derisa Allahu ta lartësojë atë apo unë vdes për të”. E shihni pra si duhet
të jetë besimi në qëllimin tuaj!!
Këto ishin katër cilësitë e rëndësishme të
qëllimeve. Pika tjetër është aspektet që ju duhen për ta përmbushur qëllimin
tuaj, mendoj në cilësitë psikologjike që ju duhen për t`i arritur qëllimet
tuaja:
- Shpresa dhe optimizmi,
në Islam ekziston fjala “Bushra” ose përgëzimi në Kuranin Famëlartë.
Pejgamberi a.s. ka qenë gjithmonë optimist dhe gjithmonë ka shpresuar
- Durim, durim, durim.
Ju duhet të jeni durimtar dhe kurë të mos e humbin shpresën apo të nguteni.
Një herë, Habab Ibn El-Ark erdhi duke u ankuar tek Pejgamberi a.s. e tha: “A
mund të lutesh për ne, jemi në mjerim, të lodhur dhe u ngopëm me pa
besimtarët që po na torturojnë”. Profeti u nervozua dhe fytyra e tij u skuq
dhe tha: “Në popujt që kanë qenë para jush kishte njerëz që janë prerë me
sharrë por kurrë nuk e kanë lënë fenë e tyre, betohem se Allahu do të ndaloj
këtë, por ju po nguteni”. Keni durim sepse në fund ju do të arrini atë që
doni. Problemi është se rinia provon një herë ose dy dhe pastaj kur ai ose
ajo nuk arrin sukses dëshpërohet dhe thotë: “S`ka dobi nga kjo, provova
shumë herë dhe dështova.” Pejgamberi a.s. provoi me fiset Arabe 12 vite para
se të shkojë në Medine. Ai provoi 26 herë.
- Duhet të përpiqeni shumë,
me përpjekje të jashtëzakonshme e jo të flini e ëndërroni. Dëgjoni këtë:
- Qëllimi pa përpjekje = ëndrra. E
vërtetë!
- Përpjekjet pa qëllime = humbje
kohe.
- Qëllimi + përpjekja = ju mund ta
ndryshoni botën.
- Mundësia e parafytyrimit të
hollësive lidhur me realizimin e qëllimit.
Ëndërroni për qëllimin tuaj dhe thoni se do të bëni këtë dhe atë dhe do të
kënaqeni me ëndrrën përderisa imagjinoni detajet e qëllimit. ”Do të jem
fituesi i parë i kampionatit, pastaj do të përkulem para Allahut e ti
falënderohem atij, do t’i lutem atij dhe do të jem shembull i sjelljeve të
mira e kështu me radhë dhe pas themelimit të kompanisë do të filloj të
punësoj njerëz “. Pra keni detajet e qëllimit tuaj dhe kjo është pikë shumë
e rëndësishme në arritjen e atij qëllimi.
- Besoni në Allahun xh.sh.
Kjo është aftësi morale, sepse çdo gjë është nën kontrollin e Allahut xh.sh.
Dhe ai kontrollon çdo gjë.
Pika e fundit dhe më e rëndësishme është se si ta arrini qëllimin tuaj? Ju
lutem, përqendrohuni me mua: përgatitni një laps dhe një fletë dhe shkoni në një
vend të qetë. Shkruani të gjitha ëndrrat tuaja të cilat dëshironi ti arrini,
shkruani dhe shkruani. Kurrë mos thoni kjo nuk mund të ndodhë. Jo tani. Në këtë
fazë leni anash pengesat. Hapeni mendjen tuaj, mendoni çka të doni dhe shkruani
aspiratat tuaja, ëndrrat dhe dëshirat. Tani do të ju tregoj se si ta definoni
qëllimin tuaj. Në një fletë tjetër, shkruani sinqerisht pikat tuaja të forta dhe
të dobëta. Kjo metodë përdoret në analiza shkencore. Për shembull:
- Shënoni pikat e forta: durimin,
përpjekjet dhe se kurrë nuk mërziteni.
- Shënoni dobësitë tuaja: jeni nervoz
dhe dorëzoheni lehtë.
- Shënon pikat e forta: që kuptoni shumë
mirë ekuacionet matematikore.
- Shënoni pikat e dobëta: që
shkathtësitë tuaja gjuhësore janë të dobëta.
- Shënoni pikat e forta: që keni njohuri
të mira në kompjuter dhe për kërkimin në internet.
- Shënoni pikat e dobëta: që ju mungojnë
këto e këto shkathtësi...
A e kuptoni se çfarë dua të ju them?
Dobësitë dhe anët e mira të juaja në një anë dhe ëndrrat në anën tjetër. Filloni
të kombinoni këto ndërmjet veti. Definoni qëllimin tuaj me anë të dobësive dhe
të mirave që i keni në raport me ëndrrat që doni ti arrini. Kjo mund ta zgjasë
dy orë, dy javë apo madje edhe dy muaj. Nuk ka nevojë për tu ngutur. Ajo që
është me rëndësi është që ju të definoni se “cili është qëllimi im?”. Merrni
këtë copë letre dhe shkoni të ndonjë njeri i mençur cili ju donë dhe aftësive
dhe përvojës të së cilit i besoni. Kërkoni mendimin e tij lidhur me atë që keni
shkruar për të përfituar nga përvoja e tij. I tregoni atij për qëllimet tuaja.
Kjo bëhet kështu. Madje edhe mund ta vizitoni web faqen tonë dhe ne do të ju
ndihmojmë. Shënoni qëllimet e juaja dhe ne do të ju ndihmojmë që ti arrini ato.
Deri tani mirë, pas kësaj vjen një pikë e
rëndësishme. Ndani këtë qëllim në qëllime graduale. Për shembull:
Unë dua ta fitoj çmimin Nobel:
- Qëllimi i parë: Nuk e di mirë
anglishten, kështu që duhet ta mësoj atë. Për këtë qëllim më nevojitet një
vjet. Qëllimi i dytë: Do të shkoj në kurse dhe do të udhëtoj jashtë vendit
për dy vite. Kjo është faza e dytë, dhe unë do të bëj këtë e atë. A më
kuptoni?
Dua të fitoj kampionatin në X në Lojërat Olimpike.
- Qëllimi numër një është të fitoj
kampionatin në qytetin tim; ky është synimi im për vitin e ardhshëm. Pastaj,
do t’i bashkëngjitëm kampit të trajnimit.
Qëllimi im është të bëhem mësuesi më i mirë
i Kur`anit në botë,
- Prandaj, do ta mësoj Kur`anin nga ky
dhe ky profesor etj.
Ideja shndërrohet në plan kohor me
nën-qëllime që qojnë kah plani i përsosur final. Ky është planifikim i vërtetë
dhe ky është qëllimi i jetës suaj. Projekti ynë i kësaj jave është të bëjmë atë
që sapo thamë - duhet të definoni qëllimet. Rinia që ka provime, duhet të
definoni qëllimet tuaja, duhet të arrini sukses sepse kjo është pjesë e
rëndësishme e qëllimeve tuaja. Ju lutem, mësoni shumë, sepse krijuesi i jetës
kurrë nuk duhet të dështojë. Dhe ne dëshirojmë të krijojmë jetë. Nëse doni të
shikoni këtë program, shkoni dhe mësoni shumë.
Arritëm në fund të episodit të sotëm. Do të
vazhdojmë me projektin e suksesshëm të rrobave. Do të vazhdojmë të mbledhim edhe
këtë javë kurse fazën e klasifikimit do ta fillojmë në fillim të korrikut.
Dëshiroj që secili nga ju të shënojë qëllimet e tij/saj në jetë dhe planin. I
lutem Allahut xh.sh. që të gjithë nxënësit ti kalojnë provimet me sukses dhe që
ti pranojë veprat tona. Ju faleminderit shumë dhe shihemi herën tjetër.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë
mbi ju.
yer nga: Ekipi Dar Al-Tarjama – Konvoji shqipëtar
AmrKhaled.net ©
Ky artikull mund të publikohet dhe shumëfishohet lirisht për nevoja personale, përderisa përmendet burimi i origjinalit. Për të gjitha nevojat tjera, paraprakisht duhet të pajiseni me aprovimin me shkrim të administratës së web faqes
|